2.3 Çfarë është Imani?
“…pastaj tha: “Tani më trego për Imanin!”
Profeti (ﷺ) tha: “Imani është: të besosh në All-llahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Kaderin (paracaktimin) e së mirës dhe së keqes…”
Shpjegimi
Kjo përgjigje përfshin në vetvete gjashtë shtyllat e imanit. E para nga këto shtylla është:
Imani në All-llahun
Imani në All-llahun është themeli i besimit tonë në çdo gjë që është obligim të besohet, prandaj është renditur pas tij imani në engjëjt, Librat dhe të dërguarit. Ai që nuk beson në All-llahun, nuk beson as në shtyllat e tjera.
Imani në All-llahun përfshin besimin se Ai është “Një Zot i Vetëm”, se Ai është “Një i Adhuruar i drejtë” dhe se Ai është “Një në Emrat dhe Vetitë e Tij”.
Besimi se All-llahu është “Një Zot i Vetëm” është besimi se në Veprat që Ai i bën, është i Vetëm dhe nuk ka ortakë në to, si: krijimi, furnizimi, dhënia e jetës, dhënia e vdekjes, sistemimi i çdo çështjeje, drejtimi i universit dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me zotërimin e Tij absolut.
Besimi se All-llahu është “i Adhuruari i Vetëm i drejtë” është që robërit t’ia kushtojnë veprat vetëm All-llahun Një, si: duaja, frika, shpresa, mbështetja, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i përkrahjes në vështirësi, kurbani, zotimi dhe lloje të ndryshme të ibadeteve, të cilat e kemi obligim t’ia kushtojmë vetëm All-llahut Një.
Nuk guxojmë t’ia drejtojmë ndonjërën prej këtyre adhurimeve askujt krahas Tij, qoftë engjëll i afërt, qoftë profet i dërguar. E lëre më dikujt tjetër.
Kurse besimi se All-llahu është “Një me Emrat dhe Cilësitë e Tij” është: ta pohosh për All-llahut çdo Emër dhe Cilësi që e ka pohuar Ai për Vete dhe i Dërguari i Tij (ﷺ) për All-llahun, ashtu si i takon përsosurisë dhe madhërisë së Tij, pa e përshkruar Formën e Cilësisë (tekjif), pa dhënë shembull (temthil), pa ia devijuar kuptimin (tehrif), ose pa e keqinterpretuar (te’wil), dhe pa ia mohuar (anuluar) kuptimin (teatil). Dhe, në të njëjtën kohë, ta mohosh për All-llahun çdo cilësi që nuk i takon Atij.
Siç ka thënë All-llahu i Madhëruar:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi (i çdo gjëje)” [Esh-Shûrâ, 11]
Kështu, në këtë ajet, i ka përmendur së bashku të dyja: pohimin dhe mohimin. Pohimi te Fjala: “Ai është Dëgjuesi Shikuesi”, kurse mohimi te Fjala: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij (asgjë nuk është sikur Ai)”.
Pra, All-llahu i Lartësuar ka Dëgjim, por jo si dëgjimet e krijesave, ka Shikim, por jo si shikimet e krijesave… Kështu njësoj thuhet për të gjitha Emrat dhe Cilësitë e Zotit, të cilat janë vërtetuar në Tekstet e Sheriatit.
Ai që beson se All-llahu është Një në “të qenët Zot” dhe është Një në “Emra dhe Cilësi”, kjo e detyron ta pranojë edhe faktin se Ai është Një në “meritën për t’u adhuruar”.
Sepse jobesimtarët, te të cilët ishte dërguar Muhamedi (ﷺ), patën besuar se All-llahu është Zoti Një, por ky besim nuk i futi në Islam. Përkundrazi, ata i luftoi Profeti (ﷺ), deri kur e adhuruan All-llahun, Një e të pashoq.
Prandaj, shumë ajete në Kuran vijnë për ta pohuar Njëshmërinë e All-llahut si Zot, gjë që e patën pohuar edhe jobesimtarët, vetëm me qëllim që t’i detyrojë ata ta pranojnë Njëshmërinë e All-llahut në të drejtën e adhurimit.
Një prej shembujve është ajeti:
أَمَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَأَنْزَلَ لَكُمْ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَنْبَتْنَا بِهِ حَدَائِقَ ذَاتَ بَهْجَةٍ مَا كَانَ لَكُمْ أَنْ تُنْبِتُوا شَجَرَهَا أَإِلَهٌ مَعَ اللَّهِ بَلْ هُمْ قَوْمٌ يَعْدِلُونَ (60) أَمَّنْ جَعَلَ الْأَرْضَ قَرَارًا وَجَعَلَ خِلَالَهَا أَنْهَارًا وَجَعَلَ لَهَا رَوَاسِيَ وَجَعَلَ بَيْنَ الْبَحْرَيْنِ حَاجِزًا أَإِلَهٌ مَعَ اللَّهِ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ (61) أَمَّنْ يُجِيبُ الْمُضْطَرَّ إِذَا دَعَاهُ وَيَكْشِفُ السُّوءَ وَيَجْعَلُكُمْ خُلَفَاءَ الْأَرْضِ أَإِلَهٌ مَعَ اللَّهِ قَلِيلًا مَا تَذَكَّرُونَ (62) أَمَّنْ يَهْدِيكُمْ فِي ظُلُمَاتِ الْبَرِّ وَالْبَحْرِ وَمَنْ يُرْسِلُ الرِّيَاحَ بُشْرًا بَيْنَ يَدَيْ رَحْمَتِهِ أَإِلَهٌ مَعَ اللَّهِ تَعَالَى اللَّهُ عَمَّا يُشْرِكُونَ (63) أَمَّنْ يَبْدَأُ الْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُ وَمَنْ يَرْزُقُكُمْ مِنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ أَإِلَهٌ مَعَ اللَّهِ قُلْ هَاتُوا بُرْهَانَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ (64)
60. A ka më të mirë se Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe lëshon për ju nga qielli ujë, me të cilin krijon kopshte të mrekullueshme?! Ju nuk mund t’i bëni pemët të rriten (pa jua dhënë Ai nimetin e ujit). Vallë, a ka krahas All-llahut të adhuruar tjetër (i cili i bën këto, që ta meritojë adhurimin)?! Jo, por ata janë njerëz që i veshin (All-llahut) të barabartë me Atë!
61. A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme, ka bërë nëpër të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas All-llahut, të adhuruar tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur.
62. A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas All-llahut të adhuruar tjetër?! Sa pak që reflektoni!
63. A ka më të mirë se Ai që ju rrëfen rrugën në errësirat e tokës dhe të detit dhe ju çon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij? Vallë, a ka krahas All-llahut të adhuruar tjetër? I Lartësuar është All-llahu dhe i Lavdëruar mbi çdo gjë që ia shoqërojnë (në adhurim).
64. A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas All-llahut të adhuruar tjetër? Thuaj (o Muhamed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” [En-Neml, 60-64]
Vijon “Imani në engjëjt“ …
_________________
Autor: Abdul-Muhsin el-Abbâd
“Sherh Hadith Xhibril” – me shkurtim dhe pak përshtatje.
Përkthimi: Blerand Grubi