Vepra nuk mund të jetë “e mirë” dhe “e pranuar” tek All-llahu, pa u plotësuar dy kushte themelore.
Dëgjoni me vëmendje! Vepra nuk pranohet pa dy kushte:
Kushti i parë: vepra të jetë e kushtuar pastër për kënaqësinë e All-llahut, pa shirk (pa i veshur Atij ortakë në adhurim). All-llahu i Madhëruar ka thënë:
وَلَوْ أَشْرَكُوا لَحَبِطَ عَنْهُم مَّا كَانُوا يَعْمَلُونَ
“Por, nëse ata adhurojnë dikë tjetër, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë.” [El-En’âm, 88]
Shirku i prish të gjitha veprat, nëse është Shirk i Madh. Kurse nëse është Shirk i Vogël – dhe ajo është syefaqësia – e prish vetëm veprën në të cilën ka rënë.
Profeti (ﷺ) i ka thënë Sahabëve (shoqëruesve) të vet – duke qenë ata gjenerata më e vlershme:
«إن أخوف ما أخاف عليكم الشرك الأصغر»
“Gjëja, të cilës më së shumti i kam frikë për ju, është Shirku i Vogël!”
E kanë pyetur se cili është ai, Profeti (ﷺ) ka thënë: “Rijâ-ja (syefaqësia).” [1]
«أن يقوم الرجل فيصلي فيزين صلاته لما يرى من نظر رجل»
“Ajo është kur një njeri çohet për t’u falur dhe e zbukuron namazin për shkak se sheh që një njeri është duke e parë.” [2]
Prandaj, ruajuni All-llahut dhe pastrojini veprat tuaja nga shirku i madh dhe nga shirku i vogël. Ky është kushti i parë.
Kushti i dytë: kjo vepër duhet të jetë e saktë, e bazuar në Sunetin (Rrugën, Udhëzimin) e të Dërguarit të All-llahut (ﷺ), e pastër nga bidatet dhe shpikjet. All-llahu nuk e pranon veprën e shpikur.
Profeti (ﷺ) ka thënë:
«من أحدثَ في أمرِنا هذا ما ليس منه فهو رَدٌ»
“Kush shpik në fenë tonë diçka që s’është prej saj, ajo i refuzohet.” [3]
Ndërsa në një transmetim:
«من عمل عملًا ليس عليه أمرُنا فهو ردٌّ»
“Kush bën një vepër që nuk gjendet në fenë tonë (që nuk e kemi urdhëruar), ajo i refuzohet.” [4]
“Kush shpik në fenë tonë diçka…” – d.m.th. ky e ka shpikur. Kurse te transmetimi tjetër:
“Kush bën një vepër…” – d.m.th. edhe nëse nuk e ka shpikur vetë, por e vepron duke qenë bidat, ajo i refuzohet dhe nuk pranohet tek All-llahu (subhâneHu ue te’âlâ).
All-llahu e pranon vetëm atë që është: e kushtuar pastër për Kënaqësinë e Tij dhe e saktë, sipas Sunetit të të Dërguarit të Tij (ﷺ).
All-llahu i Lartësuar ka thënë:
بَلَىٰ مَنْ أَسْلَمَ وَجْهَهُ لِلَّهِ وَهُوَ مُحْسِنٌ فَلَهُ أَجْرُهُ عِندَ رَبِّهِ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ
“Përkundrazi, ai që fytyrën e vet ia nënshtron All-llahut, duke vepruar mirë, do ta ketë shpërblimin te Zoti i tij. Këta nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.” [El-Bekara, 112]
“…fytyrën e vet ia nënshtron All-llahut” – ky është Ihlasi (kushtimi i adhurimit pastër për Zotin), monoteizmi dhe shpëtimi nga shirku;
“…duke vepruar mirë” – d.m.th. duke e ndjekur shembullin e të Dërguarit (ﷺ), larg bidateve dhe risive në fe.
Nuk është e rëndësishmja që njeriu thjesht të bëjë vepra, po e rëndësishmja është që njeriu të shpëtojë nga shirku dhe të shpëtojë nga bidatet dhe risitë. Përndryshe, veprat do t’i llogariten veç një lodhje e kotë. Lâ hawle we lâ kuw-wete il-lâ bil-lâh. [5] Prandaj mendoni mirë rreth veprave tuaja!
Pastaj dijeni se kur njeriu bën ndonjë vepër të mirë, ai duhet ta ruajë atë nga gjërat që e prishin dhe e zhvlerësojnë.
All-llahu (xhel-le ue ‘alâ) ka thënë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلَا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ
“O ju që keni besuar! Bindjuni All-llahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja!” [Muhammed, 33]
Mos i prishni! Edhe pse këto vepra janë bindje ndaj All-llahut dhe të Dërguarit, prapëseprapë njeriu mund t’i prishë ato. Me çfarë i prish? I prish me disa gjëra:
E para: shirku ndaj All-llahut (azze ue xhel-le), siç u përmend më herët. Nëse njeriu falet gjithë ditën e gjithë natën, agjëron tërë vitin, jep lëmoshë, lufton në rrugë të All-llahut, mirëpo këto vepra i bën për sy e faqe të botës, ai do të jetë në zjarrin e Xhehenemit.
Profeti (ﷺ) ka thënë se të parët, me të cilët do të ndizet Zjarri Ditën e Ringjalljes, do të jenë tre persona… – dëgjoni me vëmendje; tre persona:
I pari: Luftëtari në rrugë të All-llahut, i cili ka luftuar “fî sebîlil-lâh” dhe është vrarë. Nga pikëpamja e jashtme ai duket shehid (dëshmor), mirëpo nga brenda (në zemër) ai ka dashur të duket dhe të lavdërohet. All-llahu, Ditën e Ringjalljes do t’i thotë:
“Çfarë ke vepruar?” – ماذا عمِلْتَ؟
Ai do të thotë: “O Zoti im! Unë kam luftuar për çështjen Tënde deri sa më vranë.”
All-llahu do t’i thotë:
“كذبت. ولكن قاتلت ليقال: جريء، وقد قيل.”
“Gënjeve! Ti ke luftuar që të thonë: “Ai është trim!” – dhe kështu kanë thënë.”
Pastaj urdhëron që të tërhiqet (për fytyre e të hidhet) drejt Zjarrit.
Tjetri (i dyti) është ai, të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri, dhe prej saj ky jepte lëmosha dhe bënte shumë bamirësi. Ky do të sillet Ditën e Ringjalljes dhe All-llahu do t’i thotë:
“Çfarë ke vepruar?” – ماذا عمِلْتَ؟
Ai do të thotë: “O Zoti im! Në asnjë vend ose rast prej rasteve, në të cilat Ti do që të jepet lëmoshë, nuk kam lënë pa dhënë lëmoshë! All-llahu i thotë:
كَذَبْتَ وَلَكِنْ لِيُقَالَ: هُوَ جَوَادٌ فَقَدْ قِيلَ
“Gënjeve! Ti ke dhënë sadaka që të tjerët të thonë: “Ai është bujar.” – dhe kështu edhe kanë thënë.
Pastaj urdhëron që të tërhiqet (për fytyre e të hidhet) drejt Zjarrit.
Pastaj sillet dijetari (i treti) dhe i thotë All-llahu Ditën e Ringjalljes:
“Çfarë ke vepruar?” – ماذا عمِلْتَ؟
Ai do të thotë: “O Zoti im! Unë e kam mësuar diturinë (e fesë) dhe ua kam mësuar të tjerëve për kënaqësinë Tënde.”
Atij i thuhet: “Kedhebte (Gënjeve)! Ti ke mësuar dituri dhe ua ke mësuar të tjerëve që të thonë: “Ky është dijetar!” – kështu edhe kanë thënë.
Pastaj urdhëron që të tërhiqet (për fytyre e të hidhet) drejt Zjarrit.
Pra, njerëzit e parë, me të cilët do të ndizet Zjarri Ditën e Ringjalljes, janë këta të tre: Luftëtari, dhënësi i sadakës dhe dijetari, të cilët nuk ia kanë përkushtuar pastër këto vepra të mira All-llahut (azze ue xhel-le), kështu që ky është përfundimi i tyre, Lâ hawle we lâ kuw-wete il-lâ bil-lâh.
Kështu që, robër të All-llahut, kijeni frikë All-llahun! Përmirësoni veprat dhe kujdesuni mirë për to.
[E dyta] Gjithashtu, njeriu mund të punojë punë të mira, të shumta, por pastaj i hyn vetja në qejf, i përmend ato përpara All-llahut (me mburrje) dhe, si rrjedhojë, All-llahu (azze ue xhel-le) ia zhvlerëson.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُبْطِلُوا صَدَقَاتِكُمْ بِالْمَنِّ وَالْأَذَىٰ
“O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer…” [El-Bekara, 264]
Nëse njeriu i përmend veprat përpara All-llahut, duke i konsideruar si të mëdha dhe të shumta, All-llahu ia zhvlerëson ato.
Muslimani duhet gjithnjë t’i quajë veprat e veta të pakta… – ato edhe janë të pakta!
Veprat e veta duhet t’i konsiderojë të pakta dhe jo t’i mendojë të shumta, ose t’i hyjnë në qejf – All-llahu na ruajttë! Ai çdo herë duhet ta shohë veten si të mangët. Sepse, kur e sheh veten si të mangët, pajiset më shumë me vepra dhe i rregullon ato.
Kurse, nëse i sheh veprat e veta si të përkryera, ato i rrënohen – Lâ hawle we lâ kuw-wete il-lâ bil-lâh.
Edhe kjo, pra, është një nga gjërat që e rrënojnë veprën.
[E treta] Gjithashtu, prej gjërave që i djegin veprat Ditën e Ringjalljes… – veprat e mira, se nuk po flasim për veprat e këqija. – prej gjërave që i djegin veprat e mira është cila gjë? Është dhulmi (zullumi, padrejtësia) ndaj njerëzve.
Nëse dikush u ka bërë njerëzve zullum, njerëzit do t’ia kërkojnë shpagimin Ditën e Ringjalljes. Ata e marrin hakun duke ia marrë këtij veprat e mira, dhe jo pasurinë. Bota e Ahiretit nuk ka pasuri. Atje nuk ka as dinarë e as dërhem, porse ka vetëm vepra (për shpagim).
Kështu që, nëse u ka pas bërë njerëzve padrejtësi, All-llahu ia merr disa vepra të mira për (t’ia shpaguar) personave të dëmtuar.
Dhe nëse veprat e tij të mira sosen para se të përfundojë gjykimi kundër tij, atëherë personave të dëmtuar u merren disa vepra të këqija dhe i hedhen këtij, e pastaj hidhet në Zjarr! We Lâ hawle we lâ kuw-wete il-lâ bil-lâh.
Profeti (ﷺ) ka thënë: “Disa njerëz, Ditën e Ringjalljes, do të dalin me vepra sa malet; me vepra të mira sa malet. Mirëpo, del që e ka vrarë këtë, e ka goditur këtë, e ka marrë pasurinë e këtij, e ka sharë këtë… Kështu që, nga veprat e mira që i ka bërë, disa i jepen njërit, disa i jepen tjetrit…” [6]
Dhe ka thënë gjithashtu:
مَنْ كَانتْ عِنْدَه مَظْلمَةٌ لأَخِيهِ مِنْ عِرْضِهِ أَوْ مِنْ شَيْءٍ فَلْيتَحَلَّلْه ِمِنْه الْيَوْمَ قَبْلَ أَلَّا يكُونَ دِينَارٌ وَلَا دِرْهَمٌ، إنْ كَانَ لَهُ عَمَلٌ صَالِحٌ أُخِذَ مِنْهُ بِقَدْرِ مَظْلَمتِهِ، وإنْ لَمْ يَكُنْ لَهُ حسَنَاتٌ أُخِذَ مِنْ سيِّئَاتِ صاحِبِهِ، فَحُمِلَ عَلَيْهِ
“Kush ka pasur ndonjë padrejtësi ndaj vëllait të vet, që prek nderin e tij ose diçka tjetër, le t’i kërkojë hallall qysh sot, para se të mos ketë më dinarë e as dërhemë (para se të vijë Dita kur dëmet nuk mund t’ia shpaguajë me dinarë e dërhemë, po veç me vepra, sh.p.)! Nëse ka pasur vepra të mira, do t’i merren aq sa ka bërë padrejtësi ndaj të tjerëve. Kurse nëse nuk ka (më) vepra të mira, do t’i merren nga veprat e këqija të shokut të tij (d.m.th. atij që i ka bërë dhulm) dhe do t’i hedhen këtij!” [7]
Kështu All-llahu ia shpaguan atyre të dëmtuarve, të cilëve u është bërë zullum. Këto padrejtësi u kthehen atyre që i kanë bërë, sepse All-llahu (xhel-le ue ‘alâ) është Gjykatës i Drejtë, e bën shpërblimin dhe shpagimin përmes veprave.
Në një hadith kudsij, thuhet se All-llahu (xhel-le ue ‘alâ) thotë:
يا عبادي! إنما هي أعمالكم أحصيها لكم ثم أوفيكم إياها فمن وجد خيرًا، فليحمد الله ومن وجد غير ذلك فلا يلومن إلا نفسه
“O robërit e Mi! Ato janë veprat tuaja, të cilat i llogaris për ju, pastaj jua përmbushi plotësisht (shpërblimin)! Ai që do të gjejë ndonjë të mirë, le ta lavdërojë All-llahun…”
– sepse All-llahu është Ai që i ka dhënë sukses dhe e ka ndihmuar;
“… kurse ai që gjen diçka tjetër, le të mos e qortojë hiq askënd, përveç vetvetes!” [8]
– sepse ai vetë ka qenë i shkujdesur, ka humbur dhe i ka bërë padrejtësi vetes.
______________________
Autor: Sâlih el-Feuzân
Burimi: (kliko)
Përktheu: Blerand Grubi
Fusnotat:
[1] Silsiletu el-Ehâdith es-Sahiha, 951.
[2] Sahih el-Xhâmi’ es-Sagir, 2607 – 1203.
[3] Përcjellë nga Muslimi.
[4] Përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi.
[5] Lâ hawle we lâ kuw-wete il-lâ bil-lâh – shprehje që nënkupton kërkimin e ndihmës dhe mbështetjes tek All-llahu, e që do të thotë: Nuk ka lëvizje (ndryshim, shndërrim të gjendjes) dhe as fuqi, pa e mundësuar All-llahu (përkthyesi).
[6] Profeti (ﷺ) ka thënë:
«إن المفلس من أمتي من يأتي يوم القيامة بصلاة، وصيام، وزكاة، ويأتي قد شتم هذا، وقذف هذا، وأكل مال هذا، وسفك دم هذا، وضرب هذا، فيعطى هذا من حسناته، وهذا من حسناته، فإن فنيت حسناته قبل أن يقضى ما عليه أخذ من خطاياهم فطرحت عليه، ثم طرح في النار»
“I falimentuari në Umetin tim është ai që, Ditën e Ringjalljes, del me namaz, agjërim e zekat. Mirëpo, del që e ka sharë njërin, ka shpifur për tjetrin, e ka hëngër pasurinë e këtij, e ka derdhur gjakun e këtij, e ka goditur këtë… Kështu që, nga veprat e mira që i ka bërë, i jepet njërit, i jepet tjetrit… dhe nëse shuhen veprat e tij të mira para se t’i përfundojnë detyrimet (kundrejt njerëzve), atëherë merret diçka nga gjynahet e atyre dhe i hedhen këtij, dhe pastaj hidhet në Zjarr!” [Transmeton Muslimi]
[7] Transmeton Buhariu.
[8] Transmeton Muslimi.