Cila është metoda sheriatike për ta vërtetuar hyrjen e muajit (hënor)? A lejohet të mbështetemi në llogaritjet e observatorëve astronomikë për fillimin dhe mbarimin e muajit? Dhe a i lejohet muslimanit që të përdorë dylbitë për të shikuar Hënën e Re?
Rruga sheriatike për ta vërtetuar hyrjen e muajit është: dalja e njerëzve për ta vrojtuar Hënën e Re.
Kjo duhet të bëhet nga njerëz që u besojmë në fetari dhe në fuqinë e shikimit. Nëse ata e shohin atë, ata obligohen të punojnë me atë shikim; domethënë, të agjërojnë kur bëhet fjalë për Hënën e Re të Ramazanit dhe ta ndërpresin agjërimin kur bëhet fjalë për Hënën e Re të muajit shevval.
Nuk lejohet të mbështetemi në parallogaritjet e observatorëve astronomikë nëse nuk shihet Hëna. Por nëse shihet, qoftë edhe përmes vrojtuesve astronomikë, atëherë kjo merret parasysh, për shkak të fjalës së përgjithshme të Profetit (ﷺ):
«إذا رأيتموه فصوموا، وإذا رأيتموه فأفطروا».
“Kur ta shihni atë (Hënën e Re), agjëroni, dhe kur ta shihni atë, ndërpriteni (agjërimin)!” [1]
Por, nëse janë vetëm parallogaritje (pa shikim), atëherë nuk lejohet të punohet me to e as të mbështetemi në to.
Sa i përket përdorimit të dylbive / teleskopit – si një aparat vrojtues dhe afrues – për vrojtimin e Hënës, nuk ka ndonjë të keqe këtu. Mirëpo, kjo nuk është e obligueshme, sepse, ajo që dihet nga Suneti është bazimi në shikimin e zakonshëm, e jo në shikimet e tjera. Mirëpo, nëse dikush i besueshëm e përdor atë dhe e sheh Hënën e Re, atëherë duhet të punohet me atë shikim.
Edhe në të kaluarën njerëzit e kanë përdorur atë, kur hipnin në minare natën e tridhjetë të muajit sha’ban ose natën e tridhjetë të muajit ramazan për ta vrojtuar Hënën e Re nëpërmjet këtij aparati shikues.
Sido që të jetë, në atë moment që vërtetohet shikimi (i Hënës së Re), me çfarëdolloj mënyre qoftë, obligohemi të punojmë sipas atij shikimi, për shkak se fjala e Profetit (ﷺ) është e përgjithshme:
«إذا رأيتموه فصوموا، وإذا رأيتموه فأفطروا».
“Kur ta shihni atë, agjëroni, dhe kur ta shihni atë, ndërpriteni (agjërimin)!”
__________
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: 48 pyetje për agjërimin
Përkthimi: Blerand Grubi