Hadithi i dytë

Umeri (radijAll-llahu anhu), gjithashtu, ka thënë:

“Përderisa ishim te i Dërguari (ﷺ) një ditë, na u paraqit një njeri me rroba shumë të bardha, me flokë shumë të zinj. Nuk shihej tek ai asnjë shenjë e udhëtarit dhe nuk e njihte asnjë prej nesh.

(Eci) deri sa u ul te Profeti (ﷺ). I drejtoi gjunjët pranë gjunjëve të tij, i vendosi duart mbi kofshët e tij dhe tha: “O Muhammed, më trego për Islamin!”

Profeti (ﷺ) tha:

“Islami është: të dëshmosh se s’ka të adhuruar të drejtë veç All-llahut dhe se Muhamedi është i dërguari i All-llahut, ta kryesh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe, nëse ke mundësi, ta bësh haxhin në Shtëpinë (e Shenjtë).”

Pyetësi tha: “Të vërtetën e the.” – Ndërsa ne u çuditëm: po e pyet dhe po ia vërteton! Pastaj tha: “Tani më trego për Imanin!”

Profeti (ﷺ) tha: “Imani është: të besosh në All-llahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Kaderin (paracaktimin) e së mirës dhe së keqes.”

Pyetësi tha: “Të vërtetën e the!” Pastaj tha: “Po më trego për Ihsanin!”

Profeti (ﷺ) tha: “Ihsani është ta adhurosh All-llahun sikur je duke e parë. Nëse ti nuk je duke e parë, (dije se) Ai të sheh ty. ”

Pyetësi tha: “Tani më trego për Orën (e Fundit)!”

Profeti (ﷺ) tha: “I pyeturi për Orën nuk di më shumë se pyetësi!”

Ai tha: “Atëherë më trego për shenjat e saj!”

Profeti tha: “Kur robëresha ta lindë të zonjën e vet, e kur t’i shohësh këta të zbathur, të paveshur, të varfër e barinj dhensh, duke u shtyrë për ndërtesa më të larta.”

Pastaj u largua. Pasi kaloi një kohë, Profeti (ﷺ) më tha: “O Umer, a e di se kush ishte ky pyetësi?”

I  thashë: “All-llahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri!”

Profeti (ﷺ) tha: “Ky ishte Xhibrili! Erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.”

[Përcjellë nga Muslimi]

Shpjegimi i hadithit

2.1 Ardhja e engjëllit Xhibril
2.2 Çfarë është Islami?
2.3 
Çfarë është Imani?
2.4 
Çfarë është Ihsani?
2.5 Ora e Kiametit

2.1 Ardhja e engjëllit Xhibril

Ky hadith dëshmon se engjëjt u vinë njerëzve në formë të njerëzve. Në Kuran përmenden edhe shembuj të tjerë si ky, siç është ardhja e Xhibrilit tek Merjemja në formën e njeriut dhe ardhja e disa engjëjve tek Ibrahimi dhe Luti në formën e njerëzve.

Nga ardhja e Xhibrilit tek i Dërguari () dhe nga përshkrimi i uljes përpara tij mësohen disa norma morale (pastërtia, modestia…), të cilat duhet t’i respektojnë kërkuesit e dijes përpara mësuesit.

Gjithashtu mësohet se pyetësi nuk e ka patjetër të pyesë vetëm për gjërat që nuk i di, por duhet të pyesë edhe për gjërat që i di, me qëllim që ta dëgjojnë të pranishmit përgjigjen.

Prandaj Profeti (), në fund të hadithit, ia atribuoi mësimdhënien Xhibrilit, duke thënë: “Ky ishte Xhibrili! Erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.” Mësimi në fakt doli nga Profeti (), sepse ai e dha përgjigjen, mirëpo iu atribuua Xhibrilit, sepse ai ishte shkaktari.

2.1 Çfarë është Islami?

I Dërguari (), kur u pyet për Islamin, e shpjegoi atë me gjëra të dukshme, pasi kjo i përshtatet fjalës “islâm”, i cili e ka kuptimin: “Dorëzim dhe nënshtrim ndaj All-llahut”.

Ndërsa Imanin e ka shpjeguar me gjëra të brendshme, sepse kjo i përshtatet fjalës “îmân”, i cili e ka kuptimin: “besim dhe pohim (që sjell pranim dhe nënshtrim)”.

Shtyllat e Islamit

Gjëja e parë, me të cilën është shpjeguar Islami është dëshmia “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” dhe dëshmia “Muhammedun RasûlUll-llâh”.

Këto dy dëshmi janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe janë të detyrueshme për secilin njeri dhe xhind, prej kohës kur është shpallur Mesazhi i të Dërguarit Muhamed () deri kur të ndodhë Ora. Ai që nuk beson në Muhamedin () do të jetë prej banorëve të Zjarrit, sepse Profeti () ka thënë:

والذي نفس محمد بيده، لا يسمع بي أحد من هذه الأمة يهودي، ولا نصراني، ثم يموت ولم يؤمن بالذي أرسلت به، إلا كان من أصحاب النار

“Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Çdonjëri që dëgjon për mua nga ky umet[1], qoftë çifut apo i krishterë, pastaj vdes pa besuar në shpalljen që më ka zbritur, pa dyshim do të jetë prej banorëve të Zjarrit!” [2]

Çfarë do të thotë: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh”?

“Lâ ilâhe il-lAll-llâh” do të thotë: “Nuk ka të adhuruar të drejtë veç All-llahut”, dhe ajo përmban dy shtylla:

1. Mohim i përgjithshëm në fillim
2. Pohim i veçantë në fund.

Në fillim, pra, mohohet e drejta e adhurimit ndaj kujtdo qoftë, krahas All-llahut, ndërsa në fund pohohet e drejta e adhurimit vetëm për All-llahun, i Cili është Një e i pashoq.

Çfarë do të thotë dëshmia “Muhammedun RasûlUll-llâh”?

Kur një njeri dëshmon vërtet se Muhamedi është i dërguar i All-llahut, kjo nënkupton se ai:

[1] e do Muhamedin () më shumë se çdo krijese tjetër;

[2] i bindet atij për çdo gjë që e ka urdhëruar;

[3] i largohet çdo gjëje që e ka ndaluar;

[4] i beson çdo fjale që e ka treguar, pavarësisht a është për të kaluarën, për të ardhmen, apo për diçka që ekziston tani e që nuk shihet dhe nuk perceptohet, dhe

[5] e adhuron All-llahun vetëm në përputhje me të Vërtetën dhe Udhëzimin që e ka sjellë Muhamedi (e jo me rite dhe ibadete të shpikura pas tij).

Domethënë, kryerja e adhurimit pastër për All-llahun dhe ndjekja e udhëzimeve të të Dërguarit () janë kërkesa (bazë) e dëshmisë: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh Muhammedun RasûlUll-llâh”.

Çdo vepër, përmes së cilës njeriu dëshiron t’i afrohet All-llahut, duhet patjetër të jetë e kushtuar pastër për All-llahun dhe të jetë në përputhje me Sunetin e të Dërguarit të All-llahut ().

Nëse nuk i kushtohet pastër All-llahut, vepra refuzohet, sepse All-llahu (azze ue xhel-le) ka thënë:

وَقَدِمْنَا إِلَى مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَنْثُوراً (23)

“Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.”

Njëjtë edhe kur vepra nuk gjendet në Sunetin e të Dërguarit (), ajo i refuzohet, sepse i Dërguari () ka thënë:

من عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو رد

“Kush bën një vepër që nuk e kemi urdhëruar, ajo i refuzohet!” [3]

Për shtyllat e tjera të Islamit: namazin, zekatin, agjërimin dhe haxhin, do të flitet më shumë tek shpjegimi i hadithit të tretë:

“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla)…”

Vijon: 2.3 Çfarë është Imani? 

_________________

Fusnotat:
[1] Me fjalën “umet” këtu nuk është për qëllim “umeti i pranimit”, të cilët e kanë pranuar Islamin, por është për qëllim “umeti i thirrjes”, të cilët duhet t’i përgjigjen thirrjes së Profetit Muhamed (), e ata janë: i gjithë njerëzimi prej kohës së tij, deri në Ditën e Fundit (përkthyesi).
[2] Transmeton Muslimi, 240.
[3] Transmeton Muslimi, 3329.


Burimi: “Fet’hul-Kawijjil-Metin” e dijetarit të nderuar: Abdul-Muhsin el-Abbâd, me pak shkurtim dhe përshtatje.
Përkthimi: Blerand Grubi