Me klasifikimin e ajeteve në mekase dhe medinase bëhet e qartë se Kurani i ka zbritur Profetit (ﷺ) pjesë – pjesë. Dhe në zbritjen e tij në këtë mënyrë ka shumë urtësi, prej të cilave janë:
Urtësia e parë: Forcimi i zemrës së Profetit (ﷺ), sepse All-llahu i Lartësuar ka thënë:
(وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْلا نُزِّلَ عَلَيْهِ الْقُرْآنُ جُمْلَةً وَاحِدَةً كَذَلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ وَرَتَّلْنَاهُ تَرْتِيلاً (32) وَلا يَأْتُونَكَ بِمَثَلٍ إِلاَّ جِئْنَاكَ بِالْحَقِّ وَأَحْسَنَ تَفْسِيراً (33
“Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu (d.m.th. pjesë-pjesë) për të forcuar zemrën tënde[1] dhe ta kemi shkoqitur me kujdes (gradualisht). Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti (për t’i shmangur njerëzit nga rruga e All-llahut), Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.” [el-Furkân, 32-33]
Urtësia e dytë: Që njerëzit ta kenë më të lehtë ta mësojnë përmendësh, ta kuptojnë dhe ta zbatojnë, duke ua lexuar atyre pak nga pak. Argument është Fjala e All-llahut të Lartësuar:
وَقُرْآناً فَرَقْنَاهُ لِتَقْرَأَهُ عَلَى النَّاسِ عَلَى مُكْثٍ وَنَزَّلْنَاهُ تَنزِيلاً
“Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë (shkoqitur) pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e zbritur atë kohë pas kohe.” [el-Isrâ’, 106]
Urtësia e tretë: Ngjallja e interesimit për ta pranuar atë që zbriste në Kuran dhe për ta zbatuar. Sepse me zbritjen e Kuranit ajet pas ajeti, njerëzve u ngjallej një dëshirë e fortë dhe një mall për shpalljen, sidomos kur ashpërsohej nevoja për të. Siç ka qenë rasti me ajetet që sqaruan shpifjen (ndaj Aishes radijAll-llahu anhâ) ose ajetet rreth mallkimit të bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit (kur njëri e akuzoi gruan për imoralitet).
Urtësia e katërt: Përshkallëzimi gjatë vendosjes së ligjeve, derisa të arrijë në shkallën e përsosurisë. Si rasti me ajetet që flasin për verën (pijet alkoolike), me të cilën ishin rritur njerëzit dhe ishin mësuar, dhe e cila do të ishte një sfidë e vështirë për ta nëse ndalohej kategorikisht që në fillim. Prandaj, për çështjen e alkoolit së pari ka zbritur ajeti:
يَسْأَلُونَكَ عَنْ الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ قُلْ فِيهِمَا إِثْمٌ كَبِيرٌ وَمَنَافِعُ لِلنَّاسِ وَإِثْمُهُمَا أَكْبَرُ مِنْ نَفْعِهِمَا
“Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”.” [El-Bekara, 219]
Në këtë ajet ka pasur përgatitje për zemrat e tyre, që ta pranojnë ndalesën (që do vijë më pas), sepse logjika nuk lë që të praktikohet një gjë, gjynahu (dëmi) i të cilit është më i madh se dobia.
Pastaj, së dyti, zbritën Fjalët e All-llahut:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَقْرَبُوا الصَّلاةَ وَأَنْتُمْ سُكَارَى حَتَّى تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ
“O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni…” [En-Nisâ’, 43]
Dhe ky ajet ishte një stërvitje për ta lënë atë në disa periudha të caktuara, e ato ishin periudhat e namazeve.
Pastaj, së treti, zbritën Fjalët e të Lartësuarit:
(يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالأَنصَابُ وَالأَزْلامُ رِجْسٌ مِنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ (90
(إِنَّمَا يُرِيدُ الشَّيْطَانُ أَنْ يُوقِعَ بَيْنَكُمْ الْعَدَاوَةَ وَالْبَغْضَاءَ فِي الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ وَيَصُدَّكُمْ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَعَنْ الصَّلاةِ فَهَلْ أَنْتُمْ مُنتَهُونَ (91
(92) وَأَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَاحْذَرُوا فَإِنْ تَوَلَّيْتُمْ فَاعْلَمُوا أَنَّمَا عَلَى رَسُولِنَا الْبَلاغُ الْمُبين
90. O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, altarët (idhujt) dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!
91. Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e All-llahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?
92. Bindjuni All-llahut dhe bindjuni të Dërguarit! Kujdes! Nëse nuk ia vini veshin, ta dini se i Dërguari ka për detyrë vetëm të përçojë shpalljen e qartë! [El-Mâide, 90-92]
Ndalesa që zbriti në këto ajete ishte ndalesë e prerë, për çdo kohë, pasi u përgatitën zemrat dhe pasi u stërvitën me ndalesën e pjesshme për disa kohëra.
_________________
Autor: Ibën Uthejmin
“Usûl fit-tefsîr”, f. 22-23
Përkthimi: Blerand Grubi
_______________
[1] “…për ta forcuar zemrën tënde” – ngase çdo herë kur i zbriste diçka nga Kurani, i shtohej qetësia dhe vendosmëria, sidomos kur ndodhnin shkaqet për brengosje. Sepse zbritja e Kuranit kur të ndodh një sebep ka një ndikim dhe forcim të madh, më të fuqishëm se sa po të kishte zbritur (i tëri) paraprakisht dhe të citohej kur të shfaqet sebepi.” – Tefsiri i Sa’dit (sh.p.)