Obligohemi ta dimë se këto gjëra nuk e prishin agjërimin përveç nëse përmbushen këto tri kushte:
1. Dija
2. Kujtesa
3. Dëshira
Nëse agjëruesi konsumon nga padija ndonjërën prej këtyre gjërave që e prishin agjërimin, agjërimi i tij është i saktë, pavarësisht a ka qenë në padije për kohën apo ka qenë në padije për dispozitën.
Shembulli i atij që ka qenë në padije për kohën është njeriu që zgjohet në pjesën e fundit të natës dhe mendon se agimi akoma nuk ka lindur. Ai ha e pi dhe më pas i bëhet e qartë se agimi ka lindur më herët. Agjërimi i këtij, pra, është i saktë për shkak se ai nuk e ka ditur kohën.
Ndërsa, shembulli i atij që ka qenë në padije për dispozitën është agjëruesi që bën hixhame pa e ditur se është prishëse e agjërimit. Atij i thuhet: agjërimi yt është i saktë. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit:
رَبَّنَا لا تُؤَاخِذْنَا إِنْ نَسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا
“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose gabojmë (pa qëllim)!”[1]
Ky ishte argumenti nga Kurani. Ndërsa nga Suneti është hadithi që e përcjell Esma’, e bija e Ebu Bekrit – All-llahu qoftë i Kënaqur me të dy – të cilin e ka transmetuar Buhariu në Sahihun e tij [2]. Ajo ka thënë:
“Kemi ngrënë iftar në një ditë të vrenjtur, në kohën e të Dërguarit (ﷺ), pastaj u shfaq Dielli.”
– Kështu që iftari i tyre ka qenë gjatë periudhës së ditës, mirëpo ata nuk e dinin dhe mendonin se Dielli ka perënduar. Ndërsa i Dërguari (ﷺ) nuk i urdhëroi ata që të agjërojnë kaza. Po të kishte qenë kazaja obligim, do t’i kishte urdhëruar, dhe, po t’i kishte urdhëruar, do të na transmetohej neve.
Megjithatë, nëse e çel agjërimin duke menduar se Dielli ka perënduar, e më pas e kupton se ai nuk ka perënduar, ai e ka obligim imsakun (të përmbahet nga gjërat prishëse) deri sa të perëndojë Dielli. Në këtë mënyrë, agjërimi i tij është i saktë.
Kushti i dytë është kujtesa. E kundërta e kujtesës është harresa. Pra, nëse agjëruesi, nga harresa, ha dhe pi, agjërimi i tij është i saktë, duke u bazuar në Fjalën e të Lartësuarit:
رَبَّنَا لا تُؤَاخِذْنَا إِنْ نَسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا
“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose gabojmë (pa qëllim)!”[3]
Si dhe duke u bazuar në hadithin e Profetit (ﷺ), të cilin e transmeton Ebu Hurajra (radijAll-llahu ‘anhu):
«مَن نسي وهو صائم فأكل أو شرب فليتم صومه فإنما أطعمه الله وسقاه».
“Kush harron, gjatë agjërimit, dhe ha e pi, le ta vazhdojë agjërimin, sepse atë All-llahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”[4]
Kushti i tretë: Dëshira. Pra, nëse agjëruesi bën diçka nga këto prishëset e agjërimit pa dëshirë dhe pa zgjedhjen e tij të lirë, agjërimi i tij është i saktë. Nëse ai e shpëlan gojën dhe zbret diçka prej ujit në barkun e tij pa dashje, agjërimi i tij është i saktë.
Si dhe, nëse burri e detyron me forcë gruan e tij të bëjnë marrëdhënie, ndërsa ajo nuk ka mundësi ta ndalojë, agjërimi i saj është i saktë, se ajo nuk ka dashur. Argument për këtë është Fjala e të Lartësuarit në lidhje me atë që bëri kufër duke qenë i detyruar me forcë:
مَنْ كَفَرَ بِاللَّهِ مِنْ بَعْدِ إِيمَانِهِ إِلاَّ مَنْ أُكْرِهَ وَقَلْبُهُ مُطْمَئِنٌّ بِالإِيمَانِ
“Kushdo që mohon All-llahun, pasi që e kishte pranuar besimin, (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është e qetë me besim.”[5]
Pra, nëse agjëruesin e detyrojnë me forcë që ta prishë agjërimin, ose të bëjë diçka që ia prishë agjërimin pa dëshirën e tij, atëherë nuk ka asnjë pasojë (gjynah, kompensim) për të dhe agjërimi i tij është i saktë.
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: 48 pyetje për agjërimin
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnotat:
[1] el-Bekarah: 286.
[2] Hadithi nr: 1959.
[3] el-Bekarah: 286.
[4] E transmetoi Muslimi: 2686.
[5] en-Nahl: 106.