Pyetja: Shkëlqesia Juaj! Në ç’mënyrë dituritë e dynjasë si: matematika, fizika apo kimia, mund të kërkohen ‘fî sebilil-lâh’ (në rrugë të All-llahut)? Hadithet e madhëruara, të cilat nxisin për kërkimin e diturisë, si hadithi: “Kush merr një rrugë për të kërkuar dituri, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën drejt Xhenetit…” a e kanë për qëllim diturinë fetare, apo i përfshin edhe dituritë e dynjasë edhe atë fetare?
Përgjigjja e Imam Ibën Bazit (All-llahu e mëshiroftë):
Ajo që është më e dukshme te tekstet (sheriatike) është se me këto hadithe është për qëllim dituria fetare, si te thënia e Profetit (ﷺ):
من يرد الله به خيرًا يفقهه في الدين
“Atij që All-llahu dëshiron t’i japë mirësi (të madhe), i jep kuptim të thellë të fesë.”
من سلك طريقًا يلتمس فيه علمًا سهل الله له به طريقًا إلى الجنة
“Kush merr një rrugë për të kërkuar dituri, All-llahu, përmes saj, do t’ia lehtësojë rrugën drejt Xhenetit…”
Kur përmendet dituria në tekste në mënyrë të papërcaktuar, është për qëllim dituria fetare, pra dituria mbi Kuranin dhe Sunetin, dituria mbi dispozitat, dituria mbi atë se çfarë ka urdhëruar All-llahu, çfarë ka kërkuar prej robërve me Sheriat, çfarë ka ndaluar etj.
Për sa i përket diturive të dynjasë, nëse ato u sjellin dobi njerëzve, nuk ka gjë të keqe të mësohen. Shkencat e dynjasë, si: mjekësia, matematika e të tjera, nëse njeriu i mëson për dobi personale, ose për t’i bërë dobi njerëzve, nuk kanë gjë të keqe. Pra si çështje mubah (e lejuar).
Kurse mësimi i diturive sheriatike është sunet dhe adhurim që të afron tek All-llahu. Nëse këto dituri lidhen me obligimet, atëherë edhe obligohet mësimi i tyre. Domethënë: tekstet (ajetet dhe hadithet) që nxitin për dituri e kanë për qëllim diturinë fetare. Po.
Përkthimi: Blerand Grubi