Kurani ka zbritur pjesë-pjesë, gjatë një periudhe njëzetetre vjeçare. Shumicën e kësaj periudhe i Dërguari (ﷺ) e kaloi në Meke.
All-llahu i Lartësuar ka thënë:
(وَقُرْآناً فَرَقْنَاهُ لِتَقْرَأَهُ عَلَى النَّاسِ عَلَى مُكْثٍ وَنَزَّلْنَاهُ تَنزِيلاً (106
“Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë (shkoqitur) pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak (dalëngadalë), duke e zbritur atë kohë pas kohe.” [el-Isrâ’, 106]
Nisur nga kjo, dijetarët – All-llahu pastë mëshirë për ta – kanë thënë që Kurani ndahet në dy pjesë: pjesa mekase dhe pjesa medinase.
Pjesa mekase është ajo që i ka zbritur Profetit (ﷺ) para Hixhretit (shpërnguljes) në Medine.
Pjesa medinase është ajo që i ka zbritur Profetit (ﷺ) pas Hixhretit në Medine.
Kështu që, në bazë të kësaj, për ajetin:
الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمْ الإِسْلامَ دِيناً
“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe Jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj”.
– themi që ky ajet i takon pjesës medinase edhe pse i ka zbritur Profetit (ﷺ) në haxhin e lamtumirës, në Arafat (Meke). [1]
Në Sahihun e Buhariut [2] është përcjell se Umeri (radijAll-llahu anhu) ka thënë: “Ne e dimë mirë atë ditë dhe vendin ku i ka zbritur ky ajet Profetit (ﷺ): i ka zbritur atij duke qëndruar më këmbë, në Arafat, Ditën e Xhuma.”
Ajetet mekase dhe ajetet medinase dallohen në mes vete për nga stilistika dhe për nga tematika.
A – Për sa i përket dallimeve stilistike:
1. Në pjesën mekase dominon një stilistikë e fuqishme dhe një drejtim (adresim) i ashpër, sepse shumica e atyre të cilëve u janë drejtuar këto ajete, kanë qenë refuzues dhe mendjemëdhenj, dhe vetëm kjo mënyrë u përshtatej. Lexoje (për shembull) suren el-Muddeth-thir dhe suren el-Kamer.
Kurse në pjesën medinase dominon stili i butësisë dhe shprehjet e lehta, sepse shumica e atyre të cilëve u janë drejtuar këto ajete, kanë qenë pranues, të nënshtruar e të bindur. Lexo (për shembull) suren El-Mâide.
2. Në pjesën mekase dominojnë ajete të shkurtra dhe polemika (argumentime) të fuqishme, sepse shumica e atyre të cilëve u janë drejtuar këto ajete, kanë qenë kokëfortë dhe kundërshtues. Kështu që atyre u janë drejtuar shprehje që përshtaten me gjendjen e tyre. Lexoje suren et-Tûr.
Kurse në pjesën medinase dominojnë ajetet e gjata dhe përmendja e dispozitave, me stil të lirë, pa polemika, sepse gjendja e tyre kërkon kështu. Lexoje ajetin e borxhit në suren el-Bekara (nr. 282).
B – Për sa i përket dallimeve tematike:
1. Në ajetet mekase dominon sqarimi i Teuhidit (Njëshmërisë së All-llahut) dhe sqarimi i besimit të shëndoshë, veçanërisht sqarimi i asaj që ka të bëjë me Teuhidin e Adhurimit (të drejtën ekskluzive të All-llahut për t’u adhuruar i Vetëm) dhe asaj që ka të bëjë me besimin në ringjallje, sepse shumica e atyre që u janë drejtuar ajetet mekase, i kanë mohuar këto.
Kurse te ajetet medinase dominon shkoqitja e normave të adhurimit dhe të raporteve ndërnjerëzore (në tregti, martesë…), sepse zemrat e njerëzve, të cilëve u janë drejtuar këto ajete, e kanë pranuar Teuhidin dhe besimin e drejtë dhe ata kishin nevojë për sqarimin e ibadeteve (ndaj Zotit) dhe normave ligjore mes njerëzve.
2. Në pjesën medinase zgjerohet përmendja e luftës me dispozitat e saj dhe e munafikëve (hipokritëve) me gjendjet e tyre, për shkak të nevojës aktuale. Kështu është pasi aty u ligjësua lufta dhe aty u shfaq nifaku, gjë që nuk ishte në pjesën mekase.
______________
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: “Usûl fit-tefsîr”, f. 20-21
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnotat:
[1] Sipas këtij definicioni, ky ajet llogaritet medinas edhe pse ka zbritur në Meke, për shkak se ka zbritur në periudhën pas Hixhretit, kur Profeti (ﷺ) ka shkuar për të kryer haxhin. Domethënë, nuk merret parasysh vendi, po periudha (përkthyesi).
[2] Sahihu i Buhariut, 45 dhe Sahihu i Muslimit, 3015.