Çfarë është Islami?

بسم الله الرحمن الرحيم
Bismil-lâhir Rahmânir Rahîm

Feja Islame

1. Islami është feja e natyrshmërisë, me të cilën All-llahu i ka krijuar në origjinë njerëzit dhe është thirrja e gjithë profetëve dhe të dërguarve në të kaluarën. Të gjithë profetët i ftonin popujt e tyre drejt kësaj feje që të bëhen muslimanë, siç ka thënë All-llahu i Lartësuar në Librin e Tij të Madhërishëm, në lidhje me Ibrahimit (alejhis-selam), ‘babanë e profetëve’ dhe ‘mikun e ngushtë të të Gjithëmëshirshmit’:

“130. Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët (në gradat më të larta).
131. Kur Zoti i tij i tha: “Eslim (përulu)!” – ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të gjithësisë!”
132. Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, All-llahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (të nënshtruar ndaj Atij)!”

2. All-llahu i Madhëruar e dërgoi profetin e Tij Muhammed (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me këtë fe madhështore, në një moment kur Ithtarët e Librave, jehudët dhe të krishterët, ishin zhytur në injorancë dhe humbje, pasi që i kishin ndryshuar dhe deformuar Teuratin dhe Ungjillin dhe kishin rënë në lojërat e ëndjeve. Që të dy grupet, jehudët dhe të krishterët, u rreshtuan në një linjë me idhujtarët e fisit Kurajsh në sulmin kundër Muhammedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe thirrjes së tij, sidomos jehudët, edhe pse e njihnin në mënyrë të plotë nga librat e tyre dhe e dinin se ishin urdhëruar ta ndiqnin dhe të besonin në thirrjen e tij, siç ka thënë All-llahu (subhaneHu ue te’ala):

“Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Profetin), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.”

3. Kur Profeti ynë Muhammed (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) u vendos në Medine, dërgoi mesazhe mbretërve të asaj kohe në gjithë botën, për t’i ftuar në fenë e All-llahut, që ajo t’i nxjerrë nga errësirat në dritë.
Rib’i ibën Amir (radijAll-llahu anhu) ka dhënë një sqarim shumë të bukur, kur e ka pyetur udhëheqësi i persëve Rostam: “Çka jeni ju?”, dhe ai është përgjigjur me pak fjalë:

“Ne jemi një popull, që All-llahu na ka deleguar për t’i nxjerrë, kë të dojë, nga robërimi (adhurimi, nënshtrimi) ndaj robërve tek robërimi ndaj Zotit të robërve, nga ngushtësia e dynjasë tek gjerësia e dynjasë dhe ahiretit dhe nga padrejtësia e feve te drejtësia e Islamit!”

4. Kjo fe, e cila është vula e shpalljes, ka ardhur për t’i vënë gjërat në vendin e duhur dhe për t’i orientuar dhe udhëzuar njerëzit në mënyrën më të saktë, drejt besimit në Njëshmërinë e All-llahut, drejt imanit në profetët dhe të dërguarit e Tij dhe drejt thirrjes për tek ajo që kanë thirrur ata: Teuhidit të All-llahut dhe nënshtrimit të fytyrës ndaj Tij.

5. Veçoritë pozitive dhe të bukura të Fesë Islame janë tepër të shumta dhe nuk mund të llogariten. E si të mos jenë ashtu kur ajo është Feja e All-llahut; Feja e Atij që di çdo gjë, që ka urtësi absolute dhe argument të pakontestueshëm. Feje e Atij që është i Urti i Gjithëdijshëm për çdo çështje që e cakton dhe e krijon dhe për çdo gjë që ia ligjëson robërve të Tij.
Kështu që, s’ka mbetur asnjë e mirë, pa na ftuar i Dërguari ynë (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) drejt saj dhe pa e udhëzuar Umetin e tij drejt saj dhe nuk ka mbetur asnjë e keqe, pa i paralajmëruar nga ajo – siç është përcjellë te Sahihu i Muslimit, nga Abdull-llah ibën Amër ibën ‘As (radijAll-llâhu anhumâ), se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Çdo profet, që All-llahu e ka dërguar, e ka pasur obligim që ta udhëzojë umetin e tij drejt asaj që e dinte që është më e mira për ta dhe t’i paralajmërojë kundër asaj që e dinte që është më e keqja për ta!”

Në Musnedin i imam Ahmedit është përcjellë një transmetim me zinxhir të saktë nga Ebu Hurajra (radijAll-llahu anhu) se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë

“Unë jam dërguar, në të vërtetë, për t’i plotësuar moralet e bukura!”

6. Kurse ajo që po e vërejmë sot, se si jobesimtarët, idhujtarët, ithtarët e Librave, jehudë dhe të krishterë, po hyjnë grupe-grupe në Islam – është veç argument për dështimin e këtyre religjioneve dhe filozofirave tjera në gjetjen e qetësisë, rehatisë dhe lumturisë për njerëzit.
Ajo që është obligim për muslimanët, sidomos për thirrësit, është që të aktivizohen në thirrjen e këtyre umeteve të pranojnë fenë e All-llahut. Dhe të mos harrojmë, para kryerjes së këtij obligimi, që ta zbatojmë Islamin në vetët tona dhe të jemi shembull në dituri dhe sjellje, sepse njerëzimi ka nevojë për dikë që i nxjerrë nga errësirat në dritë me lejen e All-llahut;

“E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt All-llahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam musliman.”

I lutem All-llahut që të na bëjë thirrës drejt çdo mirësie, të na dhurojë kuptim të mprehtë të Fesë sonë dhe të na dhurojë sukses në thirrjen drejt Tij me dituri të qartë! Vërtet Ai është Zoti i kësaj dhe i Plotfuqishëm për këtë.

Falja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin me Muhamedin, si dhe me familjen dhe shokët e tij.