U përmendën disa prej vlerave të Fjalës së Teuhidit “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” dhe u përmendën shtyllat e saj. Dhe ajo që është obligim ta dijë çdo musliman është se fjala: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” nuk pranohet thjesht vetëm duke e shqiptuar me gjuhë, por duhet patjetër t’i jepet haku, të përmbushen detyrimet ndaj saj dhe të plotësohen kushtet e saj, që gjenden në Kuran dhe Sunet.

Është pyetur Uehb ibën Munebbih: “A nuk është “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” çelësi i Xhenetit?” Ai është përgjigjur: “Po është, mirëpo çdo çelës ka dhëmbët e vet. Nëse ti shkon (Ditën e Gjykimit) me çelës që ka dhëmbë, Xheneti të hapet. Nëse jo, nuk hapet!” – duke aluduar me dhëmbët te kushtet e “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” [1].

Dijetari eminent Abdul-Aziz ibën Bâz (v. 1999, All-llahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“Disa dijetarë (në bazë të hulumtimeve të tyre në tekstet e Kuranit dhe Sunetit) kanë treguar se kushtet e Fjalës “Lâ ilâhe il-lAll-llâh”, janë tetë:

1. Dituria mbi kuptimin e saj, e cila e largon paditurinë. Domethënë se është kusht ta dijë kuptimi i saj, e cila është siç e thamë: “Nuk ka të adhuruar të drejtë përveç All-llahut”. Kjo do të thotë se të gjithë të adhuruarit, që njerëzit i adhurojnë krahas All-llahut, janë të kotë.

2.Bindja e fortë, që e hedh poshtë çdo dyshim. Kjo kërkon që robi patjetër ta thotë këtë Fjalë me bindje se All-llahu është i Adhuruari i Vërtetë.

3.Ihlasi. Robi duhet që, të gjitha ibadetet dhe adhurimet, t’ia përkushtojë pastër veç Zotit të tij – e ai është All-llahu (‘azze ue xhel-le). Nëse këto adhurime ia drejton dikujt tjetër krahas All-llahut, si për shembull ndonjë profeti, ose evliai, ose meleki (engjëlli), ose idhulli, ose xhindi, ose ndonjë gjëje tjetër, atëherë ai ka rënë në shirk (i ka veshur All-llahut ortakë), d.m.th. e ka prishur këtë kusht – kushtin e ihlasit.

4. Sinqeriteti – d.m.th që robi duhet ta thotë Fjalën “Lâ ilâhe il-lAllâh” duke qenë i sinqertë; duke qenë zemra e tij në përputhje me gjuhën e tij dhe gjuha e tij në përputhje me zemrën e tij. Nëse e thotë veç me gjuhë ndërsa zemra nuk e beson kuptimin e saj, atëherë ajo nuk i bën dobi dhe mbetet jobesimtar, si gjithë hipokritët e tjerë.

5. Dashuria – d.m.th. ta dojë All-llahun (‘azze ue xhel-le). Nëse e thotë këtë Fjalë, por nuk e do All-llahun, ai është jobesimtar dhe nuk futet në Islam, si të gjithë munafikët e tjerë. Prej argumenteve që dëshmojnë për këtë është Thënia e All-llahut të Lartësuar:

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمْ اللَّهُ

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni All-llahun, atëherë më ndiqni mua, që All-llahu t’ju dojë…” [2]

Dhe Thënia e Tij (‘azze ue xhel-le):

وَمِنْ النَّاسِ مَنْ يَتَّخِذُ مِنْ دُونِ اللَّهِ أَندَاداً يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ اللَّهِ وَالَّذِينَ آمَنُوا أَشَدُّ حُبّاً لِلَّهِ

“E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (idhuj, evlia, të adhuruar) në vend të All-llahut, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet All-llahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër All-llahun (se sa ç’i duan idhujtarët të adhuruarit e tyre).” [3]

Ajetet që kanë këtë kuptim janë të shumta.

6. Nënshtrimi ndaj asaj që ngërthen Fjala “Lâ ilâhe il-lAllâh”. Nënshtrimi d.m.th. që robi ta adhurojë vetëm Atë dhe t’i nënshtrohet Ligjit të Tij, duke e besuar dhe duke u bindur se ai është i vërteti. Nëse ai e thotë Fjalën “Lâ ilâhe il-lAllâh”, dhe në ndërkohë nuk e adhuron veç All-llahun dhe nuk i nënshtrohet Sheriatit të Tij, porse tregohet mendjemadh, atëherë nuk është musliman. Ai është si puna e Iblisit (djallit) dhe të ngjashmëve.

7. Pranimi i asaj që nënkupton Fjala “Lâ ilâhe il-lAllâh” – d.m.th. ai duhet ta pranojë se adhurimi i takon pastër dhe vetëm All-llahut dhe se duhet të largohet nga adhurimi i të tjerëve. Ai e ka për detyrë të kapet pas kësaj, të ndjehet i kënaqur dhe të mjaftohet me të.

8. Mohimi i çdo gjëje që adhurohet në vend të Atij. Kjo do të thotë se ai duhet të shfaqë distancimin dhe pastërtinë e tij nga adhurimi i dikujt tjetër krahas All-llahut dhe të besojë se ai është adhurim i kotë, siç thotë i Larti:

فَمَنْ يَكْفُرْ بِالطَّاغُوتِ وَيُؤْمِنْ بِاللَّهِ فَقَدْ اسْتَمْسَكَ بِالْعُرْوَةِ الْوُثْقَى لا انفِصَامَ لَهَا وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ 

“Ai që mohon tagutin (idhujt dhe gjithë çka adhurohet krahas All-llahut) dhe beson në All-llahun, ka siguruar ‘lidhjen më të fortë’, e cila nuk këputet kurrë. All-llahu dëgjon dhe di gjithçka.” [4]

Në një hadith të saktë, Profeti ka thënë:

«من قال لا إله إلا الله وكفر بما يعبد من دون الله حرم ماله ودمه وحسابه على الله»

“Atij, që thotë “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” dhe mohon çdo të adhuruar krahas All-llahut, i është siguruar pasuria dhe gjaku, ndërsa llogarinë e tij e ka All-llahu.” [5]

Pra, të gjithë muslimanët e kanë për detyrë që ta zbatojnë dhe realizojnë këtë Fjalë si duhet, duke i respektuar këto kushte. Dhe, kurdo që një musliman i plotëson këto kushte dhe qëndron i patundur, ai llogaritet musliman dhe gjaku e pasuria e tij janë të pacenueshme, pavarësisht a i di detajet e këtyre kushteve apo jo. Qëllimi është që besimtari ta dijë të vërtetën dhe ta zbatojë atë, edhe nëse nuk e di numërimin e kushteve që kërkohen.”

Autor: Abdul-Aziz Ibën Bâz
Burimi: Hirâsetu et-Teuhid, f. 109.

Përkthimi dhe përshtatja: Blerand Grubi


Fusnotat:
[1] E ka përmendur Ibën Raxheb te libri: “Kelimetul-Ihlas”, f. 14.
[2] Âli Imrân’, 31.
[3] El-Bekara, 165.
[4] El-Bekara, 256.
[5] Transmetuar nga Muslimi, 59.