Vlera e fjalës Lâ ilâhe il-lAll-llâh
Kjo fjalë ka vlera madhështore dhe pozitë të lartë tek All-llahu. Personin që e thotë këtë fjalë me sinqeritet, All-llahu do ta shpie në Xhenet, kurse personit që e thotë atë pa sinqeritet (me hipokrizi), kjo fjalë ia kursen jetën dhe ia ruan pasurinë në dynja, ndërsa llogarinë e ka tek All-llahu i Madhëruar.
Lâ ilâhe il-lAll-llâh është e shkurtër për nga fjalët, e pakët për nga shkronjat, e lehtë për gjuhën, por e rëndë në peshore.
I Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka thënë:
((قال موسى عليه السلام: يا رب! علمني شيئاً أذكرك به، أو أدعوك به. فقال: يا موسى! قل لا إله إلا الله. فقال رب: كل عبادك يقول هذا، قال: يا موسى! لو أن السماوات السبع وعامرهن غيري والأرضين السبع وضعن في كفة، ولا إله إلا الله في كفة لمالت بهن لا إله إلا الله))
“Musai ka thënë: “O Zoti im! Ma mëso një fjalë (të veçantë), me të cilën do të Të përmend (lavdëroj) dhe do të Të lutem!”
All-llahu ka thënë: “O Musa, thuaj: Lâ ilâhe il-lAll-llâh!”
Musai ka thënë: “Të gjithë robërit e thonë atë!”
All-llahu ka thënë: “O Musa! Sikur të shtatë qiejt me të gjithë ata që jetojnë në to – përveç Meje – dhe të shtatë tokat të vendoseshin në një krah (të peshores), ndërsa Lâ ilâhe il-lAll-llâh në krahun tjetër, Lâ ilâhe il-lAll-llâh do të rëndojë më shumë se ato.”[1]
Ky hadith tregon se Lâ ilâhe il-lAll-llâh është dhikri më i vlershëm.
Në një hadith tjetër thuhet:
((خَيْرُ الدُّعَاءِ دُعَاءُ يَوْمِ عَرَفَةَ، وَخَيْرُ مَا قُلْتُ أَنَا وَالنَّبِيُّونَ مِنْ قَبْلِي: لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ، لَهُ المُلْكُ وَلَهُ الحَمْدُ وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ))
“Duaja më e mirë është duaja në Ditën e Arafatit, kurse fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe profetët para meje është:
Lâ ilâhe il-lAll-llâhu wahdeHu lâ sherîke leH, leHul-mulku we leHul-hamdu, we Huwe ‘alâ kul-li shej’in kadîr
(Nuk ka të adhuruar tjetër të drejtë përveç All-llahut, i Cili është Një dhe i paortak. I Tij është i gjithë pushteti, Atij i takon e gjithë lavdia dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.)” [2]
Tjetër dëshmi që tregon për rëndësinë e fjalës Lâ ilâhe il-lAll-llâh në peshore është hadithi:
((يصاح برجل من أمتي على رءوس الخلائق يوم القيامة، فينشر له تسع وتسعون سجلا كل سجل مد البصر، ثم يقال له: أتنكر من هذا شيئا؟ فيقول: لا يا رب، فيقول: ألك عذر، أو حسنة؟ فيهاب الرجل، فيقول: لا يا رب، فيقول: بلى إن لك عندنا حسنات، وإنه لا ظلم عليك، فيخرج له بطاقة فيها أشهد أن لا إله إلا الله وأن محمدا عبده ورسوله، فيقول: يا رب ما هذه البطاقة مع هذه السجلات؟ فيقول: إنك لا تظلم، قال: فيوضع السجلات في كفة، والبطاقة في كفة فطاشت السجلات، وثقلت البطاقة))
“Do të thirret me zë një njeri prej Umetit tim përpara të gjithëve Ditën e Ringjalljes dhe do t’ia hapin nëntëdhjetë e nëntë sixhile (regjistra të mëdhenj të veprave), çdo sixhil do të jetë (i madh) sa mund të kap shikimi. Pastaj do t’i thuhet: “A i mohon këto gjëra?”
Ai do të thotë: “Jo, o Zoti im.”
Atij i thuhet: “A ke ndonjë justifikim, ose ndonjë vepër të mirë?”
Nga frikëmadhërimi do të thotë: “Jo, o Zoti im!”
All-llahu do t’i thotë: “Nuk është ashtu. Tek Ne ti ke vepra të mira dhe ndaj teje nuk do të bëhet asnjë padrejtësi!”
Atëherë do t’i nxirret përpara një kartë, në të cilën është (e shkruar): “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç All-llahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij”.
Ai thotë: “O Zoti im! Çfarë është kjo kartë në krahasim me këto regjistrat e mëdhenj?”
All-llahu thotë: “Ty nuk do të të bëhet padrejtësi!”
Atëherë, regjistrat e mëdhenj vendosen në njërin krah, ndërsa në krahun tjetër vendoset karta. Regjistrat ngrihen lart, ndërsa karta rëndon (në peshore).” [3]
Kjo fjalë e madhërishme, Lâ ilâhe il-lAll-llâh, ka shumë veçori dhe vlera. Një numër të madh të tyre i ka përmendur dijetari i shquar Ibën Raxheb në një shkrim të titulluar: “Kelimetul-Ihlâs” dhe për çdo vlerë në veçanti ka sjellë argumente përkatëse.
Prej atyre vlerave janë:
– se Lâ ilâhe il-lAll-llâh është çmimi i Xhenetit;
– se kush e ka atë fjalën e fundit të jetës, hyn në Xhenet;
– ajo është shpëtimi nga Zjarri;
– ajo e sjell faljen;
– ajo është më e mira ndër veprat e mira;
– ajo i fshin gjynahet dhe gabimet;
– ajo e ripërtërin imanin nëse shuhet në zemër;
– ajo rëndon më shumë se regjistrat me gjynahe;
– ajo shqyen çdo pengesë, deri sa të arrijë tek All-llahu;
– ajo është fjala që All-llahu ia vërteton atij që e thotë;
– ajo është fjala më e vlershme që e kanë thënë profetët;
– ajo është dhikri më i mirë, është vepra më e mirë dhe që shumëfishohet më së shumti;
– vlera e (shqiptimit të) saj është sa vlera e lirimit të robërve;
– ajo është strehë e njeriut kundër shejtanit;
– ajo është siguria nga trishtimi (i vetmisë) në varr dhe nga tmerret e hashrit (tubimi për dhënien e llogarisë);
– ajo është motoja e besimtarëve kur të ngrihen nga varret e tyre…
Prej vlerave të fjalës Lâ ilâhe il-lAll-llâh është se ajo ia hapë atij që e thotë të tetë portat e Xhenetit dhe ai futet nga cila të dojë.
Prej vlerave të fjalës Lâ ilâhe il-lAll-llâh është se njerëzit e saj (ata që e kanë thënë, e kanë besuar dhe zbatuar), edhe nëse hyjnë në Zjarr për shkak të disa gjynaheve që e cungojnë hakun e kësaj fjale, ata prapëseprapë kanë për të dalë nga Zjarri (sepse ata që dënohen përjetësisht janë mohuesit dhe idhujtarët).
Këto vlera të fjalës Lâ ilâhe il-lAll-llâh janë veç titujt e vlerave që i ka përmendur Ibën Raxhebi në shkrimin e tij dhe që ka sjellë për secilën prej tyre argumente përkatëse.
Autor: Sâlih el-Feuzân
Përkthimi: Blerand Grubi
Burimi: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh – pozita, vlera, shtyllat, kushtet dhe kuptimi i saj”, f. 15-16.
____________________________________