“Lâ ilâhe il-lAll-llâh” ka dy shtylla. Shtylla e parë është mohimi dhe shtylla e dytë është pohimi.

Me mohimin është për qëllim: mohimi i adhurueshmërisë (të drejtës dhe meritës për t’u adhuruar) së kujtdo qoftë përveç All-llahut.

Kurse me pohimin është për qëllim: pohimi i kësaj të drejte veç për All-llahun. Sepse Ai është i Adhuruari i Vërtetë, kurse çdo i adhuruar tjetër që e adhurojnë idhujtarët, është i kotë!

﴾ذَلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ هُوَ الْحَقُّ وَأَنَّ مَا يَدْعُونَ مِنْ دُونِهِ هُوَ الْبَاطِلُ وَأَنَّ اللَّهَ هُوَ الْعَلِيُّ الْكَبِير ﴿
“Kjo është kështu, sepse All-llahu është El-Hakk (i Vërteti), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërtetë.”[1]

Ibën Kajimi (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Shprehja: “Nuk ka të adhuruar të drejtë veç All-llahut” është më e fuqishme për të pohuar adhurueshmërinë e All-llahun, se sa shprehja: ‘All-llahu është i adhuruar”.[2]

Sepse shprehja: ‘All-llâhu ilâh’ (All-llahu është i adhuruar) nuk ia mohon adhurueshmërinë dikujt tjetër, për dallim nga shprehja: “Lâ ilâhe (s’ka asnjë të adhuruar) il-lAll-llâh (përveç All-llahut)”, e cila e kufizon adhurueshmërinë për Atë dhe e mohon ta ketë dikush tjetër.

Një tjetër gabim trashanik është kur fjalën “ilâh” e shpjegojnë se është: “veç ai që ka fuqi për të shpikur”!

Sulejmân ibën Abdil-lâh, në shpjegimin e ‘Librit të Teuhidit’ ka thënë:

“Nëse dikush thotë: e kuptuam se çfarë do të thotë “ilâh”, mirëpo si është puna me atë që thotë se “ilâh” do të thotë: “i Fuqishëm që të krijojë”, ose fjalë të ngjashme?[3]

Themi: Përgjigjja vjen në dy aspekte:

Aspekti i parë: ky mendim është i shpikur (bidat); asnjë dijetar nuk njihet që e ka shpjeguar ashtu dhe asnjë imam i gjuhës arabe. Shpjegimi i dijetarëve dhe i imamëve të gjuhës është ashtu siç e përmendëm.

Aspekti i dytë: nëse në mënyrë hipotetike e pranojmë shpjegimin e tyre se “ilâh” është ai që ka fuqi të krijojë, atëherë themi: me këtë nuk është për qëllim kuptimi primar i fjalës “ilâh”, por është për qëllim se çfarë është e domosdoshme për të qenë “ilâh” i vërtetë; dhe e domosdoshme është: të jetë i Fuqishëm për të krijuar, se nëse nuk është i tillë, atëherë nuk është “ilâh” i vërtetë, edhe nëse quhet “ilâh”.

Pra, nuk është qëllimi se vetëm me shpjegimin e fjalës “ilâh” si “i Fuqishëm për të krijuar” hyhet në Islam dhe realizohet qëllimi që e ka Çelësi i Botës së Lumturisë[4]! Këtë nuk e thotë askush, sepse do të nënkuptonte se edhe idhujtarët e arabëve kanë qenë muslimanë! Nëse supozojmë se dikush prej të mëvonshmëve e ka pasur për qëllim këtë, ai ka gabuar dhe refuzohet me argumentet e dëgjimit (tekstet sheriatike) dhe gjithashtu me argumente logjike.

Autor: Sâlih elFeuzân
Përkthimi: Blerand Grubi
Burimi: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh – pozita, vlera, shtyllat, kushtet dhe kuptimi i saj”, f. 17-18.

Fusnota:

[1] El-Haxhxh, 62.
[2] Bedâi’ul-Fewâid 3/58.
[3] Fjalë të ngjashme sikur ai që thotë se “ilâh” do të thotë: “zot”, ose “gjykues”… (përkthyesi).
[4] Çelësi i Botës së Lumturisë (d.m.th. Çelësi i Xhenetit) është fjala “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” (përkthyesi).

Koment:

Ky dijetar i shquar e quan gabim të rëndë të thuash se “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” do të thotë: “S’ka krijues tjetër veç All-llahut”, për shkak të hutimit të madh që del nga ky deformim. Sepse idhujtarët e Mekës, të cilët Profeti (ﷺ) i luftoi dhe e pati të lejuar gjakun e tyre në luftë, nuk e mohonin këtë aspekt të Njëshmërisë së Zotit. Këtë na e ka treguar All-llahu, i Cili e di se çfarë besonin me zemër dhe çfarë shqiptonin me gojë. Lexoni me vëmendje:

﴾وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَهُمْ لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ فَأَنَّىٰ يُؤْفَكُونَ﴿

Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, pa dyshim që ata do të thonë: “All-llahu!” Atëherë, përse largohen prej (adhurimit të) Tij?!” [Ez-Zuhruf: 87]

﴾وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَسَخَّرَ الشَّمْسَ وَالْقَمَرَ لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ فَأَنَّىٰ يُؤْفَكُونَ﴿

“Nëse ti (Muhamed) i pyet ata (idhujtarët e Mekës) se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe kush i ka nënshtruar (të rrotullohen) Diellin e Hënën, – pa dyshim që ata do të të thonë “All-llahu!” Atëherë, si po largohen (nga rruga e drejtë)?” [El-Ankebut: 61]

﴾وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّن نَّزَّلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَحْيَا بِهِ الْأَرْضَ مِن بَعْدِ مَوْتِهَا لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ قُلِ الْحَمْدُ لِلَّـهِ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْقِلُونَ﴿

“Nëse ti i pyet ata se kush e zbret ujin nga qielli dhe nëpërmjet tij e gjallëron tokën pas vdekjes së saj, – pa dyshim që ata do të të thonë “All-llahu!” Thuaj: “I lëvduar është All-llahu!” Por, shumica e tyre nuk mendojnë.” [El-Ankebut: 63]

﴾وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ قُلِ الْحَمْدُ لِلَّـهِ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ﴿

Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata (idhujtarë): “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, me siguri që do të të thonë: “All-llahu!”. Atëherë ti thuaju: “I lavdëruar është All-llahu!” Por, shumica e tyre nuk dinë.” [Lukmân: 25]

﴾وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ قُلْ أَفَرَأَيْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ إِنْ أَرَادَنِيَ اللَّـهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ كَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِي بِرَحْمَةٍ هَلْ هُنَّ مُمْسِكَاتُ رَحْمَتِهِ قُلْ حَسْبِيَ اللَّـهُ عَلَيْهِ يَتَوَكَّلُ الْمُتَوَكِّلُونَ﴿

“Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata (idhujtarët e Mekës) se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, sigurisht që do të të thonë: “All-llahu”. Thuaju: “Si mendoni, nëse All-llahu dëshiron të më shkaktojë ndonjë dëm, a mund ta largojnë atë idhujt që ju i adhuroni krahas Tij?! Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?!” Thuaju: “Mua më mjafton All-llahu. Tek Ai le të mbështeten ata që kërkojnë mbështetje” [Ez-Zumer: 38]

﴾وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ خَلَقَهُنَّ الْعَزِيزُ الْعَلِيمُ﴿

“Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?” Ata, me siguri do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi;” [Ez-Zuhruf: 9]

Këto ajete dëshmojnë se idhujtarët kanë besuar se All-llahu është Krijuesi i Vetëm dhe Zoti i Vetëm. Atëherë, ku ishte defekti te ata që nuk arritën të llogariten monoteistë dhe muslimanë? Ishte adhurimi dhe kryerja e ibadeteve për të tjerë, si duaja, kurbani etj.

﴾وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مِنْ دُونِهِ أَوْلِيَاءَ مَا نَعْبُدُهُمْ إِلاَّ لِيُقَرِّبُونَا إِلَى اللَّهِ زُلْفَى﴿

“Kurse ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, thonë: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë tek All-llahu” [ez-Zumer: 3]

Domethënë: …jo se janë zota dhe krijues bashkë me All-llahun. Ishte pikërisht kjo arsyeja pse e mohuan me mendjemadhësi fjalën “Lâ ilâhe il-lAll-llâh” duke thënë:

أَجَعَلَ الآلِهَةَ إِلَهاً وَاحِداً إِنَّ هَذَا لَشَيْءٌ عُجَابٌ﴿

“A i bëri të gjithë ilâhët (të adhuruarit) të jenë një ilâh i Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” [Sâd: 5]

﴾إِنَّهُمْ كَانُوا إِذَا قِيلَ لَهُمْ لا إِلَهَ إِلاَّ اللَّهُ يَسْتَكْبِرُونَ (35) وَيَقُولُونَ أَئِنَّا لَتَارِكُوا آلِهَتِنَا لِشَاعِرٍ مَجْنُونٍ (36﴿

“… kur u thuhej atyre: “Lâ ilâhe il-lAll-llâh!” – ata e refuzonin me mendjemadhësi dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” [es-Sâffât: 35-36]

Ky krim i rëndë ndaj thelbit të Islamit, mjerisht, gjendet edhe te ne. Këtë e kupton nëse pyet shumicën e shqiptarëve se çfarë do të thotë “Lâ ilâhe il-lAll-llâh”? Përgjigjja te shumica e tyre do të jetë: “Nuk ka zot tjetër veç All-llahut”, dhe kjo është pothuajse e njëjtë me ata që kanë thënë: “Nuk ka krijues tjetër veç All-llahut”. Zot tjetër dhe krijues tjetër veç All-llahut nuk ka, mirëpo nuk është ky qëllimi dhe as kuptimi i fjalës “Lâ ilâhe il-lAll-llâh”. Prandaj, siç thonë dijetarët, pasi shumica e muslimanëve dështuan në kuptimin e kësaj Fjale, ata rrjedhimisht, dështuan edhe në zbatimin e saj; ata i përshkruajnë All-llahut ortakë dhe nuk e ndiejnë fare.

Blerand Grubi