Avdesi (el-wudu) është: pastrim i detyrueshëm nga hadethi i vogël si: urina, nevoja e madhe, gazrat, gjumi i thellë dhe ngrënia e mishit të devesë.
Mënyra e marrjes avdes:
1. Të bëjë nijet (ta ketë qëllim) avdesin me zemrën e tij. Nijetin nuk duhet ta shqiptojë, për arsye se Profeti (ﷺ) nuk e ka shqiptuar nijetin, as për avdes, as për namaz dhe as për ndonjë ibadet tjetër. Gjithashtu për arsye se All-llahu e di çfarë ka njeriu në zemër, kështu që nuk ka nevojë ta tregojë.
2. Pastaj thotë: “Bismil-lâh” – (d.m.th. me Emrin e All-llahut filloj).
3. Pastaj i lan pëllëmbët e duarve tri herë.
4. Pastaj e shpëlan gojën dhe e thith ujin me hundë tri herë.
5. Pastaj e lan fytyrën tri herë. Fytyra është prej veshit deri në vesh horizontalisht dhe prej vendit ku fillojnë flokët deri te fundi i mjekrës nga poshtë vertikalisht.
6. Pastaj i lan duart tri herë, nga majat e gishtave deri në bërryl (duke e përfshirë bërrylin). Së pari e lan të djathtën, pastaj të majtën.
7. Pastaj e fshin kokën një herë, në këtë mënyrë: i lag duart, pastaj me to fillon ta fshijë kokën prej pjesës së përparme (mbi ballë) dhe i çon deri në fund prapa, pastaj i kthen duart nga mbrapa – para.
8. Pastaj i fshin veshët një herë, duke e futur gishtin tregues në brendësinë e veshit, kurse me gishtin e madh e fshin anën e pasme të veshit.
9. Pastaj i lan këmbët tri herë, prej majës së gishtave deri te kyçi i këmbës, së pari të djathtën, pastaj të majtën.
Gusli (larja e plotë)
Gusli është: pastrimi i detyrueshëm nga hadethi i madh si: xhunubllëku [1] dhe menstruacionet.
Mënyra e guslit:
1. Të bëjë nijet guslin me zemrën e tij, pa e shqiptuar me gojë.
2. Pastaj thotë: “Bismil-lâh”.
3. Pastaj merr avdes të plotë.
4. Pastaj derdh ujë (me grushte) mbi kokë dhe pasi ta lagë atë, hedh ujë në gjithë kokën tri herë.
5. Pastaj e lan edhe krejt trupin.
Tejemumi
Tejemmum-i është: pastrimi i detyrueshëm me dhe, i cili e zëvendëson avdesin dhe guslin, kur njeriu nuk ka gjetur ujë ose dëmtohet nëse e përdor atë.[2]
Mënyra e tejemumit:
E godet tokën (dheun) e pastër me të dy duart një herë, e fshin me to krejt fytyrën, pastaj i fshin duart me njëra – tjetrën (shpinën e pëllëmbës). [3]