TEFSIRI I AJETEVE 21 dhe 22 TË SURES EL-BEKARA
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمُ الَّذِي
خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
21. O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni!
Tefsiri i Sa’dit
Ky është një urdhërim gjithëpërfshirës për mbarë njerëzimin i një çështjeje në përgjithësi dhe ajo është: ibadeti (adhurimi), që përfshin: zbatimin e urdhrave të All-llahut, shmangien nga ndalimet e Tij dhe besimin në vërtetësinë e njoftimeve të Tij. Pra, All-llahu i Lartësuar ua ka urdhëruar çështjen për të cilën i ka krijuar.
All-llahu ka thënë:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dhârijât, 56]
الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ فِرَاشًا وَالسَّمَاءَ بِنَاءً وَأَنزَلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَخْرَجَ بِهِ مِنَ الثَّمَرَاتِ رِزْقًا لَّكُمْ ۖ فَلَا تَجْعَلُوا لِلَّهِ أَندَادًا وَأَنتُمْ تَعْلَمُونَ
22. i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej qiellit zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të dalin fryte si ushqim për ju. Prandaj mos i sajoni All-llahut shokë (diçka si të barabartë), duke qenë të vetëdijshëm!
Tefsiri i Sa’dit
Pastaj, për të argumentuar obligueshmërinë e kryerjes së ibadetit (adhurimit) vetëm për All-llahun, ka sjellë faktin se Ai është Zoti juaj, i Cili kujdeset për mbarëzhvillimin tuaj me nimete të llojllojta – ju ka krijuar pasi nuk ishit asgjë, i ka krijuar edhe ata që ishin para jush, ju ka dhuruar nimetet e dukshme dhe të padukshme, jua ka bërë tokën të shtruar, që të vendoseni (të qëndroni) në të, të përfitoni prej ndërtimeve, prej lëvrimit dhe mbjelljes, prej lëvizjes nga vendi në vend dhe prej dobive të tjera; qiellin jua ka bërë si ndërtesë për vendbanimin tuaj, duke vënë në të në dobinë tuaj gjëra të domosdoshme dhe të nevojshme për ju, si dielli, hëna dhe yjet.
“prej qiellit zbret ujë” – “السماء” (es-semâ’ – qielli): çdo gjë që ngrihet lart teje është “semâ”. Prandaj dijetarët e tefsirit kanë thënë: Me fjalën “semâ” këtu është për qëllim reja – pra, All-llahu i Madhëruar prej reve zbret ujë;
“dhe nëpërmjet tij bën që të dalin fryte” – si farërat dhe frutat, prej palmave, pemëve, drithërave etj.;
“si ushqim për ju.” – me to furnizoheni, ushqeheni, jetoni dhe kënaqeni.
“Prandaj mos i sajoni All-llahut shokë…” – d.m.th.: mos bëni ndonjë krijesë si të barabartë dhe të ngjashme me Atë duke e adhuruar siç e adhuroni All-llahun dhe duke e dashur siç e doni All-llahun, pasi ata janë si ju, të krijuar, të ushqyer e të sistemuar, nuk zotërojnë as edhe një grimcë në qiell e as në tokë, nuk ju sjellin dobi (nëse i adhuroni) dhe as nuk ju dëmtojnë (nëse nuk i adhuroni);
“…duke qenë të vetëdijshëm” – se All-llahu nuk ka ortak, as shembull të ngjashëm, as në krijim, furnizim e sistemim dhe as në ibadet. Kështu që, si po adhuroni të adhuruar të tjerë duke e ditur këtë? Kjo është prej çudive më të mëdha dhe prej marrëzive më të mëdha.
Ky ajet përmban në vetvete: urdhrin për ta adhuruar vetëm All-llahun Një dhe ndalimin e adhurimit të dikujt tjetër, si dhe e përmban dhe sqaron argumentin e shkëlqyer për obligueshmërinë e adhurimit të Tij dhe kotësinë e adhurimit të tjetërkujt – dhe ky argument është: Teuhidi i Rububijes, i cili nënkupton që All-llahu është i Vetmi të Cilit i përket krijimi, furnizimi e sistemimi.
Përderisa çdonjëri e pranon se All-llahu nuk ka ortakë në këto Cilësi, atëherë le ta pranojë njësoj se All-llahu nuk ka ortakë në adhurim. Ky është argumenti më i fortë logjik për Njëshmërinë e Krijuesit dhe për kotësinë e ortakërisë.
Kurse Thënia e Tij: “لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ” “që të mund të ruheni” – mund të ketë kuptimin: nëse ju e adhuroni vetëm All-llahun Një, do të jeni të ruajtur me këtë nga zemërimi dhe dënimi i Tij, sepse e keni bërë sebepin që i largon ato. Mund të ketë edhe kuptimin: nëse ju e adhuroni All-llahun, do të bëheni prej muttekinëve (atyre që ruhen), të cilësuarve me tiparin e takvasë (të ruajturit nga zemërimi i All-llahut). Të dyja këto kuptime janë të sakta dhe e nënkuptojnë njëra-tjetrën. Domethënë, kush e realizon ibadetin plotësisht, do të jetë prej atyre që ruhen, dhe kush bëhet prej atyre që ruhen, do ta arrijë shpëtimin nga dënimi i All-llahut dhe zemërimi i Tij.
____________
t.me/essunneh
Përktheu: Blerand Grubi