Cilat janë obligimet tona në
Ramazan?
Muaji i Ramazanit është një muaj i madh dhe i begatë.
All-llahu në të e ka zbritur Kuranin si udhërrëfyes për njerëzit, plot me
argumente të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Ai
e bëri agjërimin e tij një shtyllë nga shtyllat e Islamit dhe e bëri namazin e
natës vepër vullnetare përmes së cilës shtohen veprat e mira dhe shkak për
shpëtim nga Zjarri.
Në dy Sahihat përcillet se i Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka thënë:
«مَن صام رمضان إيماناً واحتساباً غُفِرَ له ما تقدَّم من
ذنبه، ومَن قام ليلة القدر إيماناً واحتساباً غُفِرَ له ما تقدَّم من ذنبه»
“Kush e agjëron
Ramazanin me iman dhe shpresë në shpërblim, atij i falen të gjitha mëkatet që i
ka bërë më parë. Kush falet gjatë Natës së Kadrit me iman dhe shpresë në
shpërblim, atij i falen të gjitha mëkatet që i ka bërë më parë.”[1]
Ta agjërosh Ramazanin ‘me iman’ d.m.th.:
me besim tek All-llahu (azze ue xhel-le) dhe me besim te Sheriati i All-llahut,
duke e pranuar dhe duke iu nënshtruar atij, dhe gjithashtu duke shpresuar
shpërblimin, të cilin All-llahu e ka caktuar për këtë agjërim dhe për namazin e
natës.
Kush falet natën gjatë Ramazanit ose gjatë Natës së
Kadrit i cilësuar me këto dy cilësi – besimin dhe shpresën në shpërblim – atij
All-llahu do t’ia falë të gjitha mëkatet që i ka bërë më parë.
Nëse hedhim një sy mbi të kaluarën, do të gjejmë raste
dhe ngjarje madhështore që kanë ndodhur përgjatë këtij muaji të bekuar. Do të
gjejmë ngjarje, që me kujtimin e tyre dhe të rezultateve të tyre të mira,
besimtari gëzohet.
Ngjarja e parë: Në këtë
muaj All-llahu e ka zbritur Kuranin, d.m.th. e ka filluar në të zbritjen e
Kuranit dhe e ka bërë atë plot bereqet. Me të muslimanët çliruan shumë vende të
botës, në lindje e perëndim; me të u lartësuan muslimanët dhe u ngrit flamuri i
Islamit në çdo vend.
Për të gjithë ne është e njohur ngjarja kur Halifit të
drejtë – ‘Umer ibnul-Hattabit – ia sollën kurorën e Kisras (udhëheqësit të
Persisë) prej Medeinit në Medine të bartur mbi dy deve, siç është përmendur në
histori. Ia sollën përpara ‘Umerit, All-llahu qoftë i Kënaqur me të, ndërsa
kurorës nuk i mungonte as edhe një rruazë. E gjithë kjo tregon për krenarinë e
muslimanëve dhe poshtërimin e idhujtarëve, ndërsa lavdia i takon Vetëm
All-llahut.
Ne jemi të bindur se Umeti Islam do t’i kthehet Kuranit
Fisnik, do të gjykojnë në bazë të tij dhe, in-shâ’All-llâh, krenaria do të kthehet
tek ata.
Mirëpo, ai që mbledh mjaltin patjetër do pickohet nga
bleta dhe ai që mbledh trëndafila patjetër do të pickohet nga gjembat.
Patjetër që ndihmën e paraprijnë sprova, për ata që e
praktikojnë Islamin dhe thërrasin drejt tij, ngase All-llahu i Lartësuar ka
thënë në Librin e Tij:
وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ حَتَّى نَعْلَمَ الْمُجَاهِدِينَ
مِنْكُمْ وَالصَّابِرِينَ
“Ne do t’ju
sprovojmë derisa t’i dimë mes jush ata që luftojnë (në rrugën
e drejtë) dhe durojnë.”[2]
Dhe ka thënë gjithashtu:
أَمْ حَسِبْتُمْ أَنْ تَدْخُلُوا الْجَنَّةَ
وَلَمَّا يَأْتِكُمْ مَثَلُ الَّذِينَ خَلَوْا مِنْ قَبْلِكُمْ مَسَّتْهُمْ
الْبَأْسَاءُ وَالضَّرَّاءُ وَزُلْزِلُوا حَتَّى يَقُولَ الرَّسُولُ وَالَّذِينَ
آمَنُوا مَعَهُ مَتَى نَصْرُ اللَّهِ أَلا إِنَّ نَصْرَ اللَّهِ قَرِيبٌ
“Vërtet mendoni
të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i
goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe
ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e All-llahut?!” Ja, me të
vërtetë ndihma e All-llahut është afër!”[3]
Ngjarja e dytë në këtë
muaj të bekuar është Beteja e Bedrit. Beteja e Bedrit ndodhi në vitin e dytë të
Hixhretit, ndërsa shkaku i saj ishte se i Dërguari i All-llahut (ﷺ) dëgjoi se një karvan i Kurejshëve, i udhëhequr nga Ebu
Sufjani, po vinte prej Shamit për në Meke.
Kur dëgjoi për të, ai i dërgoi më të shpejtët prej
shokëve të tij, t’i dilnin karvanit përpara që ta marrin atë. Kjo ndodhi për
shkak se Kurejshët e dëbuan Profetin (ﷺ) me shokët e
tij nga tokat dhe pasuritë e veta, si dhe në mes Kurejshëve dhe Profetit (ﷺ) nuk kishte asnjëfarë marrëveshje dhe asnjëfarë garancie.
I Dërguari (ﷺ) u nis drejt
karvanit që ta merrnin atë. Ai doli me një numër të vogël, pak më shumë se
treqind e dhjetë burra, për shkak se ata nuk donin luftë porse donin vetëm
marrjen e karvanit. Prandaj ata dolën me numër kaq të vogël dhe me vete kishin
vetëm shtatëdhjetë deve dhe dy kuaj, që i shoqëronin.
Ndërsa Ebu Sufjani, i cili e udhëhiqte karvanin, dërgoi lajmëtarë te populli i Mekes, që t’i nxiste ata të dilnin në mbrojtje të karvanit të tyre dhe ta shpëtojnë nga i Dërguari i All-llahut (ﷺ). Atëherë, banorët e Mekes dolën me të gjitha armët. Dolën me mendjemadhësi dhe arrogancë. Dolën ashtu siç i ka përshkruar All-llahu me Fjalët e Tij:
وَلا تَكُونُوا كَالَّذِينَ خَرَجُوا مِنْ دِيَارِهِمْ بَطَراً
وَرِئَاءَ النَّاسِ وَيَصُدُّونَ عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ وَاللَّهُ بِمَا
يَعْمَلُونَ مُحِيطٌ
“… dolën nga
shtëpitë e tyre me arrogancë e për sy e faqe të botës, duke dashur t’i pengojnë
njerëzit nga rruga e All-llahut. Dhe All-llahu e di shumë mirë çfarë punojnë
ata.”[4]
Përgjatë rrugës, Kurejshëve u mbërriti lajmi se Ebu
Sufjani dhe karvani i tij shpëtuan nga Profeti (ﷺ).
Atëherë, ata konsultoheshin me njëri-tjetrin: të kthehen
apo të mos kthehen?! Atëherë Ebu Xhehli – i cili ishte prijësi i tyre – tha:
“UAll-llahi nuk kemi për t’u kthyer derisa ta arrijmë Bedrin, të qëndrojmë në
të tri ditë e të therim në të deve e dhen, të pimë verë, të na luajnë
këngëtaret me instrumente e të dëgjojnë arabët për ne, ashtu që të vazhdojnë të
na kenë frikën përgjithmonë.”
Këto fjalë tregojnë për mendjemadhësinë dhe arrogancën e
tyre dhe për bindjen që e kanë pasur tek e pavërteta, duke dashur me të ta
rrëzojnë të Vërtetën.
Kështu, ata u ballafaquan me Profetin (ﷺ) me të gjitha armët, me mendjemadhësinë, arrogancën dhe fuqinë
e tyre. Ata ishin afërsisht njëmijë e nëntëqind burra, ndërsa Profeti (ﷺ) dhe shokët e tij ishin pak më shumë se treqind e dhjetë burra.
Atëherë, u ballafaquan të dy ushtritë – ushtria e All-llahut (azze ue xhel-le)
dhe ajo e shejtanit – dhe fitorja i takoi ushtrisë së All-llahut (azze ue
xhel-le).
Aty u vranë shtatëdhjetë ushtarë të Kurejshëve, mes të
cilëve njerëzit më të mëdhenj, më të nderuar dhe më të vlefshëm të tyre, si dhe
u zunë peng shtatëdhjetë burra.
Profeti (ﷺ) qëndroi në fushën e betejës për tri ditë, siç e kishte traditë, pas triumfit dhe fitores. Në ditën e tretë ai eci, i hipur mbi kafshë, deri sa ndaloi te pusi i Bedrit, aty ku u hodhën njëzet e katër burra nga trimat e Kurejshëve.
Ndaloi pranë pusit, duke i thirrur ata me emrat e tyre
dhe me emrat e baballarëve të tyre. Thoshte:
«يا فلان ابن فلان، هل وجدت ما وعد ربكم حقاً، إني وجدت ما
وعدني ربي حقاً».
“O filani, i biri
i filanit! A e gjete të vërtetë atë që e premtoi Zoti juaj? Pasi unë e gjeta të
vërtetë atë që ma premtoi Zoti im”.
Atëherë, i thanë (shokët): “O i Dërguar i All-llahut! Si
po u flet njerëzve që janë kalbur?”
Ai tha:
«ما أنتم بأسمع لِمَا أقول منهم، ولكنهم لا يستجيبون»
“Ju nuk e dëgjoni
më mirë se ata këtë që po e them, mirëpo ata nuk mund të përgjigjen!”
Ose ka thënë:
«لا يرجعون قولاً».
“Ata s’mund të
kthejnë asnjë fjalë!” [5]
Pastaj Profeti (ﷺ) u kthye
fitimtar në Medinën Profetike, ndërsa lavdia i takon Vetëm All-llahut.
Ngjarja e tretë është çlirimi
i Mekës. Asokohe Meken e sundonin idhujtarët dhe e kishin rrënuar me kufër,
shirk dhe gjynahe. Prandaj, All-llahu (subhâneHu ue te’âlâ) i
lejoi Profetit të Tij (ﷺ) që t’i
luftonte banorët e saj dhe ia bëri të lejuar luftën në të vetëm një orë të
ditës. Pastaj, pas çlirimit, asaj iu kthye shenjtëria (ndalesa e luftës), ashtu
siç e kishte para çlirimit.
Profeti (ﷺ) hyri në të
ditën e xhuma, më njëzet ramazan, të vitit tetë Hixhri, triumfues e
ngadhënjimtar. Eci derisa u ndal te dera e Kabes, ndërsa Kurejshët qëndronin
poshtë tij, duke pritur se çka do të bëjë me ta. Atëherë u tha:
«يا قريش، ما ترون أني فاعل بكم؟»
“O Kurejsh! Çka
mendoni se do të bëj me ju?”
Ata thanë: “Diçka të mirë. Ti je vëlla fisnik, bir i një
vëllai fisnik!” I Dërguari (ﷺ) tha:
«اذهبوا فأنتم الطلقاء».
“Shkoni se jeni
të lirë!” [6]
Pra, ai u tregua i mirë me ta pasi që kishte pushtet mbi
ta (ti vrasë), dhe ky është kulmi dhe shkalla më e lartë që mund të jetë e
moralit dhe e faljes.
Pasi që i rrëfyem këto ngjarje, duhet të pyesim: Ç’duhet
të bëjmë ne në Muajin e Ramazanit?
Ajo që duhet të bëjmë në këtë muaj është ose obligim ose
e pëlqyer. Obligim është agjërimi, ndërsa e pëlqyer është falja natën.
Agjërimi, siç e dimë të gjithë, është: “të
përmbahesh nga gjërat që e prishin atë, prej lindjes së agimit e deri në
perëndimin e Diellit, duke synuar me të adhurimin e All-llahut”. Argument
për këtë është Fjala e të Lartësuarit:
فَالآنَ بَاشِرُوهُنَّ وَابْتَغُوا مَا كَتَبَ
اللَّهُ لَكُمْ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَكُمْ الْخَيْطُ
الأَبْيَضُ مِنْ الْخَيْطِ الأَسْوَدِ مِنْ الْفَجْرِ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ
إِلَى اللَّيْلِ
“Ndërsa tani, ju
lejohet bashkimi me to (bashkëshortet tuaja) dhe kërkoni atë që ka caktuar
All-llahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë e agimit nga
fija e zezë (lindja e sabahut në horizont),
pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.”[7]
Qëllimi i agjërimit nuk është stërvitja e trupit që të
durojë etje, uri e vështirësi, po qëllimi është stërvitja e trupit në lënien e asaj
që të pëlqen, me qëllim arritjen e kënaqësisë së Atij
që ti e do.
Gjërat që i pëlqen e që duhet
t’i lësh janë: ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet. Këto janë epshet që i ka njeriu
në vetvete.
Ndërsa Ai të Cilin ti e do dhe
kënaqësinë e të Cilit duhet ta kërkosh, është All-llahu ‘azze ue xhel-le.
Pra patjetër duhet ta kujtojmë këtë synim (nijet); ta
kujtojmë se me lënien e këtyre gjërave ne e kërkojmë kënaqësinë e All-llahut (‘azze
ue xhel-le).
Urtësinë, se pse agjërimi është bërë obligim për këtë
Umet, na e ka sqaruar All-llahu (subhaneHu ue te’ala) në
Kuran:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ
عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ
تَتَّقُونَ
“O ju që keni
besuar! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para
jush, që të ruheni.”[8]
Në këtë ajet, fjala (لَعَلَّ) – le’al-le
është sqaruese e arsyes, d.m.th.: arsyeja pse ju është urdhëruar agjërimi
është: të fitoni takva; të ruheni nga All-llahu, e t’i lëni haramet dhe t’i
kryeni obligimet.
Në Sahih transmetohet se Profeti (ﷺ) ka thënë:
«مَن لم يدع قول الزور والعمل به والجهل، فليس لله حاجة في
أن يدع طعامه وشرابه».
“Kush nuk i lë
fjalët e rrejshme dhe punën me to si dhe kush nuk e lë xhehlin (pamaturinë;
keqdashjen ndaj njerëzve), (le ta dijë se) nuk është qëllimi i All-llahut që
njeriu ta lërë ushqimin e pijen.” [9]
– Domethënë se All-llahu nuk do që ne thjesht ta lëmë
ushqimin dhe pijen, por, dëshiron prej nesh që të lëmë fjalën e rrejshme, punën
me të dhe padrejtësinë (ndaj të tjerëve).
Prandaj është e pëlqyeshme për agjëruesin që nëse dikush
e shan ose e lufton, gjatë kohës së agjërimit, ai t’i thotë: “Unë po agjëroj!”
dhe të mos ia kthejë atij. Sepse, ai po ia ktheu, atëherë i pari ia kthen
prapë, pastaj ky ia kthen për së dyti herë, dhe i pari prapë ia kthen… e
kështu agjërimi bëhet i tëri sharje e grindje. Kurse nëse i thotë: “Unë po
agjëroj!”, atëherë, ia bën me dije atij që e shau ose e luftoi se nuk është i
paaftë të përballet me të, mirëpo, ajo që e ndalon nga kjo është agjërimi.
Kështu, i pari do të ndalet, do të turpërohet dhe nuk do të vazhdojë më me
sharje e grindje.
Kjo, pra, është urtësia se pse është obliguar agjërimi. E
pasi është kështu, ne duhet gjatë agjërimit të interesohemi dhe të kujdesemi
për kryerjen e adhurimeve, si: dhikri, leximi i Kuranit, namazi, lëmosha,
bamirësia ndaj njerëzve, buzëqeshja, zemërgjerësia dhe morali i mirë; si dhe të
veprojmë gjithçka me të cilën kemi mundësi t’i përmirësojmë vetet tona.
Nëse muslimani vazhdon të jetë në këtë gjendje gjatë
gjithë muajit, atëherë ai patjetër që do të ndikohet dhe, kur të përfundojë
muaji, gjendja e tij do të ndryshojë. Prandaj është kërkuar që, në fund të
muajit, njeriu të nxjerrë Zekatin e Fitrit për ta plotësuar pastrimin
shpirtëror. Për shkak se vetja, siç pastrohet me kryerjen e adhurimeve dhe braktisjen
e harameve, pastrohet gjithashtu edhe me dhënien e lëmoshës. Për këtë arsye
dhënia e lëmoshës është quajtur zekat (arab.
pastrim).
_____________
Autor: Ibën Uthejmin
Burimi:
48 pyetje për agjërimin
Përkthimi:
Blerand Grubi
Fusnota:
[1] E
transmetoi Buhariu: 1901 dhe Muslimi: 1731.
[2] Muhammed:
31
[3] El-Bekarah:
214
[4] El-Enfal:
47
[5] Trans.
Muslimi me fjalë të përafërta. Nr 2874, Libri i Xhennetit.
[6] E
transmetoi Ibën Is’haku, ashtu siç është tek ‘es-Sîra enNebeuijjeh’ nga Ibën
Hishami 4/78. Gjithashtu e transmetoi Ibën Sa’d në ‘et-Tabekat’ 2/141, 142.
[7] el-Bekarah:
187
[8] el-Bekarah:
183
[9] E
trasmetoi Buhariu: 1903 dhe 6057.