A obligohen të gjithë muslimanët, në të gjitha vendet, që të agjërojnë në bazë të një shikimi të vetëm? Dhe si të agjërojnë muslimanët në disa vende të jobesimtarëve ku nuk ka shikim sheriatik të Hënës?
Dijetarët kanë divergjenca në lidhje me këtë çështje. Domethënë: nëse shihet Hëna e Re në një prej vendeve të muslimanëve dhe vërtetohet në aspektin sheriatik shikimi i saj, a obligohen të gjithë muslimanët që të punojnë sipas këtij shikimi?
Disa prej dijetarëve kanë thënë se obligohen të punojnë sipas këtij shikimi dhe mendimin e tyre e kanë argumentuar me kuptimin e përgjithshëm të ajetit:
فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمْ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ وَمَنْ كَانَ مَرِيضاً أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
“Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” [1],
Si dhe me fjalën e Profetit (ﷺ): “Kur ta shihni atë, agjëroni…”
Këta dijetarë kanë thanë: Mesazhi është i përgjithshëm për të gjithë muslimanët. Dhe nga ajo që dihet, nuk është për qëllim që secili njeri individualisht ta shohë Hënën, për shkak se kjo është e pamundur. Por, ajo që është për qëllim këtu është: kur ta shohë (Hënën e Re) ai njeri, me shikimin e të cilit vërtetohet hyrja e muajit. Kjo është e përgjithshme (dhe përfshinë) të gjitha vendet.
Disa dijetarë të tjerë kanë mendimin që, në qoftë se fazat hënore dallojnë (nga vendi në vend), atëherë, secili vend punon sipas shikimit të tij.
E në qoftë se fazat hënore nuk dallojnë (d.m.th.: atyre vendeve, trajtat e Hënës iu paraqiten njësoj), atëherë, me shikimin e Hënës në njërën prej vendeve, obligohen të punojnë edhe ata që nuk e kanë parë në vendet tjera.
Edhe këta dijetarë u argumentuan me të njëjtat argumente si ata të mendimit të parë dhe thanë:
All-llahu i Lartësuar thotë:
فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمْ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë.”[2]
Dhe ashtu siç dihet, s’është për qëllim që çdo njeri në mënyrë individuale ta shohë Hënën. Që do të thotë se, në bazë të atij shikimi punon vendi prej të cilit është parë Hëna si dhe vendet e tjera që kanë faza të përbashkët hënore. Ndërsa vendet që nuk përputhen me ta në fazat hënore, i bie që ata nuk e kanë parë Hënën as në realitet e as sipas gjykimit. [3]
Pastaj, (këta dijetarë) thonë: Ne themi gjithashtu për fjalën e Profetit (ﷺ):
«إذا رأيتموه فصوموا، وإذا رأيتموه فأفطروا».
“Kur ta shihni atë (Hënën e Re), agjëroni, dhe kur ta shihni atë, ndërpriteni (agjërimin)! [4]
Themi: Kush jeton në një vend që nuk përputhet në faza me vendin ku është parë Hëna, atëherë, ai nuk e ka parë Hënën as në realitet e as në parim.
Gjithashtu thonë: përcaktimi kohor i muajit është si përcaktimi kohor i ditës. Domethënë, shtetet ashtu siç dallojnë mes vete në imsakun e iftarin ditor, ashtu duhet të dallojnë edhe në imsakun dhe iftarin mujor.
Dhe, siç dihet me pajtueshmërinë e muslimanëve, kjo diferencë brenda një dite ka efektet e veta, në atë mënyrë që, banorët e Lindjes e kanë imsakun përpara atyre të Perëndimit, si dhe iftarin, gjithashtu, e bëjnë përpara tyre. Andaj, nëse gjykojmë se fazat ndryshojnë gjatë orarit ditor, atëherë, plotësisht e njëjta ndodh edhe me orarin mujor.
Nuk mundet që dikush të thotë te Fjala e të Lartësuarit:
فَالآنَ بَاشِرُوهُنَّ وَابْتَغُوا مَا كَتَبَ اللَّهُ لَكُمْ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَكُمْ الْخَيْطُ الأَبْيَضُ مِنْ الْخَيْطِ الأَسْوَدِ مِنْ الْفَجْرِ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْلِ
“Ndërsa tani, ju lejohet bashkimi me to (bashkëshortet tuaja) dhe kërkoni atë që ka caktuar All-llahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë e agimit nga fija e zezë (lindja e agimit në horizont), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” [5]
– dhe as të fjala e të Dërguarit (ﷺ):
«إذا أقبل الليل من هاهنا، وأدبر النهار من هاهنا، وغربت الشمس فقد أفطر الصائم».
“Kur të vijë nata prej këtej, e të shkojë dita prej këtej, e të perëndojë Dielli, atëherë agjëruesi e çel iftarin.” [6]
– nuk mund që dikush të thotë se këto dy argumente përfshijnë (i detyrojnë të punojnë me një agim dhe një perëndim) të gjithë muslimanët, në të gjitha vendet. Kështu, të njëjtën e themi edhe për kuptimin e përgjithshëm të ajetit:
فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمْ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë.” [7]
Edhe për fjalën e të Dërguarit (ﷺ):
«إذا رأيتموه فصوموا، وإذا رأيتموه فأفطروا».
“Kur ta shihni atë, agjëroni, dhe kur ta shihni atë, ndërpriteni (agjërimin)!” [8]
Ky mendim, siç e shikon, ka fuqinë e vet me të cilën i përshtatet tekstit, logjikës së shëndoshë si dhe krahasimit të drejtë: krahasimit të përcaktimit kohor mujor me atë ditor.
Disa dijetarë kanë mendimin se kjo çështje është e lidhur me prijësin. D.m.th. atëherë kur ai e konstaton obligueshmërinë e agjërimit apo të ndërprerjes, ai e vepron të duhurën, duke u bazuar për këtë mbi baza sheriatike. Kjo, me qëllim që të mos kundërshtohen njerëzit që janë brenda një vendi dhe të mos përçahen. Këta dijetarë u argumentuan me përgjithësinë e hadithit:
«الصوم يوم يصوم الناس، والفطر يوم يفطر الناس».
“Agjërimi është atë ditë kur njerëzit agjërojnë dhe ndërprerja është atë ditë kur njerëzit e ndërpresin (agjërimin).” [9]
Ekzistojnë edhe mendime të tjera, të cilat i kanë përmendur dijetarët që kanë përcjellë divergjencat në këtë çështje.
Ndërsa, për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, ku thotë: “Si agjërojnë muslimanët në vendet e jobesimtarëve ku nuk ka shikim sheriatik të Hënës?”, themi se ata kanë mundësi ta vërtetojnë paraqitjen e Hënës së Re sipas metodës sheriatike, e ajo është që ta vrojtojnë atë, nëse kanë mundësi.
Nëse nuk kanë mundësi ta vrojtojnë Hënën, atëherë, nëse ecim sipas mendimit të parë në këtë çështje do të themi: në ato momente që vërtetohet paraqitja e Hënës së re në një vend islam, këta duhet të punojnë sipas atij shikimi, pavarësisht a e kanë parë atë apo jo.
Por, nëse ecim sipas mendimit të dytë, i cili thotë se secili vend ka llogari të veten nëse fazat e Hënës ndryshojnë, atëherë, nëse këta njerëz (që jetojnë në vendet e jobesimtarëve) nuk mund ta vërtetojnë shikimin në vendin ku jetojnë, ata duhet të punojnë sipas vendit islam më të afërt, pasi që kjo është maksimumi që mund të bëjnë.
_____________
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: 48 pyetje për agjërimin
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnota:
[1] el-Bekarah: 185.
[2] el-Bekarah: 185.
[3] “Në realitet” – d.m.th. me sy. Ndërsa “sipas gjykimit” – d.m.th. vendi i tij nuk e merr gjykimin e vendit ku është parë Hëna, sepse fazat e hënës nuk i kanë të njëjta (përkthyesi).
[5] el-Bekarah: 187.
[6] E transmetoi Buhariu: 1954 dhe Muslimi: 2526.
[7] el-Bekarah: 185.
[9] E transmetoi Tirmidhiu: 697 dhe Shejh Albani ka thënë: “sahih”.