Cili është Monoteizmi i vërtetë?

Çifutët, të krishterët, idhujtarët në kohën e Profetit Muhamed (ﷺ) dhe shumë religjione të tjera pretendojnë se janë fe monoteiste dhe pohojnë se ka veç një Zot, një Krijues, një Sistemues të Universit. Atëherë, ku është dallimi mes Islamit dhe këtyre feve? Nëse idhujtarët e kohës së Profetit Muhamed (ﷺ) e besonin All-llahun si Zoti Një dhe si Krijuesi i Vetëm i qiejve dhe Tokës, atëherë ku ishte defekti i tyre? Pse ndodhi gjithë ajo përplasje dhe betejë? Këto çështje dhe disa të tjera i shtjellon dijetari i madh El-Albani në këtë incizim që vijon.

“…jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), dhe e ndjekin atë që është më e mira. Këta janë ata që All-llahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.” [Surja Ez-Zumer, 17-18]

Përkthyesi

Realiteti i Monoteizmit | El-Albani

Teuhidi (Njëshmëria), për sqarimin e të cilit All-llahu i ka zbritur Librat dhe i ka dërguar të Dërguarit, nënkupton tri çështje:

Çështja e parë: “Njëshmëria e All-llahut si Zot.”

Dhe kuptimi i tij është se s’ka zot tjetër veç All-llahut dhe se All-llahu është i Vetmi që ka i krijuar qiejt dhe Tokën – çështje që është e njohur unanimisht nga të gjithë ata që besojnë në All-llahun, nga të gjitha fetë.

Mirëpo, thirrja e vërtetë Islame dallohet me një aspekt tjetër të Monoteizmit – kuptimin e saktë të të cilit e ka ringjallur Muhamed ibën Abdul-Wehhâbi.

Ky është aspekti, me të cilin thirrja e vërtetë Islame dallohet nga thirrjet e çifutëve dhe të krishterëve:

Thirrja Islame, përveç që e detyron çdo musliman të besojë se nuk ka krijues tjetër përveç All-llahut, në të njëjtën kohë, e detyron edhe: të mos adhurojë dikë tjetër krahas këtij Krijuesi!

Prandaj, të gjithë dijetarët e muslimanëve janë të pajtimit se kuptimi i fjalës “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” nuk është i njëjtë me fjalën “S’ka zot tjetër veç All-llahut”!

Porse kjo fjalë e bukur: ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’ ka kuptim më të gjerë se ai i fjalës ‘S’ka zot tjetër veç All-llahut’, sepse ajo do të thotë: “nuk ka, në ekzistencë, asnjë të adhuruar të drejtë, përveç All-llahut të Madhëruar.”

Pra, Fjala e Bukur ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’, e cila është “Çelësi i Xhenetit” – siç është quajt në disa transmetime – dhe me të cilën muslimani shpëton nga përjetësia në Zjarr – siç transmetohet në shumë hadithe autentike nga Profeti i përfshin dy teuhidet:

1. Teuhidin e Rubûbijjes – i cili thotë se nuk ka krijues tjetër përveç All-llahut, nuk ka zot tjetër përveç All-llahut; dhe

2. Teuhidin e Ulûhijjes – ndonjëherë haset me shprehjen: Teuhid el-‘Ibâdeh (Njëshmëria në aspektin e adhurimit) – i cili thotë se duhet që të adhurohet vetëm All-llahu, Një e i pashoq.

Nëse një person, kushdo qoftë ai, e shpjegon Fjalën e Bukur “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” me fjalët: “nuk ka zot tjetër veç All-llahut”, nuk arrin të bëhet besimtar në Njëshmërinë e All-llahut (monoteist).

Kjo është pika e ndarjes dhe e dallimit midis muslimanëve të vërtetë dhe të tjerëve.

Muslimani e konsideron All-llahun se është Një në Veten e Tij dhe e konsideron se Ai është Një e i Vetëm që duhet ta adhurojë.

Ndërsa të tjerët, si çifutët dhe të krishterët, e konsiderojnë All-llahun se është Një në Veten e Tij – përveç disave prej tyre që kanë devijuar edhe më larg – mirëpo adhurojnë edhe të tjerë krahas Tij.

Prandaj, të gjithë muslimanët e kanë obligim që ta njohin, në radhë të parë, këtë kuptim të vërtetë të fjalës ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’; ta dinë se ajo nuk nënkupton vetëm që “nuk ka zot tjetër veç All-llahut” por nënkupton, përveç kësaj, edhe se nuk ka, përveç All-llahut, të adhuruar tjetër me të drejtë.

Fjala ‘me të drejtë’ është që të kujdesemi të mos mohojmë se ekzistojnë të adhuruar të tjerë në tokë – në të kaluarën dhe të tashmen – të cilët adhurohen padrejtësisht në vend të All-llahut (tebârake ue te’âlâ).

Prandaj nuk lejohet të thuhet se “nuk ekzistojnë të adhuruar përveç All-llahut”, sepse të adhuruarit janë të shumtë, tepër të shumtë.

Shpjegimi i saktë bëhet vetëm me kufizimin: ‘me të drejtë’; “Nuk ka të adhuruar me të drejtë, nga të gjithë të adhuruarit që ekzistojnë, përveç All-llahut (tebârake ue te’âlâ)”

Përndryshe, janë adhuruar Lâti dhe ‘Uzzâ dhe adhurohen shumë idhuj të tjerë deri në këtë kohë, e si mund që muslimani të thotë: “nuk ekzistojnë të adhuruar përveç All-llahut”?

Kjo është gabim, sepse të adhuruarit janë të shumtë, porse adhurohen kot së koti, ndërsa i Adhuruari me të drejtë (me meritë) është vetëm All-llahu (tebârake ue te’âlâ).

Këtyre dy aspekteve të Njëshmërisë, që është Një Zot dhe Një i Adhuruar i Vërtetë, gjithashtu u shtohet edhe një aspekt i tretë i Njëshmërisë së All-llahut, pa të cilin nuk plotësohet Teuhidi dhe pa të cilin nuk i pranohet një monoteisti dëshmia: ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’.

Cili është ky teuhid i tretë?

Është: “Njëshmëria e All-llahut në Cilësitë e Tij”.

Pra All-llahu, ashtu siç është Një (i pashoq) në Vetën e Tij dhe Një në adhurueshmërinë e Tij, Ai është gjithashtu Një edhe në Cilësitë e Tij. Prandaj, All-llahu i Lartësuar ka thënë:

“Asgjë nuk është sikur Ai, dhe Ai është Dëgjuesi e Shikuesi (i çdo gjëje).” [esh-Shûrâ: 11]

Kjo është thirrja të cilën e bëri Muhamedi dhe të cilën e kuptuan brezat e parë e të drejtë dhe të gjithë Imamët.

Mirëpo, pas atyre erdhën brezni, jo vetëm që e braktisën faljen e namazit, por e braktisën edhe Teuhidin, për arsye se ata, këtë fjalë të bukur e kuptuan me kuptimin e parë e të ngushtë, që: ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’ do të thotë: nuk ka zot tjetër veç All-llahut.

Ne kemi parë disa shkrime në këtë kohë, të shkruara e të botuara, në të cilat, kjo Fjalë e Bukur shpjegohet vetëm sipas kësaj pjese të Teuhidit; që fjala ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’ do të thotë ‘S’ka zot tjetër veç All-llahut’.

Nuk mjafton për një musliman që ta kuptojë këtë fjalë sipas këtij kuptimi të ngushtë.

Prandaj, si pasojë dhe rezultat i faktit që shumica e muslimanëve – e veçanërisht masa e thjeshtë – dështuan në kuptimin e kësaj Fjale të Bukur, ata dështuan edhe praktikisht në zbatimin e saj; ata adhurojnë të adhuruar tjerë krahas All-llahut, pa e ndier fare.

Kjo është një ndër belatë më të mëdha që i kanë ngjarë muslimanëve!

Shkaku i kësaj belaje lidhet me dy çështje:

Njërën e përmendëm më parë, e ajo është që ata, nga fjala e Teuhidit, nuk e kanë kuptuar Njëshmërinë e All-llahut në të drejtën e adhurimit;

Kurse çështja tjetër është se ata nuk e kanë kuptuar çfarë do të thotë fjala adhurim (ibadet)!

Prandaj, nëse i thua ndonjërit: “Ti po adhuron krahas All-llahut të adhuruar të tjerë”, ai të thotë:

“Jo! Unë nuk adhuroj askënd tjetër veç All-llahut. Unë falem veç për All-llahun.”

Ne i themi: “Për këtë ne pajtohemi me ty: ti falesh vetëm për All-llahun e Lartësuar.

Por ti, a nuk po i lutesh dikujt tjetër veç All-llahut në raste vështirësie? A nuk po thua: O zotëria im Ahmed! O zotëria im Bedevi! O zotëria im Shuajb! O filan…

– Ky është një ibadet, dhe i takon All-llahut (tebârake ue te’âlâ)!”

All-llahu (azze ue xhel-le) na ka zbritur neve një Libër Fisnik dhe e ka filluar atë me një kaptinë, suren el-Fâtiha. Në të gjendet një ajet, me të cilin muslimani i drejtohet Zotit të tij në secilin rekat të namazeve, duke thënë:

 “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Pra, ti e adhuron All-llahun, i cili është Një e i pashoq, mirëpo, ti po kërkon ndihmë prej dikujt tjetër, krahas Tij.

Kjo është isti’âneh (kërkimi i ndihmës), pavarësisht se a e quajmë: “isti’âneh” – që është një emërtim i saktë – apo e quajmë “istigâtheh” – që është, gjithashtu, një emërtim i saktë – apo e quajmë “tewessul”, dhe ky është një emërtim i gabuar këtu.

Këto emërtime aludojnë në një çështje të vetme, prej të cilave disa janë emërtime të sakta, si: “istigâtheh” dhe “isti’âneh”, dhe disa janë (të pavenda), si “tewessuli”, duke e quajtur kështu “kërkimin e ndihmës nga të tjerë përveç All-llahut”, njësoj siç ka thënë Profeti për një çështje tjetër (alkoolin):

 “Do ta quajnë me emra të tjerë…”

Pra, kur dikush thotë: “O i Dërguari i All-llahut, më ndihmo (ma largo një vështirësi)!”, këta pretendojnë se kjo është ‘tewessul’…

Jo! Kjo është një dua drejtuar të tjerëve veç All-llahut dhe është kërkim ndihme nga të tjerë veç All-llahut.

Kjo është shirk (shpifje se All-llahu ka ortakë) në të drejtën e adhurimit.

Për shkak se, ai që i drejtohet tjetërkujt veç All-llahut, sidomos në vështirësi, ai e ka adhuruar atë në vend të All-llahut.

Prej argumenteve të kësaj – dhe kjo është përmendur në Kuran dhe Sunet – është fjala e All-llahut (azze ue xhel-le):

 “Vërtet ata që iu luteni ju, në vend të All-llahut, janë robër si ju.” [el-A’râf: 194]

Ka thënë: “iu luteni” e nuk ka thënë “i adhuroni”. Mirëpo, realiteti është se ky ajet “iu luteni” e ka kuptimin “i adhuroni”.

Pra, është njësoj edhe kur thua “iu luten të tjerëve në vend të All-llahut” edhe kur thua “i adhurojnë të tjerët në vend të All-llahut”. Që të dyja shprehjet të çojnë në një realitet të vetëm, e ai është se ata kërkojnë ndihmë nga të tjerë në vend të All-llahut. Kjo është një shkelje ndaj Njëshmërisë së All-llahut në adhurim, e jo shkelje ndaj Njëshmërisë së Tij si Zot.

Ndoshta ka dikush që nuk e di këtë shpjegim të hollësishëm, që ka ardhur në Kuran dhe Sunet dhe që e kanë ndjekur të parët e Umetit, deri para pak shekujve. Pastaj, disa muslimanë devijuan rrugën dhe e kuptuan fjalën: ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’ se do të thotë ‘S’ka zot tjetër veç All-llahut’.

Këtë kuptim idhujtarët (e parë) nuk e mohonin, përkundrazi ata e besonin. Mirëpo, ata e mohonin kuptimin e saktë të kësaj Fjale, të cilin shumë prej muslimanëve (të mëvonshëm) nuk e dinë, e ai është Teuhidi i Ulûhijes, ose thënë ndryshe Teuhidi i Ubûdijes, ose Teuhidi i Ibadetit (të tria me të njëjtin kuptim).

Argument i drejtpërdrejtë dhe i qartë në Kuran është ajeti:

 “Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, pa dyshim që do të thonë: “All-llahu!” [Lukmân: 25]

Pra, idhujtarët besonin se vetëm All-llahu është Zoti. Nuk besonin se ekziston një krijues i së mirës dhe një krijues i së keqes, siç predikon feja e mexhusëve (zoroastrianëve) për shembull, porse besonin se Krijuesi është All-llahu Një e i pashoq.

Atëherë, prej nga erdhi shirku i tyre? Pse e luftuan Profetin e tyre? Kur ai i thërriste në fjalën: ‘Lâ ilâhe il-lAll-llâh’ ata tregoheshin mendjemëdhenj, siç ka thënë All-llahu në Kuranin Fisnik:

 “… kur u thuhej atyre: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh!” – ata e refuzonin me mendjemadhësi” [es-Sâffât: 35]

Dhe kanë thënë:

“A i bëri të gjithë ilâhët (të adhuruarit) të jenë një ilâh i Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” [Sâd: 5]

Pra, arabët e parë, në kohën e Xhahiljetit (Injorancës së para Islamit), e kuptonin fjalën ‘ilâh’ ndryshe nga fjala ‘rabb’ (zot), sepse ata e besonin se s’ka zot tjetër përveç All-llahut, d.m.th. se s’ka krijues, s’ka mbajtës, s’ka furnizues tjetër përveç All-llahut.

Ilâh (i adhuruar) është vetëm Ai, të Cilit i përulen dhe i binden krijesat, kurse ata iu përuleshin të tjerëve përveç All-llahut, si idhujve dhe statujave të njohura në histori.

Prandaj, një prej gjërave të çuditshme në shirkun e idhujtarëve, pak para se t’i vinte shpallja të Dërguarit – ‘alejhis-salâtu ues-selâm – ishte ajo se ata bënin tavaf rreth Qabes dhe në telbijen e tyre thoshin:

“Të përgjigjem (të dorëzohem) Ty, o All-llah! Të përgjigjem.

Të përgjigjem Ty që nuk ke ortak, përveç ortakut që Ti e zotëron, edhe atë edhe çka ai zotëron!” [Muslim, 2107]

“…përveç ortakut që Ti e zotëron edhe atë edhe çka ai zotëron!”

Pse kanë thënë kështu?

Sepse ata besonin që s’ka krijues tjetër krahas All-llahut. Mirëpo, ata i bënin All-llahut ortakë (diku tjetër) – domethënë i adhuronin ata në vend të All-llahut (tebârake ue te’âlâ).

Siç ka ardhur në ajetin, i cili u përmend në fillim të fjalimit të vëllait Muhamed:

 “…ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij (thonë): “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë tek All-llahu” [ez-Zumer: 3]

Ky është një ajet i qartë, që tregon drejtpërdrejt se synimi kryesor i idhujtarëve është All-llahu, mirëpo, megjithatë, ata adhurojnë edhe të tjerë krahas Tij.

Mirëpo, nëse pyeten: “Pse i adhuroni këta?”, ata thonë: “Nuk i adhurojmë për tjetër gjë, veçse të na afrojnë tek All-llahu me pozitë”.

Ky është një realitet i dhimbshëm, shumë; që ata besojnë që All-llahu është Një dhe i pashoq e, megjithatë, ata i bëjnë All-llahut ortakë në çka? Ata i bëjnë All-llahut ortakë në adhurim.

Prandaj, e kemi obligim të jemi syhapët për një çështje, që mendoj se shumë njerëz e kanë lënë pas dore:

“Prandaj mos sajoni All-llahut partnerë (të barabartë), duke qenë se ju e dini” [el-Bekara: 22]

Çfarë do të thotë: partnerë të barabartë? A do të thotë: partnerë në krijim, partnerë në furnizim, partnerë në dhënien e jetës dhe vdekjes? Jo! Por do të thotë: partnerë në adhurim.

Ky pra ka qenë shirku i idhujtarëve në Xhahilijet (para Islamit).

 

Autor: Muhamed Nasiruddin el-Albâni
Burimi: Zinxhiri i kasetave: “El-Hudâ uen-Nûr”, kaseta nr. 195.

Përkthimi: Blerand Grubi