Fjala tefsir gjuhësisht vjen nga fjala الفَسْر (el-fesr) që do të thotë: zbulimi i së mbuluarës.
Ndërsa në terminologji, tefsiri është: “Shpjegimi i kuptimeve të Kuranit të Madhëruar”.
Mësimi i tefsirit është uaxhib (obligim). Argument (i parë) për këtë është Fjala e All-llahut të Lartësuar:
كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ إِلَيْكَ مُبَارَكٌ لِيَدَّبَّرُوا آيَاتِهِ وَلِيَتَذَكَّرَ أُوْلُوا الأَلْبَابِ (29)
“Ky është një Libër, plot begati e mirësi, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), që ata të mendojnë thellë mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” [Sâd, 29]
Dhe (argument i dytë janë) Fjalët e Tij:
أَفَلا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَى قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا (24)
“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin? – Përkundrazi, zemrat e tyre janë të kyçura!” [Muhammed, 24]
Cili është aspekti i argumentimit me ajetin e parë (që mësimi i tefsirit është obligim)?
Është se All-llahu ka sqaruar që urtësia e zbritjes së këtij Kurani të begatshëm është për të medituar rreth ajeteve të tij dhe për t’u këshilluar dhe udhëzuar me të. Me meditim është për qëllim të menduarit thellë mbi fjalët, që të arrihet te domethënia.
Dhe nëse nuk ka meditim, humb urtësia e zbritjes së Kuranit dhe shndërrohet në një tekst të zbrazët, që s’ka kurrfarë ndikimi. Gjithashtu, edhe këshillimi dhe udhëzimi me ajetet e Kuranit është i pamundur, pa i kuptuar domethëniet e tyre.
Kurse aspekti i argumentimit me ajetin e dytë është se All-llahu i Lartësuar i ka qortuar ata që nuk përsiatin mbi Kuranin dhe ka bërë me dije se ky (mosmeditim) ndodh për shkak se zemrat e tyre janë të kyçura dhe se nuk arrin tek ato mirësia.
Selef-ët (brezat e parë) e këtij Umeti kanë qenë në këtë rrugë të obliguar; ata mësonin prej Kuranit edhe fjalët edhe domethëniet, sepse vetëm në këtë mënyrë njerëzit mund ta zbatojnë Kuranin ashtu saktë si e ka pasur për qëllim All-llahu me të; dhe se zbatimi i diçkaje që nuk i dihet kuptimi, është i pamundur.
Ebû AbdirRahmân es-Sulemî (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Ata që na i mësonin Kuranin, si Uthmân ibën ‘Affân, ‘Abdull-llâh ibën Mes’ûdi, e të tjerë, na kanë treguar se kur i mësonin nga Profeti (ﷺ) dhjetë ajete, nuk kalonin te të tjerat, derisa të mësonin diturinë dhe veprat që gjenden në to. Dhe thoshin: “Ne i kemi mësuar të gjitha bashkë: Kuranin (recitimin), diturinë dhe veprën.” [1]
Shejhul-Islâm Ibën Tejmije ka thënë:
“Është krejt e pazakontë për një shoqëri që ta lexojnë një libër në një lëmë të caktuar të shkencave, si mjekësia ose matematika, e të mos e kërkojnë shpjegimin e tij. E çfarë të themi për Fjalën e All-llahut të Lartësuar, e Cila është mburoja e tyre? E Cila sjellë shpëtimin dhe lumturinë dhe e Cila ua mban fenë dhe dynjanë?” [2]
Është uaxhib (obligim) për dijetarët që t’ua shpjegojnë njerëzve Kuranin, përmes shkrimit ose gojarisht, sepse All-llahu i Lartësuar ka thënë:
وَإِذْ أَخَذَ اللَّهُ مِيثَاقَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَتُبَيِّنُنَّهُ لِلنَّاسِ وَلا تَكْتُمُونَهُ
“Kujtoje (o i Dërguar) kohën kur All-llahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai.” [Âl Imrân, 187]
– dhe shpjegimi i Librit për njerëzit përfshin sqarimin e fjalëve dhe sqarimin e domethënieve. Kështu që tefsiri i Kuranit dhe sqarimi i tij është pjesë e premtimit që All-llahu ua ka marrë dijetarëve.
Qëllimi i mësimit të Tefsirit është arritja e synimeve të lavdishme dhe e fryteve të mëdha, të cilat janë: besimi në njoftimet e Kuranit dhe përfitimi nga ato dhe zbatimi i dispozitave të Kuranit në formën që e ka dashur All-llahu; pra që njeriu ta adhurojë All-llahun nën dijeni të sigurt.
___________________
Autor: Ibën Uthejmin
“Usûl fit-tefsîr”, f. 31-33
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnotat:
[1] El-Hâkim në Mustedrak: 1/557, Bejhakiu në Shuabul-Imân: 1953, AbdurRazzaku në Musannef: 6027 – me fjalë të përafërta dhe Ibën Ebi Shejbeh: 6/117.
[2] Mexhmû’ul-Fetâwâ, 13/33