Imami Ibnul-Kajjim (All-llahu e mëshiroftë dhe ia ngrittë gradat në Ahiret) ka thënë:

“Profeti (lavdet dhe shpëtimi i All-llahut qofshin për të dhe familjen e tij) ka thënë në një hadith, që e ka transmetuar Tirmidhiu dhe të tjerë, nëpërmjet Enesit (radijAll-llahu anhu):

“مَنْ كانَتِ الآخِرَةُ هَمَّهُ جَعَلَ اللهُ غِنَاهُ فى قَلْبِهِ، وَجَمَعَ لَهُ شَمْلَهُ، وَأَتَتْهُ الدُّنْيَا وَهِىَ رَاغِمَةٌ. وَمَنْ كانَتِ الدُّنْيَا هَمَّهُ جَعَلَ اللهُ فَقْرَهُ بَيْنَ عَيْنَيْهِ، وَفَرَّقَ عَلَيْهِ شَمْلَهُ، وَلَمْ يأْتِهِ مِنَ الدُّنْيا إِلا مَا قُدِّرَ لَهُ”

“Atij, brenga e të cilit është Ahireti, All-llahu ia vendos pasurinë në zemër (d.m.th. e bën të kënaqur dhe të mjaftuar), ia mbledh punët (d.m.th. ia përqendron çështjet e ndara, duke ia lehtësuar sebepet, pa e ndier ai) dhe dynjaja i vjen e nënshtruar (d.m.th. dynjaja, e cila i është caktuar në kader, i vjen pas, e nënshtruar, e përulur, pa pasur nevojë të përpiqet shumë për të, përkundër qejfit të saj dhe qejfit të poseduesve të saj). Kurse atij, brenga e të cilit është dynjaja, All-llahu ia vendos varfërinë përpara syve, ia shpërqendron punët dhe nuk i vjen prej dynjasë, përveç asaj që i është caktuar.”

Prej dënimeve (vuajtjeve) më të rënda në dynja është: shpërqendrimi i çështjeve, përçarja e zemrave dhe vendosja e varfërisë përpara syve të robit, pa iu ndarë. Sikur të mos ishte dehja e të apasionuarve pas dynjasë nga dashuria për të, do të luteshin për ndihmë kundër këtij dënimi – edhe pse shumica e tyre vazhdojnë të rënkojnë e të bërtasin prej tij.

Te Tirmidhiu, gjithashtu, është përcjellë nga Ebu Hurajra (radijAll-llahu anhu) se Profeti () ka thënë:

“يَقُولُ اللهُ تَبَاركَ وَتَعَالَى: ابْنَ آدَم، تَفَرَّغْ لِعبَادَتِى أَمْلأ صَدْرَكَ غِنًى، وَأَسُدَّ فَقْرَكَ، وَإِنْ لا تَفْعَلْ مَلأتُ يَدَيْكَ شُغْلا، وَلَمْ أَسُدَّ فَقْرَكَ”

“All-llahu (tebârake ue te’âlâ) thotë: «O biri i Ademit! Lirohu (nga angazhimet e dynjasë) për të Më adhuruar Mua – Unë do të ta mbush kraharorin me pasuri dhe do t’i mbuloj nevojat e tua! Në qoftë se nuk e bën këtë, do të t’i mbush duart me angazhime dhe nuk do t’i mbuloj nevojat e tua.»”

Edhe ky, gjithashtu, është njëri nga llojet e dënimit dhe vuajtjes: angazhimi i zemrës dhe trupit për t’i përballuar telashet e dynjasë, luftimet e ithtarëve të saj kundër tij dhe vuajtjet nga armiqësitë e tyre. Siç ka thënë njëri prej dijetarëve të parë:

“Kush dashurohet pas dynjasë, le ta përgatisë mirë veten për t’i duruar vështirësitë e saj! I dashuruari pas dynjasë nuk shkëputet dot nga tri gjëra: brenga e pandashme, lodhja e përhershme dhe pikëllimi i pafund. Kjo, sepse i dashuruari pas saj, çdoherë kur fiton diçka prej saj, i lakmon shpirti për diçka më sipër se ajo, siç thuhet në hadithin e saktë të Profetit ():

“لَوْ كَانَ لابْنِ آدَمَ وَادِيَانِ مِنْ مَالٍ لابْتَغَى لهَما ثَالِثا”

“Sikur biri i Ademit të kishte dy lugina me pasuri, do të kërkonte ta bëjë të tretën.”

Isai, biri i Merjemit, alejhis-selâm, e ka krahasuar të dashuruarin pas dynjasë me shembullin e pijanecit, të cilit, sa më shumë pi, aq më shumë i shtohet etja.

Ibën Ebid-Dunjâ ka përmendur se El-Hasen El-Basriu i ka shkruar në letër Umer ibën Abdul-Azizit:

“…Më pas,

Dynjaja është vend udhëtimi (ose vend nisjeje) dhe jo vend qëndrimi. Ademi (alejhis-selâm) ka zbritur në të vetëm si ndëshkim. Kështu që ruaju prej saj, o Prijësi i Besimtarëve! Sepse pajimi me të (d.m.th. pajisja me dynja për udhëtim) është braktisja e saj dhe pasuria në të është mospasja e saj. Ajo, në çdo çast ka viktima. Ajo e poshtëron këdo që e madhëron atë dhe e varfëron këdo që e grumbullon atë. Ajo është njësoj si helmi: e pi ai që nuk e di, por është vdekja e tij. Kështu që bëhu në dynja si ai që i kuron plagët e veta, i cili mban dietë pak, nga frika të mos mbetet në gjendjen e padëshirueshme gjatë dhe e duron hidhësinë e ilaçit, nga frika të mos mbesë i sëmurë gjatë.

Prandaj ruaju nga kjo botë mashtruese e madhe, hileqare e madhe dhe zhgënjyese e madhe. E cila është stolisur me hilet e saj, tundon me joshjen e saj dhe zhgënjen me shpresat e saj.

Ajo është zbukuruar për takimin e saj. Është bërë si nusja kur e zbulon velin; krejt sytë drejt saj shikojnë, zemrat pas saj mahniten, shpirtrat pas saj apasionohen, por ajo është vrasëse e krejt bashkëshortëve të saj.

Kështu, prej të apasionuarve pas saj ka të atillë që ka fituar prej saj nevojën e tij, por është mashtruar, ka shkelur çdo cak dhe e ka harruar ringjalljen. Mendjen e ka angazhuar me të, deri sa ka rrëshqitur prej saj – dhe keqardhja prej saj i është rritur, pikëllimi i është shtuar, agonia e vdekjes me hekën e saj dhe me pikëllimin e shansit të humbur i janë bashkuar.

Ka edhe të apasionuar të atillë që nuk e ka arritur prej saj dëshirën e tij, por ka jetuar me sikletin e tij, ka ikur me hidhërimin e tij, nuk e ka arritur atë që ka kërkuar, nuk i është qetësuar shpirti nga lodhja, ka dalë pa pajisje dhe i ka shkuar mundi huq.

Kështu që, bëhu me dynjanë më i gëzuari që mund të jesh dhe prej saj më i ruajturi që mund të jesh! Sepse njeriu i dynjasë, çdoherë kur te ndonjë gëzim i saj e gjen qetësinë, ajo e zmbraps në mërzi. Komoditeti i saj është lidhur me belanë dhe mbijetesa në të është destinuar drejt shuarjes. Gëzimi i saj është njollosur me pikëllimin, shpresat e saj gënjejnë, dëshirat e saj janë të kota, kthjelltësia e saj është e turbullt dhe jetesa e saj është e hidhur.

Sikur Zoti ynë të mos na njoftonte asgjë për të dhe sikur të mos sillte asnjë shembull për realitetin e saj, ajo vetë do ta zgjonte të përgjumurin dhe do ta kujtonte të shkujdesurin. E çfarë të thuhet kur neve na ka ardhur prej All-llahut një këshillues rreth saj, një qortues kundër saj?

Ajo nuk ka tek All-llahu vlerë dhe as peshë. Nuk e ka shikuar atë (me syrin e vlerësimit) që kur e ka krijuar. Ajo i është ofruar Profetit tonë () me gjithë çelësat dhe thesaret e saj, pa iu cunguar as sa një krah i mushkonjës, por ka refuzuar ta pranojë. Nuk ka dashur që të pëlqejë diçka që nuk e pëlqen Krijuesi i saj, ose ta ngre lart diçka që e ka vënë poshtë Sunduesi i saj.

All-llahu e ka tërhequr atë nga njerëzit e devotshëm, si zgjedhje për ta, kurse ua ka zgjeruar armiqve të Tij, si mashtrim për ta. Dhe ai që është mashtruar pas dynjasë e që i është dhënë mundësia ta posedojë, mendon se është nderuar me të dhe harron çfarë ka vepruar All-llahu (azze ue xhel-le) me të Dërguarin e Tij (), i cili ka lidhur një gurë në bark (nga uria e gjatë)!”

El-Hasen El-Basriu ka thënë gjithashtu:

“Disa njerëz e nderuan dynjanë, por ajo i kryqëzoi në pemë. Prandaj poshtërojeni atë, sepse ajo, më e këndshmja që mund të jetë, është kur e poshtëroni!”

____________________
Përktheu: Blerand Grubi
Igâthetul-Lehfân, 1/36-38.