Profeti () ka thënë:

« نِعْمَتَانِ مَغْبُونٌ فِيْهِمَا كَثِيْرٌ مِنَ النَّاسِ الصِّحَةُ، وَالفَرَاغ »
“Janë dy nimete te të cilat shumë njerëz dalin në humbje: shëndeti dhe koha e lirë!”

[Trans. Buhariu, 6412. “Dalin në humbje” – është për qëllim shitja e diçkaje të shtrenjtë në këmbim të diçkaje të pavlerë (përkthyesi).]

Dijetari i madh AbdulAziz ibën Bâz (All-llahu e mëshiroftë), duke e komentuar këtë hadith ka thënë:

“Domethënë, shumë prej njerëzve, shëndetin e tyre dhe kohën e lirë e humbin kot dhe pa asnjë dobi. Trupin e ka të shëndoshë, jeton në mirëqenie, ka kohë të lirë, mirëpo nuk i shfrytëzon këto dhunti atje ku ka dobi, as në adhurim për t’u afruar me All-llahun, as në diçka të dobishme për jetën e dynjasë. Ky është i humburi në këto dy nimete.

Kurse ajo që kërkohet nga besimtari është që t’i shfrytëzojë këto dhunti atje ku All-llahu është i kënaqur; t’i përdorë atje ku përfiton dobi për vete, si: tregtia, mënyrat e ndryshme të fitimeve hallall, shpeshtimi i agjërimit, namazit, dhikrit, ibadeteve të ndryshme, të vizitojë të sëmurin, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara, t’i ftojë të tjerët në fenë e All-llahut (azze ue xhel-le) e kështu me radhë, prej punëve të mira.”

[https://binbaz.org.sa/old/39386]

Imam Ibnul-Kajjim (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Çdo frymëmarrje nga frymëmarrjet e kësaj jete është një diamant i çmuar, por i pafat. Me të mund të blihet një thesar prej thesareve që nuk ndryshken kurrën e kurrës. Kurse mosshfrytëzimi e këtyre frymëmarrjeve, ose shitja e tyre për gjëra që ia sjellin njeriut shkatërrimin, është një humbje aq e madhe që nuk mund ta lejojë askush, përveç njeriut më injorant, më të trashë nga mendja dhe më të palogjikshëm. Atij do t’i shfaqet qartë realiteti i kësaj humbjeje vetëm Ditën e Tegâbun-it (dallimit të fitimit dhe humbjes; Ditën e Gjykimit):

(يَوْمَ تَجِدُ كُلُّ نَفْسٍ مَا عَمِلَتْ مِنْ خَيْرٍ مُحْضَراً وَمَا عَمِلَتْ مِن سُوءٍ تَوَدُّ لَوْ أَنّ بَيْنَهَا وَبَيْنَهُ أَمَداً بَعِيداً)

“Ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara vetes atë që ka punuar mirë, dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe asaj (të keqes së tij), të ketë largësi të madhe…” [Âli Imrân, 30]

[Igâthetul-lehfân, 89]

El-Hasen el-Basri (rahimehUll-llah) ka thënë:

“I kam arritur disa njerëz përpara të cilët e ruanin kohën më shumë se sa ju që i ruani dërhemët dhe dinarët tuaj!”

[Sherhus-Sunneh, 14/225]

El-Fudajl (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Unë njoh njerëz që i numërojnë fjalët që i thonë prej xhumasë deri në xhuma.”

[el-Âdâb esh-Sher’ijje, 456]

Ibnul-Kajjim (All-llahu e mëshiroftë) gjithashtu ka thënë:

“Humbja e kohës është më e rëndë se vdekja! Sepse humbja e kohës të shkëput nga All-llahu dhe bota tjetër, kurse vdekja të shkëput nga dynjaja dhe njerëzit e saj.”

[El-Fewâid, 44]

Përktheu: Blerand Grubi