El Fâtiha

1. Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
2. Çdo lavdërim i përket All-llahut, Zotit të botëve,
3. të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit,
4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
6. Udhëzona në rrugën e drejtë!
7. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur.

Shpjegimi i shkurtër

Quhet “el-Fâtiha” (Hapësja) sepse me të fillon dhe hapet Kurani i Madhërishëm. Quhet edhe “el-Methânî” (e Përsëritura), sepse ajo lexohet në çdo rekat. Ajo quhet gjithashtu edhe me emra të tjerë.

بِسْمِ اللهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيم
Bismil-lâhir-Rahmânir-Rahîm
“Me Emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!”

E filloj leximin me Emrin e All-llahut, duke u mbështetur tek Ai.

( الله ) – “All-llâh” është Emër i përveçëm i Zotit të Lartësuar, që e ka kuptimin: “i Adhuruari i Vetëm që adhurohet me të drejtë”; Ky është Emri më i veçantë i Zotit të Lartësuar dhe me të nuk quhet askush tjetër.

( الرَّحْمنِ ) – Er-Rahmân – i Gjithëmëshirshmi, i Cili e ka mëshirën e gjerë dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha krijesat.

( الرَّحِيم ) Er-Rahîm – Mëshiruesi i besimtarëve.

Këto janë dy Emra prej Emrave të All-llahut, të cilat vërtetojnë se Cilësia e “Mëshirës” është prej Cilësive të All-llahut, ashtu si i takon Madhështisë së Tij.

الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
El-hamdu lil-lâhi Rabbil-‘âlemîn
“I gjithë hamdi i takon All-llahut, Zotit të botëve”

[El-hamdu lil-lâhi] I gjithë lavdërimi (me dashuri dhe përulësi) i takon All-llahut. E lavdërojmë për Vetitë e Tij, të Cilat janë të gjitha absolute e të përsosura dhe e lavdërojmë për nimetet (dhuntitë) e Tij, të dukshme e të padukshme, të fesë e të dynjasë. Kjo fjali (dëftore) nënkupton edhe urdhër për robërit e Tij që ta lavdërojnë Atë. Pra, Ai është i Vetmi që e meriton hamdin.

[Zoti i botëve] – Ai është Krijuesi i krijesave, Mbajtësi i çdo çështjeje të tyre, el-Murabbi (Ai që kujdeset, drejton, zhvillon, edukon) me nimetet e Tij çdo krijesë dhe me iman dhe vepra të mira çdo rob të devotshëm e të dashur të Tij.

Er-Rahmânir-Rahîm  الرَّحْمنِ الرَّحِيم 
“Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit”

Të Gjithëmëshirshmit – i Cili e ka mëshirën gjithëpërfshirëse për të gjitha krijesat, Mëshiruesit – ndaj besimtarëve. Dhe këto janë dy Emra prej Emrave të All-llahut.

Mâliki jeumid-dîn  مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ
“Sunduesit të Ditës së Gjykimit.”

All-llahu i Lartësuar është Sunduesi Pushtetplotë i Vetëm i Ditës së Ringjalljes, e cila është Dita e Shpërblimit të veprave. Leximi i këtij ajeti në çdo rekat të namazeve ia kujton muslimanit botën tjetër, e nxit atë të përgatitet me punë të mira dhe të ndalojë nga punët e këqija dhe mosbindja.

إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ
Ijjâke neabudu we ijjâke neste’în
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Të drejtohemi pastër vetëm Ty me adhurim dhe mbështetemi vetëm tek ndihma Jote për të gjitha çështjet tona, sepse e gjithë çështja është në Dorën Tënde dhe askush tjetër nuk posedon prej saj as edhe një thërrmijë. Ky ajet është argument se asnjë lloj prej llojeve të adhurimeve, si duaja, kërkimi i ndihmës në raste vështirësie, therja e kurbanit, tavafi etj., nuk lejohet t’ia drejtojmë dikujt tjetër, përveç All-llahut Një. Dhe gjithashtu, në këtë ajet ka shërim për zemrën nga sëmundja e të qenit i lidhur me dikë tjetër veç All-llahut dhe shërim nga sëmundjet e syefaqësisë, vetëpëlqimit dhe mendjemadhësisë.

اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ
Ihdinâs-sirâtal-mustekîm
“Udhëzona në rrugën e drejtë!”

Mësona Rrugën e Drejtë, jepna sukses ta ndjekim atë dhe bëna të qëndrueshëm në të deri sa të Të takojmë. Kjo Rrugë është Islami dhe ajo është udha e qartë që të çon drejt kënaqësisë së All-llahut dhe Xheneteve të Tij. Ajo është udha që e na e ka treguar vula e të Dërguarve dhe Profetëve – Muhammedi (ﷺ). Pa ndjekjen e saj dhe pa qëndrimin në të, robi nuk mund ta arrijë kurrë lumturinë.

صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ
Sirâtal-ledhîne en’amte ‘alejhim
“Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi”

(Udhëzona) në rrugën e atyre që u ke dhënë dhunti, e ata janë profetët (nebijjûn), besimtarët e sinqertë me besim dhe bindje më të plotë (siddikûn), dëshmorët për çështjen e besimit (shuhadâ’) dhe besimtarët e mirë e të drejtë (sâlihûn), sepse këta janë të udhëzuarit në Rrugën e Drejtë.

ģajril-meģdûbi alejhim  غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ
“…e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd”

Dhe mos na lër të ecim në rrugën e atyre me të cilët Je zemëruar, të cilët e kanë kuptuar të vërtetën por nuk kanë vepruar sipas asaj – e ata janë jehudët dhe kushdo që e u ngjan atyre;

we leddâl-lîn  وَلا الضَّالِّينَ
“…as në të atyre që janë të humbur!”

…as në rrugën e atyre që kanë humbur, të cilët nuk janë udhëzuar dhe e kanë humbur rrugën – e ata janë nesârat (a.q. të krishterë) dhe kushdo që e ndjek zakonin e tyre.

Në këtë lutje ka shërim për zemrën e muslimanit nga sëmundjet e mohimit, injorancës dhe devijimit. Nga ajo, gjithashtu, nxirret argument se dhuntia më e madhe, absolutisht, është dhuntia e Islamit. Prandaj, më të denjët për Rrugën e Drejtë janë ata që e njohin më shumë të Vërtetën dhe e ndjekin më shumë atë. Dhe nuk ka dyshim se shokët e të Dërguarit të All-llahut (ﷺ) janë më të denjët për këtë, pas profetëve (alejhimus-selâm), kështu që ky ajet dëshmon për vlerën dhe pozitën madhështore të tyre, All-llahu qoftë i Kënaqur me ta!

Është e pëlqyer që pas leximit të Fâtihasë në namaz të thuhet: (آمين) “Amin!” – që do të thotë: Pranoma lutjen, o All-llah! Dijetarët kanë një mendim unanim se “Amini” nuk është ajet i sures Fâtiha, prandaj kanë rënë në konsensus që të mos shkruhet në Mus’hafe.

_________________________

Burimi: “Et-Tefsîr el-Mujesser”
Përkthimi: Blerand Grubi