“…pastaj tha: “Tani më trego për Imanin!”
Profeti (ﷺ) tha: “Imani është: të besosh në All-llahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Kaderin (paracaktimin) e së mirës dhe së keqes…”
Besimi në të Dërguarit
Besojmë se All-llahu i Lartësuar ka çuar te njerëzit të dërguar “që kanë sjellë lajme të mira (për shpërblimin e atyre që i binden) dhe kanë paralajmëruar (për dënimin e atyre që nuk i binden), në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj All-llahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, All-llahu, është i Plotfuqishëm e i Urtë.”[1]
Besojmë se i dërguari i parë është Nuhu dhe i fundit Muhamedi (falja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin me të gjithë ata).
إِنَّا أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ كَمَا أَوْحَيْنَا إِلَىٰ نُوحٍ وَالنَّبِيِّينَ مِن بَعْدِهِ
“Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij.”[2]
مَّا كَانَ مُحَمَّدٌ أَبَا أَحَدٍ مِّن رِّجَالِكُمْ وَلَٰكِن رَّسُولَ اللَّهِ وَخَاتَمَ النَّبِيِّينَ
“Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i All-llahut dhe vula e profetëve;”[3]
Më i miri prej tyre është Muhamedi, pastaj Ibrahimi, pastaj Musai, pastaj Nuhu dhe Isai i biri i Merjemes. Këta janë përmendur veçmas në Fjalën e të Lartësuarit:
وَإِذْ أَخَذْنَا مِنَ النَّبِيِّينَ مِيثَاقَهُمْ وَمِنكَ وَمِن نُّوحٍ وَإِبْرَاهِيمَ وَمُوسَىٰ وَعِيسَى ابْنِ مَرْيَمَ ۖ وَأَخَذْنَا مِنْهُم مِّيثَاقًا غَلِيظًا
“Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne”[4]
Besojmë se që të gjithë të dërguarit janë njerëz të krijuar dhe se nuk posedojnë asnjë nga Cilësitë e veçanta të Zotit (si: krijimi, sistemimi, njohja e së fshehtës etj.). All-llahu i Lartësuar ka treguar se Nuhu, që është i dërguari i parë, ka thënë:
وَلَا أَقُولُ لَكُمْ عِندِي خَزَائِنُ اللَّهِ وَلَا أَعْلَمُ الْغَيْبَ وَلَا أَقُولُ إِنِّي مَلَكٌ
“Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e All-llahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk po them se unë jam engjëll.”[5]
All-llahu i Lartësuar e ka urdhëruar edhe Muhamedin (ﷺ), që është profeti i fundit, të thotë:
قُل لَّا أَقُولُ لَكُمْ عِندِي خَزَائِنُ اللَّهِ وَلَا أَعْلَمُ الْغَيْبَ وَلَا أَقُولُ لَكُمْ إِنِّي مَلَكٌ
“Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e All-llahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk po ju them se unë jam engjëll.”[6]
Dhe të thotë:
قُل لَّا أَمْلِكُ لِنَفْسِي نَفْعًا وَلَا ضَرًّا إِلَّا مَا شَاءَ اللَّهُ
“Unë nuk mund as (t’i sjell) vetes ndonjë dobi, as (t’i largoj) ndonjë dëm, por gjithçka ndodh si ka dashur All-llahu.”[7]
Besojmë se të dërguarit janë robër, si gjithë robërit e All-llahut, porse ata All-llahu i ka nderuar me çështjen e Mesazhit Hyjnor. Kur i përshkruan virtytet e tyre më të larta, All-llahu i quan ata “robër”, në kontekstin e lavdërimit.
Besojmë se All-llahu i Lartësuar, Mesazheve (që ua zbriti popujve në veçanti) u ka dhënë fund me Mesazhin e Muhamedit (ﷺ) duke e dërguar atë për gjithë njerëzimin. Për këtë bazohemi të Fjala e të Lartit:
قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعًا الَّذِي لَهُ مُلْكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ يُحْيِي وَيُمِيتُ ۖ فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ النَّبِيِّ الْأُمِّيِّ الَّذِي يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَكَلِمَاتِهِ وَاتَّبِعُوهُ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ
“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i All-llahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka të adhuruar të drejtë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në All-llahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!”[8]
Ne themi, gjithashtu, se kush e mohon Mesazhin e Muhamedit (ﷺ) për mbarë njerëzimin, i ka mohuar të gjithë të dërguarit. Madje e ka mohuar edhe të dërguarin që pretendon se beson në të dhe se e ndjek, për arsye se i Lartëmadhëruari ka thënë:
إِنَّ الَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِاللَّهِ وَرُسُلِهِ وَيُرِيدُونَ أَن يُفَرِّقُوا بَيْنَ اللَّهِ وَرُسُلِهِ وَيَقُولُونَ نُؤْمِنُ بِبَعْضٍ وَنَكْفُرُ بِبَعْضٍ وَيُرِيدُونَ أَن يَتَّخِذُوا بَيْنَ ذَٰلِكَ سَبِيلًا (150) أُولَٰئِكَ هُمُ الْكَافِرُونَ حَقًّا ۚ وَأَعْتَدْنَا لِلْكَافِرِينَ عَذَابًا مُّهِينًا
“Vërtet, ata që mohojnë All-llahun dhe të dërguarit e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë All-llahun nga të dërguarit e Tij, duke thënë: “Ne disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duke dashur që kështu të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme (mes besimit dhe mohimit), pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur dënim poshtërues për mohuesit.”[9]
Besojmë bindshëm se nuk ka profet pas Muhamedit (ﷺ) dhe besojmë se kushdo që pretendon profecinë pas tij, ose i beson dikujt që e pretendon atë, është kafir (mosbesimtar), për shkak se me këtë ai e ka përgënjeshtruar Librin e All-llahut, Sunetin e Profetit (ﷺ) dhe ixhmanë (pajtueshmërinë) e të gjithë muslimanëve.
Vijon: Imani në Ditën e Fundit
______________________
Autor: Ibën Uthejmin
“Akidja e EhluSunetit dhe Xhematit” – me shkurtim.
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnotat:
[1] En-Nisâ: 165.
[2] En-Nisâ: 163.
[3] El-Ahzâb: 40.
[4] El-Ahzâb: 7.
[5] Hûd: 31.
[6] El-En’âm: 50.
[7] El-A’râf: 188.
[8] El-A’râf: 158.
[9] En-Nisâ’: 150,151.