Dëshmia “Muhammedun RasûlUll-llâh” do të thotë: ta pohosh me gjuhë dhe ta besosh me zemër se Muhammedi, i biri i Abdullah-ut, Kurashiu, Hashimiu[1], është i Dërguar i All-llahut për gjithë botën – për gjithë njerëzit dhe xhindet.
Siç ka thënë All-llahu i Lartësuar:
قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعاً الَّذِي لَهُ مُلْكُ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضِ لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ يُحْيِ وَيُمِيتُ فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ النَّبِيِّ الأُمِّيِّ الَّذِي يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَكَلِمَاتِهِ وَاتَّبِعُوهُ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ
“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i All-llahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në All-llahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!” [El-A’râf, 158]
Ka thënë gjithashtu:
تَبَارَكَ الَّذِي نَزَّلَ الْفُرْقَانَ عَلَى عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعَالَمِينَ نَذِيراً
“Tebârake (të madhëruara janë Cilësitë e Tij dhe të shumta janë dhuntitë që sjell All-llahu) i Cili i ka zbritur Furkanin (Kuranin) robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.” [El-Furkân, 1.]
Kjo dëshmi, Muhammedun RasûlUll-llâh, kërkon dhe nënkupton që:
– t’i besosh asaj që i Dërguari i All-llahut (ﷺ) e ka thënë dhe lajmëruar;
– ta zbatosh atë që ai e ka urdhëruar dhe t’i largohesh asaj që ai e ka ndaluar dhe qortuar;
– dhe të mos e adhurosh All-llahun ndryshe, përveçse me atë që i Dërguari e ka ligjësuar.
Gjithashtu, kjo dëshmi nënkupton edhe të mos besosh se i Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka ndonjë të drejtë ose hise në zotërimin dhe sistemimin e universit, dhe as se ka ndonjë të drejtë në adhurim. Përkundrazi, duhet të besosh se ai është një “abd” (rob, adhurues), pra që nuk adhurohet, dhe është një i dërguar, që nuk bën të përgënjeshtrohet.
Ai nuk ka në dorë ndonjë mundësi për t’i sjellë dobi ose dëme, as vetvetes as dikujt tjetër, përveç asaj që ia ka mundësuar All-llahu. Siç ka thënë All-llahu i Madhëruar:
قُلْ لا أَقُولُ لَكُمْ عِندِي خَزَائِنُ اللَّهِ وَلا أَعْلَمُ الْغَيْبَ وَلا أَقُولُ لَكُمْ إِنِّي مَلَكٌ إِنْ أَتَّبِعُ إِلاَّ مَا يُوحَى إِلَيَّ
“Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e All-llahut apo se e di gajbin (të fshehtën, të padukshmen) dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet”.” [El-En’âm, 50]
Pra, ai është thjesht një rob, i cili i ndjek urdhrat e Zotit. All-llahu i Lartësuar ka thënë gjithashtu:
قُلْ إِنِّي لا أَمْلِكُ لَكُمْ ضَرّاً وَلا رَشَداً (21) قُلْ إِنِّي لَنْ يُجِيرَنِي مِنْ اللَّهِ أَحَدٌ وَلَنْ أَجِدَ مِنْ دُونِهِ مُلْتَحَداً (22)
“Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”. Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i All-llahut (nëse e kundërshtoj); dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai”.” [El-Xhinn, 21-22]
Gjithashtu ka thënë:
قُلْ لا أَمْلِكُ لِنَفْسِي نَفْعاً وَلا ضَرّاً إِلاَّ مَا شَاءَ اللَّهُ وَلَوْ كُنتُ أَعْلَمُ الْغَيْبَ لاسْتَكْثَرْتُ مِنْ الْخَيْرِ وَمَا مَسَّنِي السُّوءُ إِنْ أَنَا إِلاَّ نَذِيرٌ وَبَشِيرٌ لِقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ
“Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron All-llahu. Sikur ta dija gajbin (të fshehtën), do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”.” [El-A’râf, 188]
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: “Fikhul-ibâdât” f. 30-31.
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnota:
[1] Kurashiu: nga fisi Kurajsh, pasardhës të Ibrahimit nga biri i tij, Ismaili;
Hâshimiu: d.m.th. pasardhës i Hâshim ibën AbdulMenâfit, stërgjyshi i Muhammedit ﷺ (përkthyesi).