Hadithi i tretë
Është përcjellë se ‘Ebu AbdirRahmâni’ – Abdull-llâh ibën Umer ibnul-Khattâbi (radijAll-llahu anhumâ) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut (ﷺ) duke thënë:
«بُنِيَ الإسْلامُ عَلَى خَمْس: شَهَادَةِ أَنْ لاَ إلَهَ إِلَا الله، وَأَنَّ مُحَمَدًا رَسُولُ الله، وَإِقَامِ الصَّلَاةِ، وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ، وَحَجِ الْبيْتِ، وَصَوْمِ َرمَضَانَ»
“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): dëshmia se s’ka të adhuruar të drejtë veç All-llahut dhe se Muhamedi është i dërguari i All-llahut, kryerja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi në Shtëpinë (e Shenjtë) dhe agjërimi i ramazanit.”
Përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi
Shpjegimi i hadithit:
“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla)” – kjo tregon qartë për rëndësinë madhore që e kanë këto pesë shtylla dhe se
Islami është i ndërtuar mbi to. Ky është një shëmbëllim abstrakt i Islamit me
një ndërtesë reale konkrete. Domethënë, sikurse ndërtesa reale që nuk mund të
ngrihet pa shtyllat e saj, gjithashtu Islami nuk ngrihet pa këto pesë.
Kufizimi i numrit në “pesë” është për faktin se këto janë
baza për adhurimet e tjera, ndërsa adhurimet e tjera janë pasuese të këtyre
pesëve.
Shtylla e parë nga këto pesë shtylla, me të cilat është ndërtuar Islami, janë: Dy Dëshmitë.
Dy Dëshmitë janë themeli i themeleve, kurse shtyllat e
tjera janë pasuese të tij. Kjo nënkupton se këto katër shtylla, gjithashtu edhe
adhurimet e tjera, nuk bëjnë dobi nëse nuk ndërtohen mbi Dy Dëshmitë.
Dy dëshmitë janë në lidhje të domosdoshme me
njëra-tjetrën; d.m.th. bashkë me dëshminë “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” është e
domosdoshme dëshmia “Muhammedun RasulUll-llâh”.
Dëshmia “Lâ ilâhe
il-lAll-llâh” nënkupton dhe kërkon që të mos adhurohet askush krahas
All-llahut, kurse dëshmia “Muhammedun
RasulUll-llâh” nënkupton që ibadeti (adhurimi) të jetë në pajtim me
udhëzimet që i ka dhënë i Dërguari i All-llahut (ﷺ).
Këto dy baza janë kusht i domosdoshëm për tu pranuar
cilado vepër që e vepron njeriu. Pra, duhet patjetër që adhurimi të
përkushtohet pastër për All-llahun Një dhe duhet patjetër të ndiqet pastër
vetëm shembulli i të Dërguarit (ﷺ).
[Shtylla e dytë: Namazi]
Pas dëshmive, shtylla më e rëndësishme prej pesë
shtyllave është falja e namazit. I Dërguari i All-llahut (ﷺ) e ka quajtur namazin “Shtylla e
Islamit”, siç qëndron në hadithin ku i Dërguari (ﷺ) e këshillon Muadh ibën Xhebelin
– hadithi i njëzetenëntë prej këtyre Dyzet Haditheve. Gjithashtu, i Dërguari (ﷺ) ka njoftuar se namazi është gjëja
e fundit që humb nga feja dhe është vepra e parë për të cilën njeriu do të japë
llogari Ditën e Ringjalljes.[1]
Ka treguar, gjithashtu, se kriteri për dallimin e
muslimanit nga qafiri është namazi.[2]
Kryerja e namazit ka dy mënyra:
– Mënyra e detyrueshme – e cila është kryerja e minimumit
të lëvizjeve të obligueshme në namaz, sa për të hequr përgjegjësinë.
– Mënyra e pëlqyeshme – e cila është: plotësimi dhe
përsosja e namazit, duke kryer edhe gjithçka që është e pëlqyeshme në namaz.
[Shtylla e tretë: Zeqati]
Në Librin e All-llahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të
Tij (ﷺ), zeqati është shoqëruesi i namazit, siç
ka thënë All-llahu (azze ue xhel-le):
“فَإِن
تَابُوا وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ فَخَلُّوا سَبِيلَهُمْ”
“Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin,
atëherë i lini të qetë!” [Et-Teube, 5]
“فَإِن
تَابُوا وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ فَإِخْوَانُكُمْ فِي الدِّينِ”
“Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin
zeqatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe.” [Et-Teubeh, 11]
Dhe ka thënë:
“Dhe nuk qenë urdhëruar (për tjetër qëllim) përveç se ta
adhuronin All-llahun me përkushtim të sinqertë, hunefâ (larg çdo shirku dhe
besimi të kotë), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e
drejtë.” [El-Bejjineh, 5]
Zeqati është një ibadet që lidhet me pasurinë dhe dobia e
tij kalon tek të tjerët. All-llahu e ka bërë zeqatin të detyrueshëm për
pasuritë e të pasurve, në atë mënyrë që i sjell dobi të varfrit dhe nuk e
dëmton të pasurin, sepse zeqati është diçka e paktë që nxirret nga pasuri e
shumtë.
[Shtylla e katërt: Agjërimi i Ramazanit]
Agjërimi i Ramazanit është një ibadet trupor dhe është
diçka sekrete midis robit dhe Zotit të tij, të cilën nuk mund ta vëzhgojë
askush, përveç All-llahut të Lartësuar. Kështu është për arsye se dikush mund
të mos jetë duke agjëruar gjatë muajit Ramazan, ndërsa njerëzit të mendojnë se
është duke agjëruar. Ose mund të jetë duke agjëruar vullnetarisht (jashtë
Ramazanit), ndërsa njerëzit të mendojnë se nuk është duke agjëruar.
Prandaj është thënë në një hadith autentik, se për çdo
vepër të mirë njeriu shpërblehet me dhjetëfish deri në shtatëqindfish, por
All-llahu (azze ue xhel-le) ka thënë:
«إلا الصوم
فإنه لي، وأنا أجزي به»
“Përveç agjërimit, sepse ai më
përket Mua dhe Unë shpërbëj për të!”
– d.m.th. Unë shpërblej për të pa llogari. Edhe pse, në
fakt, të gjitha ibadetet i përkasin All-llahut, siç ka thënë All-llahu i
Madhëruar:
“قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي
وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ (162) لَا شَرِيكَ لَهُ ۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ
الْمُسْلِمِينَ (163)”
“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime
dhe vdekja ime, i përkasin vetëm All-llahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë
ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”.” [El-En’âm, 162-163]
Pra, edhe pse të gjithë ibadetet janë për Zotin, Ai e ka
theksuar veçmas agjërimin në këtë hadith me fjalët: “…sepse
ai më përket Mua…” për shkak të fshehtësisë që e ka ky lloj adhurimi
dhe për shkak se askush nuk mund ta vëzhgojë përveç All-llahut.
[Shtylla e pestë: Haxhi]
Haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të All-llahut është një
ibadet që lidhet me pasurinë dhe me trupin. All-llahu e ka bërë të detyrueshëm
një herë gjatë jetës së njeriut.
Profeti (ﷺ) e ka sqaruar
vlerën e madhe të haxhit në hadithin:
«مَن حجَّ هذا
البيتَ فلَم يرفث ولم يفسق رجع كيوم ولدته أمُّه»
“Ai që e ka kryer haxhin në këtë Shtëpi, nëse (gjatë haxhit) nuk ka bërë
marrëdhënie me gruan dhe nuk ka bërë gjynahe, ai kthehet (në gjendjen) sikur
ditën kur e ka lindur nëna”[3]
Dhe në hadithin tjetër, gjithashtu:
«العمرة إلى
العمرة كفَّارة لِما بينهما، والحجُّ المبرور ليس له جزاء إلاَّ الجنَّة»
“Pasimi i umres me umre i shlyen ato (gjynahe) që janë mes tyre, kurse për
haxhin mebrûr (të kryer mirë, pa kundërvajtje) nuk ka shpërblim tjetër përveç
Xhenetit!”[4]
_____________________________
Burimi: “Fet’hul-Kawijjil-Metîn…” f. 31 – me disa
shkurtime
Autor: Abdul-Muhsin el-Abbâd
Përktheu: Blerand Grubi
Fusnotat: