Transmetohet nga “Ebu AbdirRahmân” – Abdullah ibën Mes’ûdi (رضي الله عنه) të ketë thënë:

“I Dërguari i All-llahut () – i cili është “es-sâdik, el-mesdûk” – na ka treguar:

“Çdo njeriu i mblidhet krijimi në mitrën e nënës së vet (duke qëndruar) dyzet ditë si një pikë e lëngshme (nutfeh), pastaj shndërrohet në droçkë gjaku (alekah) për po aq kohë, më pas shndërrohet në një copëz mishi (mudgah) për po aq kohë. Pastaj i dërgohet engjëlli dhe ia fryn shpirtin.

Engjëlli urdhërohet me katër fjalë (të paracaktuara): t’ia shkruajë riskun, jetëgjatësinë, veprat dhe në do të jetë i mjerë apo lumtur (në ahiret).

Betohem për Atë, përveç të Cilit askush nuk meriton të adhurohet, se prej jush ka të atillë që vërtet bën vepra të banorëve të Xhenetit, madje aq sa vetëm një kut e ndan prej Xhenetit, por, ja që ia kalon (e mund e i ndodh) e shkruara; fillon të veprojë vepra të banorëve të Zjarrit dhe, rrjedhimisht, hyn në të. Dhe ka të atillë që bën vepra të banorëve të Zjarrit, derisa të mbetet mes tij dhe Zjarrit vetëm sa një kut, po ja që ia kalon e shkruara; fillon të punojë vepra të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të.”

Transmeton Buhariu dhe Muslimi

Shpjegimi i hadithit

1. Fjala e Ibën Mes’udit (رضي الله عنه): “I Dërguari i All-llahut () – i cili është es-sâdik, el-mesdûk…”

Ibën Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Ai është i sinqerti (es-sâdik) në lajmet që i ka thënë; dhe i besueshmi (el-mesdûk) në lajmet që i janë thënë. Domethënë: as nuk ka gënjyer dhe as nuk është gënjyer, për dallim nga falltarët, pasi ata gënjejnë dhe gënjehen. (Gënjehen) sepse shejtanët, të cilët u hedhin disa fjalë të përgjuara, krahas një të vërtete, i gënjejnë falltarët me njëqind gënjeshtra, por edhe falltarët gënjejnë, gjithashtu.” (Sherh kitâb et-Teuhîd min Sahîh el-Buhari, 479)

2. Fjala e Profetit ():

“Çdo njeriu i mblidhet krijimi në mitrën e nënës së vet…”

Hafidh Ibën Haxheri (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

I mblidhet d.m.th. i bashkohen pjesët e krijimit njëra me tjetrën, pasi ishin të shpërndara.” [Fet’hul-Bârî, 11/479]

Dijetari Abdul-Muhsin el-Abbâd (All-llahu e ruajttë) ka thënë:

“Me fjalën “krijimi i tij” është për qëllim lënda prej së cilës krijohet njeriu, pasi në një hadith, që gjendet te Sahihu i Muslimit (1438), thuhet:

«مَا مِنْ كُلِّ الْمَاءِ يَكُونُ الْوَلَدُ»

“Jo nga e gjithë sperma bëhet fëmija.”

3. Në këtë hadith janë përmendur etapat e krijimit të njeriut, e ato janë:

Së pari: si nutfeh – dhe ajo është një pikë uji.

Së dyti: si alekah – dhe ajo është gjak i mpiksur e i ngurtë.

Së treti: si mudgah – dhe ajo është copëz mishi e vogël, aq sa mund të përtypë njeriu.

Këto të tria, All-llahu i ka përmendur në ajetin:

{يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنْ كُنْتُمْ فِي رَيْبٍ مِنَ الْبَعْثِ فَإِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ تُرَابٍ ثُمَّ مِنْ نُطْفَةٍ ثُمَّ مِنْ عَلَقَةٍ ثُمَّ مِنْ مُضْغَةٍ مُخَلَّقَةٍ وَغَيْرِ مُخَلَّقَةٍ}

“O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, atëherë (mendoni si) Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej një pike fare, pastaj prej një droçke gjaku, pastaj prej një cope mishi, të formësuar ose të paformësuar!” [El-Haxhxh, 5] [Fet’hul-Kawijjil-Metîn, 34]

4. “Pastaj i dërgohet engjëlli dhe ia fryn shpirtin…”

Abdul-Muhsin el-Abbâd ka thënë:

“Në këtë hadith ka argument se pasi të kalojnë këto tri etapa, periudha e të cilave është 120 ditë, atij i fryhet shpirti dhe me këtë bëhet njeri i gjallë.” [Fet’hul-Kawijjil-Metîn, 35]

Ibën Uthejmini thotë:

Shpirti është prej gjërave që nuk shuhen. Prej kur e krijon All-llahu (azze ue xhel-le) shpirtin, ai nuk shuhet. Gjatë vdekjes, ai vetëm del nga trupi, pastaj jeton në mirësi ose dënohet, kurse Ditën e Ringjalljes kthehet në trup. Pra ai është prej krijesave të përjetshme, të cilat All-llahu (azze ue xhel-le) i ka krijuar që të mbesin përgjithmonë. Për këtë arsye, shpirti nuk është prej elementeve të njohura; domethënë, nuk është prej hekuri, as prej druri, as prej balte, por është prej ndonjë elementi, të cilin All-llahu e di më së miri se çfarë është! All-llahu i Lartësuar ka thënë:

وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الرُّوحِ ۖ قُلِ الرُّوحُ مِنْ أَمْرِ رَبِّي وَمَا أُوتِيتُم مِّنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلً

“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni!” [El-Isrâ’, 85]

Prandaj e vëreni që shpirti depërton në trup dhe, pa e ndier njeriu, del prej tij gjatë gjumit dhe, pa ndier asgjë, kthehet gjatë zgjimit…”

Më pas thotë:

“Për këtë arsye, All-llahu (azze ue xhel-le) na e ka prerë arritjen te realiteti i shpirtit, duke thënë:

قُلِ الرُّوحُ مِنْ أَمْرِ رَبِّي وَمَا أُوتِيتُم مِّنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلً

“Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni” [Sherh kitâb et-Teuhid min Sahih el-Buhari, 479]

Abdul-Muhsin el-Abbâd (All-llahu e ruajttë) thotë:

“Nëse fëmija lind i vdekur pas fryrjes së shpirtit, atij i zbatohen dispozitat e lindjes (normale), pra duhet të lahet, i falet namazi i xhenazes, koha e idde-s [2] përfundon, robëresha llogaritet “nënë e fëmijës”[3] dhe nëna llogaritet lehonë. Nëse dështon përpara kësaj (120 dite), atij nuk i vlejnë këto dispozita.” [Fet’hul-Kawijjil-Metîn, f. 35]

5. “Engjëlli urdhërohet me katër fjalë (të paracaktuara): t’ia shkruajë riskun, jetëgjatësinë, veprat dhe në do të jetë i mjerë apo lumtur (në ahiret).”

Dijetari Sâlih el-Feuzân (All-llahu e ruajttë) ka thënë:

“Engjëlli shkruan një shënim të veçantë për këtë fëmijë. Ekziston një tjetër shënim, që është i përgjithshëm për të gjitha krijesat dhe ai gjendet në Leuhi Mahfûdh (Pllakën e Ruajtur). Kurse ky shkrim (në hadith) është i veçantë për secilin fëmijë; ai është i mbartur (i kopjuar) nga Leuhi Mahfûdh dhe nuk është shënim i ri.” [El-Minhatur-Rabbânijjeh, 105]

Ibën Uthejmini thotë:

“Me fjalën risk këtu është për qëllim çdo çështje përmes së cilës përfiton njeriu. Dhe ai është dy llojesh: risku me të cilin mbahet trupi dhe risku me të cilin mbahet feja. Risku i trupit janë: ngrënia, pirja, veshja, vendbanimi, mjeti i transport dhe gjëra të ngjashme, kurse risku i fesë janë: dituria dhe imani. Të dyja llojet janë për qëllim këtu.” [Sherh el-Erbâ’în, 111]

Në një vend tjetër thotë:

“Engjëlli ia shkruan riskun bashkë me shkaqet e riskut; pra e shkruan prej nga i vjen ai; a vjen përmes blerjes, apo trashëgimit, apo dhuratës etj. Ia shkruan exhelin; a do të jetoj gjatë apo shkurt, gjithashtu edhe veprën (bindjet, fjalët, punët) a i ka të mira apo të këqija, si dhe fundin e lumtur ose fundin e mjerë; pra a do jetë i lumtur në botën tjetër apo i mjerë. Që të gjitha këto shkruhen!” [Sherh kitâb et-Teuhîd min Sahîh el-Buhari, 480]

6. Pastaj ka thënë: “Betohem për Atë, përveç të Cilit askush nuk meriton të adhurohet, se…”

Hafidh Ibën Haxheri ka thënë:

“Kjo fjali përmban disa lloje të fjalëve përforcuese: betimin, përshkrimin e Atij në të Cilin betohet, parafjalët “inne” dhe “lâm” (vërtet). Rregulli është që fjala përforcuese të përdoret në rastet kur i drejtohemi dikujt që refuzon, ose dikujt që dyshon se mundet, ose dikujt që neve na duket se refuzon ose dyshon. Te ky hadith, pasi gjykimi duket vështirë i mundshëm – pra ai që krejt jetën ka bërë punë të mira të hyjë në Zjarr dhe e kundërta – i përshtatet që të shtohen shprehjet përforcuese të fjalës. All-llahu e di më së miri.” [Fet’hul-Bârî, 11/487]

7. “…se prej jush ka të atillë që vërtet bën vepra të banorëve të Xhenetit, madje aq sa vetëm një kut e ndan prej Xhenetit, por, ja që ia kalon (e mund e i ndodh) e shkruara; fillon të veprojë vepra të banorëve të Zjarrit dhe, rrjedhimisht, hyn në të.

Dhe ka të atillë që bën vepra të banorëve të Zjarrit, derisa të mbetet mes tij dhe Zjarrit vetëm sa një kut, por ja që ia kalon e shkruara; fillon të bëjë vepra të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të.”

Hâfidh Neveviu (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Me shembullin e “kutit”, në mënyrë të figurshme, ka dashur të thotë që vdekja dhe pas saj hyrja në Xhenet ose Zjarr janë shumë afër dhe se mes tij dhe arritjes në atë vendqëndrim ka mbetur aq pak, si një personi kur i mbet një kut për të arritur te një vend i caktuar në tokë. Qëllimi i këtij hadithi është se kjo mund t’i ndodhë rrallë njerëzve dhe jo se kështu ndodh me shumicën. Pastaj, për shkak të butësisë së All-llahut të Lartësuar dhe mëshirës së Tij të gjerë, përmbysja e gjendjes së njerëzve prej keq në mirë gjendet shumë, kurse përmbysja e tyre prej mirë në keq është shumë e rrallë dhe tepër e paktë. Kjo është si Fjala e All-llahut (në hadith kudsij):

«إِنَّ رَحْمَتِي سَبَقَتْ غَضَبِي »

“Vërtet mëshira Ime ia ka kaluar zemërimit Tim!” [Buhariu, 7422]

Te këta që përmbysen dhe përfundojnë me punë të Zjarrit, hyjnë edhe ata që përfundojnë në mosbesim edhe ata që përfundojnë në gjynahe. Mirëpo dallojnë në çështjen e përjetësisë; mosbesimtari do të qëndrojë përjetësisht në Zjarr, kurse gjynahqari, i cili ka vdekur me Teuhid (nuk ka adhuruar askënd përveç All-llahut), nuk do të dënohet përjetësisht në Zjarr, siç e kemi pohuar më herët.

Ky hadith është argument i qartë për vërtetësinë e Kaderit, argument për faktin se pendimi i shlyen gjynahet e mëparshme, si dhe argument se njeriu gjykohet në bazë të gjendjes në të cilën vdes; qoftë e mirë, qoftë e keqe. Mirëpo, gjynahqarët që s’kanë bërë kufër janë nën dëshirën e All-llahut (nëse do i dënon, nëse do i falë). All-llahu e di më së miri!” [Sherh Sahih Muslim, 16/192]

Hafidh Ibën Haxheri (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Ky hadith është argument për vërtetësinë e ringjalljes pas vdekjes dhe argument se Ai që ka fuqi ta krijojë një person prej një pike të lëngut të shpërfillur, pastaj ta kalojë atë në droçkë gjaku, pastaj në copëz mishi, pastaj t’ia fryjë shpirtin, është i Fuqishëm t’ia fryjë shpirtin edhe pasi të bëhet dhé, si dhe t’ia mbledhë pjesët e trupit pasi të jenë shpërndarë.

Secili që përsiat mbi origjinën e krijimit të vet, se si ka filluar prej një pike fare, pastaj ka kaluar nëpër këto etapa, deri kur është bërë njeri, me pamje të bukur, i dalluar me mendje, me kuptim dhe të folur, e ka për borxh dhe detyrë ta falënderojë Atë që e formoi dhe ia dha konstruktin, ta adhurojë në kuptimin e mirëfilltë të adhurimit, t’i bindet dhe të mos e kundërshtojë!”

Pastaj ka thënë:

“Ky hadith na nxit t’i kërkojmë All-llahut mbrojtje nga përfundimi i keq, siç kanë vepruar një numër i madh i të parëve të këtij Umeti dhe i imamëve të mëvonshëm. Kurse ajo që ka thënë Abdul-Hakk në librin “El-Âkibe”:

“Përfundimi i keq nuk i kap ata që e kanë anën e brendshme (zemrën, nijetin) shëndoshë dhe anën e dukshme të mirëqenë, porse i kap ata që në brendësinë e tyre kanë ndonjë prishje ose dyshim. Dhe më së shumti i kap ata që insistojnë në gjynahet e mëdha dhe ata që guxojnë në gjynahet e rënda. Këtyre iu mësyn vdekja papritmas derisa shejtani i ka mbërthyer krejtësisht gjatë asaj goditje. Kjo mund të jetë arsyeja e përfundimit të keq, All-llahu na ruajttë!”

Këtë që e ka thënë e marrim me kuptimin që kjo është arsyeja për shumicën e rasteve (jo për të gjitha).

Pastaj ka thënë:

“Në këtë hadith ka argument se paracaktimet mundin (realizohen patjetër), kurse përfundimet nuk dihen, prandaj askush nuk duhet të mashtrohet me anën e dukshme të gjendjes. Për këtë arsye është e ligjshme të lutemi për qëndrueshmëri në fe dhe përfundim të mirë.” [Fet’hul-Bârî, 11/488]

________

Përmblodhi dhe përktheu: Blerand Grubi

Fusnotat:
[1] Pjesa e krahut nga bërryli deri te gishtërinjtë; masë gjatësie sa kjo pjesë e krahut (për litarë etj.) – Fjalor.
[2] El-iddeh: periudha e caktuar me Sheriat, të cilën duhet ta presë një grua pas divorcit ose pas humbjes së burrit, për të pasur të drejtën për t’u rimartuar (përkthyesi).

[3] Kur robëresha i lind pronarit të saj fëmijë, quhet “nëna e fëmijës” dhe fiton disa të drejta sheriatike, të cilat janë përmendur në librat e Fikhut. Këto të drejta i fiton edhe nëse ndodh që e aborton fëmijën pas 120 ditëve, d.m.th. pas fryrjes së shpirtit (përkthyesi).