Adhurimi (ibadeti) ka shumë
lloje, sepse ai është: “emër përmbledhës për çdo gjë që All-llahu e do dhe është i Kënaqur me
të, qoftë fjalë ose vepër, qoftë e brendshme ose e jashtme”.
Kështu që, namazi, zekati,
agjërimi dhe haxhi janë prej llojeve më të mëdha të adhurimit dhe janë shtyllat
e Islamit.
Gjithashtu, prej llojeve të
adhurimit janë edhe vetitë e lavdërueshme dhe moralet
e larta, si: të folurit e sinqertë, kryerja e amanetit dhe
përgjegjësisë, bindja dhe mirësjellja ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve
farefisnore, mbajtja e fjalës dhe marrëveshjes, këshillimi, urdhërimi i të
mirës, ndalimi i të keqes, xhihadi, bamirësia ndaj fqinjit, ndaj jetimit, ndaj
të varfrit dhe ndaj atij që e ke nën pushtet prej njerëzve ose kafshëve, duaja,
dhikri (përmendja dhe lavdërimi i Zotit), leximi i Kuranit. Gjithashtu veprat e
zemrës, si: dashuria për All-llahut dhe të dërguarin e Tij, frikë-përulja për
All-llahun, kthimi tek Ai me pendim, përkushtimi i pastër i fesë ndaj Tij,
durimi në vendimet e Tij, falënderimi i dhuntive të Tij, të qenët i kënaqur me
caktimin e Tij, mbështetja tek Ai, shpresa në mëshirën e Tij, frika nga dënimi
i Tij… Domethënë, e gjithë feja futet tek çështja e adhurimit.
Më e madhja ndër këto lloje të
adhurimit është: kryerja e adhurimit të cilin All-llahu e ka bërë obligim dhe
largimi nga gjërat që All-llahu i ka bërë haram.
Profeti (ﷺ) ka përcjellë nga Zoti i tij se Ai ka thënë:
“وما تَقَرَّبَ إليَّ عبدي بمثلِ أداءِ ما افترضتُه عليه“.
“Robi Im nuk mund të Më
afrohet Mua me asnjë vepër ashtu si Më afrohet me kryerjen e asaj që ia kam
bërë obligim!”
Pra vepra më e mirë
është: kryerja e obligimeve. Kështu ka thënë edhe Prijësi i Besimtarëve
Umer ibnul-Hattâb (ﷺ):
“Vepra më e mirë është: ta kryesh atë që e
ka obliguar All-llahu, të ruhesh nga ajo që e ka ndaluar All-llahu dhe ta
kërkosh (shpresosh) sinqerisht atë që gjendet tek All-llahu!”
Kjo është kështu, sepse
All-llahu i Lartësuar ia detyroi ato obligime robit vetëm që ato ta afrojnë tek
Ai dhe ta tërheqin kënaqësinë dhe mëshirën e Tij për robin.
Kurse vepra më e madhe
prej veprave të trupit, të cilat e afrojnë njeriun me All-llahun, është: namazi.
Siç ka thënë All-llahu i Madhëruar:
وَاسْجُدْ وَاقْتَرِبْ
“bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!”
[el-‘Alek, 99]
Ndërsa Profeti (ﷺ) ka thënë:
أقربُ ما
يكونُ العبد من ربِّه وهو ساجدٌ
“Më së afërmi që mund të jetë
robi me Zotin e vetë është: kur është në sexhde!” [Muslimi, 773]
Gjithashtu ka thënë:
إذا كانَ
أحدُكم يُصَلِّي فإنَّما يُناجي ربَّه
“Kur dikush prej jush falet,
ai në fakt bisedon me Zotin e tij!” [Buhariu: 399 dhe Muslimi: 888]
Mirëpo, sot, pesha e këtij
namazi te shumë njerëz ka rënë, siç ka thënë i Lartësuari:
فَخَلَفَ مِن بَعْدِهِمْ خَلْفٌ أَضَاعُوا
الصَّلَاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَوَاتِ فَسَوْفَ يَلْقَوْنَ غَيّاً * إِلَّا مَن
تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحاً
“Pas atyre erdhën brezni, që e
braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin
e madh, përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë.” [Merjem, 59-60]
Dhe ajo që të çudit është
fakti se disa njerëz kryejnë disa vepra vullnetare (që s’janë obligim) ose
shumë vepra vullnetare, kurse namazin e braktisin!
Disa i sheh që e kryejnë
haxhin dhe umrën, kurse namazin e braktisin!
Disa japin shumë sadaka dhe
lëmoshë, kurse zekatin e obliguar nuk e kryejnë!
Disa mbajnë sjellje të
shkëlqyera me njerëzit, kurse prindërit nuk i respektojnë, i këpusin lidhjet
familjare, mbajnë sjellje të ulët me gruan dhe fëmijët…
…
Adhurimi nuk është i kufizuar
me kufij të ngushtë,
përkundrazi ai përfshin çdo fjalë, çdo vepër dhe çdo synim, që All-llahu e ka
kërkuar me ligj. Adhurimi përfshin, pra, fjalët e gjuhës, lëvizjet e gjymtyrëve
dhe synimet e zemrës. E përfshin krejt jetën e muslimanit. Madje edhe ngrënien,
pirjen dhe gjumin e tij, nëse me to e ka nijet (synon) përforcimin e trupit që
t’i kryejë veprat e mira. Bile bile, adhurimi i përfshin edhe marrëdhëniet e
njeriut me gruan e tij, nëse me të e bën nijet mbrojtjen e nderit nga harami;
siç ka thënë Profeti (ﷺ):
إنَّ بكُلِّ تسبيحةٍ صدقةً، وكلِّ تكبيرة
صدقةً، وكلِّ تحميدة صدقةً، وكلِّ تهليلة صدقةً، وأمرٍ بمعروف صدقةً ونهي عن منكر
صدقةً، وفي بُضْعِ أحدكم صدقةً
“Vërtet, për ju në çdo tesbih
(të thuash subhanAll-llah) ka sadaka (shpërblim), në çdo tekbir (All-llahu
Ekber) ka sadaka, në çdo tehmid (elhamdu lil-lah) ka sadaka, në çdo tehlil (la
ilahe il-lAl-llah) ka sadaka, në çdo urdhërim të së mirës ka sadaka, në çdo
ndalim të së keqes ka sadaka dhe në marrëdhëniet e dikujt (me gruan) ka
sadaka!”
(Sahabët) kanë thënë: “O i
Dërguari i All-llahut! A edhe kur ndonjëri prej nesh e kënaq epshin e vet,
paska për të shpërblim?” I Dërguari (ﷺ) ka thënë:
أرأيتُم لو وَضَعَها في حرامٍ أكانَ عليه
وِزْرٌ؟ فكذلك إذَا وَضَعَهَا في الحلالِ كان له أجرٌ
“Si mendoni nëse ai e kryen
atë në haram, a nuk do të ketë për të gjynah? E pra, edhe kur e kryen (epshin)
në hallall, do të ketë për të shpërblim”. [Muslimi, 1736]
Gjithashtu, në hadithin që e
përcjell Ebu Hurajra (radijAll-llahu anhu), Profeti (ﷺ) ka thënë:
كلُّ يوم تطلُعُ فيه الشمسُ تعدِلُ بينَ
اثنين صدقةٌ، وتُعينُ الرجلَ في دابتهِ فتحملُه عليها أو ترفَعُ له عليها متاعَه
صدقةٌ، والكلمةُ الطيبة صدقةٌ، وبكل خطوةٍ تَمشيها إلى الصلاة صدقةٌ، وتُميط الأذى
عن الطريقِ صدقةٌ
“Çdo ditë, në të cilën lind
dielli, nëse ti i pajton (me drejtësi) dy persona, ke sadaka (shpërblim), nëse
e ndihmon dikë për të hipur mbi kafshën (mjetin e transportit) të tij ose ia
ngrit bagazhin sipër kafshës, ke sadaka, fjala e bukur është sadaka, për çdo
hap që e hedh drejt faljes (në xhami) ke sadaka, nëse largon ndonjë pengesë nga
rruga, ke sadaka.”.
[Buhariu: 2848 dhe Muslimi, 1739]
__________
Autor: Sâlih el-Feuzân
Burimi: Dawâbit el-Ibâdeh es-Sahiha.
Përktheu: Blerand Grubi.