2.3 Çfarë është Imani?
“…pastaj tha: “Tani më trego për Imanin!”
Profeti (ﷺ) tha: “Imani është: të besosh në All-llahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Kaderin (paracaktimin) e së mirës dhe së keqes…”
Imani në engjëjt
Besojmë në engjëjt e All-llahut të Madhëruar. Ne besojmë se ata janë “robër të nderuar. Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë sipas Urdhrit të Tij.” [1]
All-llahu i ka krijuar ata nga drita. Ata e adhurojnë All-llahun dhe i nënshtrohen Atij me bindje, “nuk ngurrojnë (me kryelartësi) për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, * por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” [2]
All-llahu i mban të fshehur nga ne, andaj nuk i shohim. Mirëpo, ka ndodhur rrallë që t’ia zbulojë disa robërve të tij, sikur Profetit (ﷺ), i cili e ka parë Xhibrilin në pamjen origjinale, me gjashtëqind krahë, duke ia mbuluar gjithë qiellin. [3]
Xhibrili i është shfaqur edhe Merjemes si një njeri i plotë. Ajo i ka folur atij dhe ai i ka folur asaj.
Ai, gjithashtu, i ka ardhur edhe Profetit Muhamed (ﷺ) kur ka qenë me shokët e tij (në këtë hadith të njohur si Hadithi i Xhibrilit).
[Punët e engjëjve]
Besojmë se engjëjt kanë punë të caktuara, me të cilat janë ngarkuar.
Prej tyre është Xhibrili, i ngarkuari me Shpalljen. Ai e ka zbritur shpalljen nga All-llahu dhe ua ka përcjellë atyre profetëve dhe të dërguarve që ka dashur All-llahu.
Prej tyre është Mikaili: i ngarkuari me shiun dhe bimët.
Prej tyre është Israfili: i ngarkuari me fryrjen e Borisë për vdekjen (e gjitha krijesave) dhe për ringjalljen e tyre.
Prej tyre është Melekul-Meut (Engjëlli i Vdekjes): i ngarkuari me marrjen e shpirtrave gjatë vdekjes.
Prej tyre është Melekul-Xhibâl (Engjëlli i Maleve): i ngarkuari me malet.
Prej tyre është edhe engjëlli Mâlik: Roja e Zjarrit.
Ka engjëj të ngarkuar me embrionet në mitër, engjëj të tjerë të ngarkuar me mbrojtjen e njerëzve, engjëj të tjerë të ngarkuar me shënimin e veprave të tyre, gjegjësisht, dy engjëj për çdo njeri, “i rrinë në pritë nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” [4]
Ka edhe engjëj të ngarkuar me pyetjen e të vdekurit pasi të përfundojë dorëzimi i të vdekurit për në vendqëndrimin e tij. Atij i vijnë dy engjëj dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt?”, “Cila është Feja jote?” dhe “Kush është Profeti yt?”. Atëherë “All-llahu i forcon besimtarët me Fjalën e Qëndrueshme (të vërtetën) në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; All-llahu bën ç’të dojë.” [5]
Ka engjëj të ngarkuar me banorët e Xhenetit, “dhe do të hyjnë tek ata nga çdo derë, (e do t’u thonë): “Selâmun ‘alejkum (Paqe qoftë mbi ju) për durimin që keni treguar (në dynja)! Sa fund i bukur që është ky vendbanim!” [6]
Profeti (ﷺ) ka treguar se në Bejtul-Ma’mûr (Shtëpinë plot vizitorë) në qiell, hyjnë (në tjetër transmetim: falen) çdo ditë shtatëdhjetë mijë engjëj dhe nuk kthehen më në të, asnjëherë. [7]
Vijon: Imani në Librat
______________________