Abdullah ibën Mes’udi (radijAll-llahu anhu) ka transmetuar se Profeti (ﷺ) ka thënë:
ما أصاب أحدا قط هم ولا حزن، فقال:
“Çdo herë kur një rob e godet ndonjë shqetësim ose pikëllim, nëse thotë:
اللهُمَّ إِنِّي عَبْدُكَ وَابْنُ عَبْدِكَ وَابْنُ أَمَتِكَ، نَاصِيَتِي بِيَدِكَ، مَاضٍ فِيَّ حُكْمُكَ، عَدْلٌ فِيَّ قَضَاؤُكَ، أَسْأَلُكَ بِكُلِّ اسْمٍ هُوَ لَكَ سَمَّيْتَ بِهِ نَفْسَكَ، أَوْ أَنْزَلْتَهُ فِي كِتابِكَ، أَوْ عَلَّمْتَهُ أَحَدًا مِنْ خَلْقِكَ، أَوِ اسْتَأْثَرْتَ بِهِ فِي عِلْمِ الغَيْبِ عِنْدَكَ، أَنْ تَجْعَلَ القُرْآنَ رَبِيعَ قَلْبِي وَنُورَ صَدْرِي وَجَلاءَ حُزْنِي وَذَهَابَ هَمِّي.
[All-llamumme innî abduKe webnu ‘abdiKe webnu emetiK, nâsijetî biJediK, mâdin fijje hukmuK, ‘adlun fijje KadâuK, es’eluKe bikul-lismin huwe leKe, semmejte bihi NefseK, eu enzeltehu fî KitâbiKe, eu ‘al-lemtehu ehaden min khalkiKe, ewiste‘therte bihî fî ‘ilmil-gajbi ‘indeK, en texhë’alel-Kur’âne rabî’a kalbî, we nûra sadrî, we xhelâe huznî, we dhehâbe hemmî!]
“O All-llah! Unë jam robi yt, i biri i robit Tënd dhe i biri i robëreshës Sate. Ballukja ime është në Dorën Tënde. I kryer është vendimi Yt për mua, i drejtë është gjykimi Yt për mua. Të lutem me secilin Emër Tëndin me të cilin e ke quajtur Veten; ose e ke zbritur në Librin Tënd, ose ia ke mësuar dikujt prej krijesave Tua, ose e ke mbajtur veçmas për Vete në Diturinë e gajbit, (Të lutem) ta bësh Kuranin pranvera e zemrës sime, drita e kraharorit tim, heqja e pikëllimit tim dhe largimi i brengës sime!”
إلا أذهب الله همه وحزنه وأبدله مكانه فرجا
“(nëse i thotë këto fjalë) All-llahu ka për t’ia larguar brengën dhe pikëllimin dhe ka për t’ia ndërruar me rrugëdalje (gëzim)!”
Atëherë i thanë: “O i Dërguar i All-llahut! A t’i mësojmë këto (fjalë)?” Ai u përgjigj:
بلى ينبغي لمن سمعها أن يتعلمها
“Sigurisht. Ai që i dëgjon ato duhet t’i mësojë!” [1]
Shpjegimi:
“O All-llah! Unë jam robi yt, i biri i robit Tënd dhe i biri i robëreshës Sate.” – me këtë e pranon robërinë dhe nënshtrimin ndaj Zotit.
“Ballukja ime është në Dorën Tënde” – nuk ka lëvizje dhe as fuqi pa e mundësuar Ti (dhe jam nën sundimin Tënd të plotë).
“I kryer është vendimi Yt për mua” – nuk ka kush e ndalon veprën Tënde dhe nuk ka kush e ndryshon vendimin Tënd.
“i drejtë është gjykimi Yt për mua.” – sepse Ti vepron në mbretërinë Tënde në përputhje me Urtësinë Tënde.
“Të lutem me secilin Emër Tëndin me të cilin e ke quajtur Veten;” – kjo është në përgjithësi, kurse në vazhdim shpjegohet në veçanti:
“ose e ke zbritur në Librin Tënd” – pra në Shkrimet e Shenjta të zbritura;
“ose ia ke mësuar dikujt prej krijesave Tua” – të përzgjedhura; profetëve dhe të dërguarve;
“ose e ke mbajtur veçmas për Vete në Diturinë e gajbit” – nuk ia ke shpallur asnjë engjëlli të afërt dhe asnjë profeti të dërguar.
Lutja përmes Emrave të All-llahut është mënyra më madhështore e lutjes, më e dashura tek All-llahu dhe më e afërta për ta arritur kërkesën e dëshiruar.
“(Të lutem) ta bësh Kuranin pranvera e zemrës sime” – kjo është kërkesa, kurse gjithçka përpara kësaj është mjet për te kjo.
Së pari e shfaqi skajshmërinë e përulësisë, vogëlsisë, pamundësisë dhe nevojës përpara All-llahut dhe së dyti sqaroi pozitën e madhërishme të All-llahut dhe madhështinë e Emrit të Tij, duke mos lënë asnjë Emër pa e përfshirë.
Pastaj kërkesën e parashtroi në mënyrë të sjellshme, si mjet për të arritur te kërkesa e parë, e cila është: largimi i brengës.
Kuranin e bëri “pranvera e zemrës” – shprehje që simbolizon gëzimin – sepse njeriut zemra i qetësohet në pranverë, më shumë se në çdo kohë, dhe anon nga ajo në çdo vend.
Siç është pranvera shkak përmes të cilit shfaqen gjurmët e mëshirës së All-llahut (shiu) dhe ringjallja e tokës pas vdekjes së saj, njësoj edhe Kurani është shkak përmes të cilit shfaqen gjurmët e butësisë së All-llahut, si imani, dituritë, largimi i errësirave të femohimit, injorancës dhe shqetësimit.
“drita e kraharorit tim” – e cila shndrit në zemrën time e përmes së cilës e dalloj të vërtetën nga të tjerat.
“heqja e pikëllimit tim dhe largimi i brengës sime!” – i lutet ta bëjë Kuranin shërim për brengën dhe pikëllimin e tij, në rolin e një ilaçi që e çrrënjos sëmundjen dhe ia kthen trupit shëndetin.
Mir’âtul-Mefâtîh, 8/206 – me shkurtim.
Përktheu: Blerand Grubi
[1] Hadithin e ka përcjellë Ahmedi, Ebu Ja’la e të tjerë. Shejh Albani e quan sahih, “Silsiletul-Ehadith es-Sahiha” nr. 199.
Shënim: Është e preferuar që femrat ta ndryshojnë fillimin e lutjes dhe ta përshtatin për gjininë femërore:
اللهم إني أمتك وبنت عبدك وبنت أمتك…
[All-llamumme innî emetuKe webintu ‘abdiKe webintu emetiK…]
“O All-llah! Unë jam robëresha jote, e bija e robit Tënd dhe e bija e robëreshës Sate…”