Feja Islame

1. Islami është feja e natyrshmërisë, me të cilën All-llahu i ka krijuar në origjinë njerëzit dhe është thirrja e profetëve dhe të dërguarve në të kaluarën. Të gjithë profetët i ftonin popujt e tyre drejt kësaj feje që të bëhen muslimanë, siç ka thënë All-llahu i Lartësuar në Librin e Tij të Madhërishëm, në lidhje me Ibrahimin (alejhis-selam), ‘babanë e profetëve’ dhe ‘mikun e ngushtë të të Gjithëmëshirshmit’:

وَمَن يَرْغَبُ عَن مِّلَّةِ إِبْرَاهِيمَ إِلَّا مَن سَفِهَ نَفْسَهُ ۚ وَلَقَدِ اصْطَفَيْنَاهُ فِي الدُّنْيَا ۖ وَإِنَّهُ فِي الْآخِرَةِ لَمِنَ الصَّالِحِينَ (130) إِذْ قَالَ لَهُ رَبُّهُ أَسْلِمْ ۖ قَالَ أَسْلَمْتُ لِرَبِّ الْعَالَمِينَ (131) وَوَصَّىٰ بِهَا إِبْرَاهِيمُ بَنِيهِ وَيَعْقُوبُ يَا بَنِيَّ إِنَّ اللَّهَ اصْطَفَىٰ لَكُمُ الدِّينَ فَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ (132)

130. Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët (në gradat më të larta).
131. Kur Zoti i tij i tha: “Eslim (përulu)!” – ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të gjithësisë!”
132. Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, All-llahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (të nënshtruar ndaj Atij)!” [elBekara]

2. All-llahu i Madhëruar e dërgoi profetin e Tij Muhamed (ﷺ) me këtë fe madhështore, në një moment kur Ithtarët e Librave, jehudët dhe të krishterët, ishin zhytur në injorancë dhe humbje, pasi që e kishin ndryshuar dhe deformuar Teuratin dhe Ungjillin dhe kishin rënë në lojërat e ëndjeve. Që të dyja grupet, jehudët dhe të krishterët, u rreshtuan në një linjë me idhujtarët e fisit Kurajsh në sulmin kundër Muhamedit (ﷺ) dhe thirrjes së tij. Sidomos jehudët, edhe pse e njihnin atë në mënyrë të plotë nga librat e tyre dhe e dinin se ishin urdhëruar ta ndiqnin dhe të besonin në thirrjen e tij, siç ka thënë All-llahu (subhaneHu ue te’ala):

الَّذِينَ آتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ يَعْرِفُونَهُ كَمَا يَعْرِفُونَ أَبْنَاءَهُمْ ۖ وَإِنَّ فَرِيقًا مِّنْهُمْ لَيَكْتُمُونَ الْحَقَّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ

“Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Profetin Muhamed ﷺ), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.” [elBekara, 146]

3. Kur Profeti ynë Muhamed (ﷺ) u vendos në Medine, dërgoi mesazhe mbretërve të asaj kohe në të gjithë botën, për t’i ftuar ata në fenë e All-llahut, e cila do t’i nxjerrë nga errësirat në dritë.

Rib’i ibën Amir (radijAll-llahu anhu) ka dhënë një sqarim konciz, kur e ka pyetur udhëheqësi i persëve Rostam: “Çka jeni ju?”, dhe ai është përgjigjur:

“Ne jemi një popull, që All-llahu na ka deleguar për t’i nxjerrë, kë të dojë Ai, nga robërimi (adhurimi, nënshtrimi) ndaj robërve tek robërimi ndaj Zotit të robërve, nga ngushtësia e dynjasë tek gjerësia e dynjasë dhe ahiretit dhe nga padrejtësia e feve te drejtësia e Islamit!”

4. Kjo fe, e cila është vula e shpalljes, ka ardhur për t’i vënë gjërat në vendin e duhur dhe për t’i orientuar dhe udhëzuar njerëzit në mënyrën më të saktë, drejt besimit në Njëshmërinë e All-llahut, drejt imanit në profetët dhe të dërguarit e Tij dhe drejt thirrjes për tek ajo që kanë thirrur ata: Teuhidit të All-llahut dhe nënshtrimit të fytyrës (gjithë adhurimit) për Atë.

Ndërsa jehudët dhe nesarat (a.q. të krishterët) bien në dy ekstreme të kundërta:

Jehudët njihen për shpërfillje të të drejtave të profetëve; ata i kanë vrarë disa prej tyre e për disa kanë shpifur gjëra që nuk i kanë hije njerëzve të thjeshtë, e lëre më krijesave më të mira të All-llahut, profetëve të mbrojtur nga gjynahet.

Nesarat, në ekstremin tjetër, e kanë tepruar në madhërimin e Isait dhe kanë pretenduar se All-llahu është “njëri prej treve”.

Kurse Islami, ka ardhur për ta bërë të Vërtetën ngadhënjyese dhe për ta zhdukur të pavërtetën, duke qenë mesatar dhe i drejtë, pa neglizhencë dhe pa teprim. Siç ka thënë i Lartësuari:

وَكَذَلِكَ جَعَلْنَاكُمْ أُمَّةً وَسَطًا لِتَكُونُوا شُهَدَاءَ عَلَى النَّاسِ وَيَكُونَ الرَّسُولُ عَلَيْكُمْ شَهِيدًا

“Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi mesatare (të drejtë), që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.”  [elBekara, 143]

Gjithashtu, All-llahu (azze ue xhel-le), duke i ndaluar dhe paralajmëruar Ithtarët e Librave nga ekstremizmi (teprimi) dhe duke e paralajmëruar këtë Umet që të mos ecë rrugës së atyre të parëve, ka thënë:

يَا أَهْلَ الْكِتَابِ لا تَغْلُوا فِي دِينِكُمْ وَلا تَقُولُوا عَلَى اللَّهِ إِلا الحق

“O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për All-llahun thoni vetëm të vërtetën!”

Buhariu, te libri i tij “Sahih”, ka transmetuar një hadith nga Umeri (radijAll-llahu anhu), në të cilin Profeti (ﷺ) ka thënë:

»لا تطروني كما أطرت النصارى ابن مريم، إنما أنا عبد فقولوا: عبد الله ورسوله«

“Mos e teproni me mua, si e tepruan nesarat (të krishterët) me të birin e Merjemes! Unë jam thjesht një rob, prandaj thoni për mua: robi i All-llahu dhe i dërguari i Tij!”

Po ashtu, në një transmetim autentik nga Ibën Abbasi (radijAll-llahu anhumâ), Profeti (ﷺ) ka thënë:

« إياكم والغلو في الدين فإنما أهلك من كان قبلكم الغلو في الدين»

“Ruajuni shumë nga teprimi në fe! Sepse ajo që i shkatërroi ata që ishin para jush në të vërtetë ishte teprimi në fe.”

5.  Vlerat e bukura të Fesë Islame janë tepër të shumta dhe nuk mund të llogariten. E si të mos jenë ashtu kur ajo është Feja e All-llahut; Feja e Atij që di çdo gjë, që ka urtësi absolute dhe argument të pakontestueshëm. Feja e Atij që është i Urti i Gjithëdijshëm për gjithçka që cakton dhe krijon dhe i Urti i Gjithëdijshëm për gjithçka që e ligjëson për robërit e Vet.

Kështu që, s’ka mbetur asnjë e mirë, pa na ftuar i Dërguari ynë (ﷺ) drejt saj dhe pa e udhëzuar Umetin e tij drejt saj dhe nuk ka mbetur asnjë e keqe, pa i paralajmëruar nga ajo.

Është përcjellë te Sahihu i Muslimit, nga Abdull-llah ibën Amër ibën ‘As (radijAll-llâhu anhumâ), se Profeti (ﷺ) ka thënë:

»ما بعث الله من نبي إلا كان حقا عليه أن يدل أمته على خير ما يعلمه لهم وينذرهم شر ما يعلمه لهم«

“Çdo profet, që All-llahu e ka dërguar, e ka pasur obligim që ta udhëzojë umetin e tij drejt asaj që e dinte që është më e mira për ta dhe t’i paralajmërojë kundër asaj që e dinte që është më e keqja për ta!”

Në Musnedin i imam Ahmedit është përcjellë një transmetim me zinxhir të saktë nga Ebu Hurajra (radijAll-llahu anhu) se Profeti (ﷺ) ka thënë:

 »إنما بعثت لأتمم صالح الأخلاق« 

“Unë jam dërguar në të vërtetë për t’i plotësuar moralet e bukura!”

6.  Kurse ajo që po e vërejmë sot, se si jobesimtarët, idhujtarët, ithtarët e Librave, jehudë dhe të krishterë, po hyjnë grupe-grupe në Islam, është veç argument për dështimin e këtyre religjioneve dhe filozofirave tjera në gjetjen e qetësisë, rehatisë dhe lumturisë për njerëzit.

Ajo që është obligim për muslimanët, sidomos për thirrësit, është që të aktivizohen në thirrjen e këtyre umeteve të pranojnë fenë e All-llahut. Dhe të mos harrojmë, para kryerjes së këtij obligimi, që ta zbatojmë Islamin në vetët tona dhe të jemi shembull në dituri dhe sjellje, sepse njerëzimi ka nevojë për dikë që i nxjerrë nga errësirat në dritë, me lejen e All-llahut;

وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِّمَّن دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ

“E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt All-llahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam musliman.” [en-Nisa’, 171]

I lutem All-llahut të Lartësuar që të na bëjë thirrës drejt çdo mirësie, të na dhurojë kuptim të mprehtë të Fesë sonë dhe të na dhurojë sukses në thirrjen drejt Tij me dituri të qartë! Vërtet Ai është Zoti i kësaj dhe i Plotfuqishëm për këtë.

Falja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin me Muhamedin, si dhe me familjen dhe shokët e tij.

Autor: Abdul-Aziz ibën Bâz
Përktheu: Blerand Grubi
Burimi (kliko)