Hadithi i parë

Prijësi i besimtarëve, Ebu Hafs, Umer ibnul-Khattâb, radijAll-llahu ‘anhu ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut (ﷺ) duke thënë:

«إِنَّمَا الأَعْمَالُ بالنِّيَّاتِ، وإِنَّمَا لِكُلِّ امْرِئٍ مَا نَوَى، فَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ إِلى اللهِ وَرَسُولِهِ، فَهِجرَتُهُ إلى الله وَرَسُولِهِ، وَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ لِدُنْيَا يُصِيبُهَا أَوِ اِمْرَأَةٍ يَنْكِحُهَا، فَهِجْرَتُهُ إلى مَا هَاجَرَ إلَيْهِ»

“Veprat janë sipas nijetit dhe çdo njeriu i takon vetëm ajo që e ka bërë nijet! Kështu, ai që ka bërë hixhret drejt All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, hixhretin e ka drejt All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, kurse ai që ka bërë hixhret për ta arritur një çështje të dynjasë, ose për t’u martuar me një grua, hixhretin e ka për atë që është nisur!”

[Këtë hadith e kanë transmetuar dy prijësit e dijetarëve të hadithit: Ebu Abdil-lâh Muhammed ibën Ismail ibën Ibrahim ibnul-Mugira ibën Berdizbeh el-Buhâri dhe Ebul-Husejn Muslim ibnul-Haxh-xhâxh ibën Muslim el-Kushejri en-Nejsâbûri, në dy “Sahih”-ët e tyre, të cilët janë librat më të saktë të përpiluar.]

Kuptimi i hadithit

Ky është një hadith madhështor dhe një bazë e rëndësishme prej bazave të Islamit. Ai është peshorja e përpiktë, që i peshon veprat dhe e dikton se cila është e saktë dhe cila s’është (Veprat janë sipas nijetitdhe se kujt i takon shpërblim më shumë e kujt më pak (çdo njeriu i takon veç ajo që e ka bërë nijet).

Në këtë hadith, Profeti () tregon se boshti, rreth të cilit sillen të gjitha veprat, është nijeti.

Nëse vepra bëhet me nijet të saktë dhe i përkushtohet pastër All-llahut, pranohet. E nëse bëhet ndryshe, vepra kthehet mbrapsht. Kështu është sepse All-llahu nuk ka asnjë nevojë për ortakë e për hise (nuk i pranon adhurimet që nuk i kushtohen pastër vetëm Atij ose që bëhen për sy e faqe).

Pastaj, për ta sqaruar më tej këtë bazë madhështore, Profeti () sjell si shembull hixhretin, dhe thotë se kush largohet nga vendet e idhujtarëve për të fituar shpërblimin e All-llahut dhe për të qenë afër Profetit (kur ishte gjallë) që ta mësojë ligjin dhe fenë, atij hixhreti i llogaritet fî sebîlil-lâh (në rrugë të All-llahut) dhe All-llahu e shpërblen për këtë.

Kurse atij që shpërngulet për ndonjë leverdi dynjaje, nuk i takon shpërblimi i hixhretit. Bile ai meriton edhe të dënohet, nëse me hixhretin e tij synon ndonjë gjynah.

Nijeti është ai që e bën diferencën mes ibadetit dhe veprave të zakonshme (d.m.th. nijeti e përcakton veprën a bëhet si adhurim i kërkuar apo jo).

Larja e krejt trupit, për shembull, kur bëhet për të larguar xhunubllëkun, llogaritet ibadet, a kur bëhet thjesht për pastrim ose freskim, llogaritet veç zakon (d.m.th. nuk ka shpërblim për të dhe nuk ia largon xhunubllëkun).

Nijeti përfshihet në dy tema të Sheriatit:

1. Ihlasi – kryerja e veprës pastër për All-llahun Një. Ky është aspekti më i rëndësishëm i nijetit dhe për të flitet zakonisht në shkencat e teuhidit, moralit dhe etikës.

2. Dallimi i një ibadeti nga tjetri, (d.m.th. nijeti e dallon namazin e obliguar nga ai vullnetar, ose zekatin e obliguar nga ai vullnetar etj.) Për këtë aspekt flitet në shkencën e fikhut (jurisprudencës islame). [1]

Shumë dijetarë kanë thënë se janë dy hadithe të cilat e përmbledhin gjithë Fenë Islame:

1. Hadithi: “Veprat janë sipas nijetit…”, i cili është peshorja e anës së brendshme të veprave, dhe

2. Hadithi që e transmeton Aisha (radijAll-llahu anhâ):

«مَن عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو رد».

“Kush bën një vepër që nuk gjendet në fenë tonë (që nuk e kemi urdhëruar), ajo i refuzohet.” [Transm. Muslimi]

– dhe ky hadith është peshorja e anës së jashtme të veprave. [2]

_______________

[1] “Tejsîr el-Al-lâm”, Abdullâh Bessâm, 1/15-16.
[2] “Sherh Rijâdus-Salihîn”, Ibën Uthejmin, 1/19.
Përkthimi: Blerand Grubi