Dobitë nga klasifikimi i ajeteve në mekase dhe medinase
Dallimi i ajeteve mekase dhe medinase përbën një kapitull të rëndësishëm në shkencat e Kuranit. Kjo, për shkak të disa fryteve dhe dobive që ka, prej të cilave:
1. Shfaqet retorika dhe elokuenca e Kuranit, e cila është në shkallën më të lartë. Ai i drejtohet secilës kategori të njerëzve me mënyrën që përkon me gjendjen e tyre; me stil të fortë dhe të ashpër ose të butë e të lehtë.
2. Shfaqet urtësia e Sheriatit, i cili mban synimet më të larta të urtësisë. Sepse ai përshkallëzohet dalëngadalë në vendosjen e ligjeve, duke u nisur nga më e rëndësishmja, varësisht prej nevojës së njerëzve që u drejtohen ligjet dhe varësisht se sa janë të përgatitur për pranim dhe zbatim.
3. Në dallimin e ajeteve mekase dhe medinase ka një edukim dhe një udhëzim për thirrësit që thërrasin drejt All-llahut, që t’i ndjekin metodat stilistike dhe tematike të cilat i ka ndjekur Kurani në raport me ata që u drejtohet, duke filluar me më të rëndësishmen pastaj të rëndësishmen, dhe duke e përdorur ashpërsinë në vendin e saj dhe butësinë në vendin e saj.
4. Dallohet ajeti shfuqizues dhe ajeti i shfuqizuar, në rastet kur kemi një ajet mekas dhe një medinas dhe mes tyre përmbushen kushtet e shfuqizimit. Në rast të tillë, ajeti medinas e shfuqizon atë mekas, sepse ajeti medinas është më i vonshëm.
_________________
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: “Usûl fit-tefsîr”, f. 22
Përkthimi: Blerand Grubi