Treguam se qëllimi, për të cilin Krijuesi i Lartësuar e ka sjellë njeriun në këtë ekzistencë, është ibadeti (adhurimi) ndaj All-llahut.

Adhurimi është misioni ynë i jetës, është detyra jonë e parë. Adhurimi është nderi ynë dhe ngritja jonë. Prej tij varet lumturia në dynja dhe Ahiret.

Kështu që adhurimi është gjëja më e rëndësishme për të cilën duhet të interesohet njeriu, të cilës duhet t’ia kushtojë kohën më të çmuar dhe për të cilën duhet të gjurmojë.


Atëherë, çfarë do të thotë “Ibadet”?

Dijetari kolosal, Ibën Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Fjala ibadet (adhurim) ka kuptim të përgjithshëm dhe kuptim të veçantë.

Ibadeti me kuptimin e përgjithshëm është:

“Përulja ndaj All-llahut të Lartësuar me dashuri dhe madhërim, duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, në atë formë që përputhet me Ligjet e Tij të zbritura”.

Kurse ibadetin me kuptimin e veçantë – d.m.th. të zbërthyer – e ka definuar Shejhul-Islam Ibën Tejmije kështu:

“Ibadeti është emër përmbledhës për çdo gjë që All-llahu e do dhe është i Kënaqur me të, qoftë fjalë ose vepër, qoftë e brendshme ose e jashtme. Si për shembull: frika, frikëmadhërimi, mbështjetja, namazi, zekati, agjërimi dhe çështje të tjera të ligjshme në Islam”.[1]

Dijetari i nderuar Sâlih el-Feuzân ka thënë:

“Ibadeti është: Përpjekja e robit për t’iu afruar All-llahut, përmes çdo gjëje që e ka ligjësuar All-llahu, qoftë vepër ose fjalë, e dukshme ose e fshehtë.

Ibadeti (adhurimi) është haku i All-llahut dhe detyrimi që e kanë krijesat kundrejt Tij, ndërsa dobia e adhurimit u kthehet vetëm atyre. Prandaj, kush refuzon ta adhurojë All-llahun quhet mendjemadh, kush e adhuron All-llahun dhe, bashkë me Atë, e adhuron dikë tjetër, quhet mushrik (idhujtar), kush e adhuron vetëm All-llahun Një por me diçka që nuk e ka shpallur, quhet bidatçi (shpikës) dhe kush e adhuron vetëm All-llahun me ibadetet që i ka shpallur Ai, quhet besimtar muwahhid (monoteist).”[2]


Burimi:


[1] Fikhul-ibâdât, f. 12.

[2] Dawabit el-Ibadeh es-Sahiha.

Përktheu dhe përshtati: Blerand Grubi.