Cili është obligimi i parë dhe cila është detyra më e rëndësishme e njerëzve?
Obligimi i parë i njerëzve është ta dinë çështjen (arsyen), për të cilën All-llahu i ka krijuar, për të cilën ua ka marrë besën, për të cilën u ka dërguar profetë dhe u ka zbritur Libra. Ta dinë këtë çështje, për të cilën janë krijuar edhe dynjaja dhe ahireti, Xheneti dhe Zjarri. Çështjen për të cilën do të realizohet e Vërteta e pashmangshme (Kiameti); për të cilën do të ngrihen Peshoret dhe do të shpërndahen Fletat (e veprave). Çështjen, prej së cilës varen mjerimi dhe lumturia dhe prej fuqisë së të cilës varet ndarja e dritave (për kalimin e Siratit). “Ai, të cilit All-llahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë (për t’u udhëzuar)”.
Cila është pra kjo çështje madhështore dhe kjo arsye e lartë për të cilën All-llahu i ka krijuar ata?
All-llahu i Lartësuar ka thënë:
{وَمَا خَلَقْنَا السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَا لَاعِبِينَ – مَا خَلَقْنَاهُمَا إِلَّا بِالْحَقِّ وَلَكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَعْلَمُونَ}
“Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për lojë! Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” [ed-Duhan, 38-39]
{وَمَا خَلَقْنَا السَّمَاءَ وَالْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَا بَاطِلًا ذَلِكَ ظَنُّ الَّذِينَ كَفَرُوا}
“Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve”[Sad, 27]
{وَخَلَقَ اللَّهُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ بِالْحَقِّ وَلِتُجْزَى كُلُّ نَفْسٍ بِمَا كَسَبَتْ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ}
“All-llahu i krijoi qiejt dhe Tokën me qëllim (drejtësi dhe urtësi) të plotë, në mënyrë që çdo njeri të jetë i shpërblyer për atë që ka punuar. E, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” [el-Xhathije, 22]
[Domethënë që krijimi i All-llahut ka një qëllim të lartë dhe nuk është i kotë. Dhe ky qëllim është sqaruar te Ajetet në vijim:]
All-llahu ka thënë:
{وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ} الآيات.
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, All-llahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” [edh-Dharijat, 56-58]
[Ky është pra qëllimi pse na ka krijuar Krijuesi Madhështor: ta adhurojmë vetëm All-llahun, t’i nënshtrohemi vetëm Atij me dashuri dhe përulësi, me të gjitha llojet e adhurimeve që i do nga ne. Kjo është arsyeja e krijimit tonë. Kjo është edhe arsyeja e dërgimit të të dërguarve dhe zbritjes së Librave, gjë për të cilën dëshmon i gjithë Kurani. All-llahu ka thënë:
{وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَسُولاً أَنْ اُعْبُدُوا اللَّهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ}
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni All-llahun dhe shmangni tagutin (të adhuruarit e tjerë)!”
All-llahu, në disa ajete dhe në disa sure në Librin e Tij të Shenjtë, ka treguar se të gjithë profetët, Nuhu, Ibrahimi, Musai e kështu me radhë, i janë drejtuar popujve të tyre me të njëjtën porosi:
{يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللَّهَ مَا لَكُمْ مِنْ إِلَهٍ غَيْرُهُ}
“O populli im! Adhuroni All-llahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij!
Për këtë dëshmon edhe Suneti (rruga, veprimtaria) e Profetit Muhamed (ﷺ). Kur ai e ka dërguar Muadhin në Jemen, i ka thënë:
فليكن أول ما تدعوهم إليه أن يوحدوا الله…
“Le të jetë gjëja e parë për të cilën do t’i thërrasësh: ta adhurojnë vetëm All-llahun (pa i shoqëruar askënd)…”
Ky është pra qëllimi i krijimit tonë, për të cilin dëshmojnë Librat dhe biografitë e profetëve dhe për të cilin dëshmon edhe natyrshmëria e njeriut në të cilën i ka krijuar All-llahu;
{فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفاً فِطْرَةَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا لا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لا يَعْلَمُونَ}
“Drejtoje fytyrën (me përkushtim) në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën All-llahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të All-llahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [er-Rum, 30]]
___________________________
Fragment nga libri:
“Flamujt e valëvitur të Sunetit…” e Hafidh Hakemi – me disa komente.
Përgatiti Blerand Grubi