All-llahu e ka ligjësuar agjërimin për disa arsye dhe urtësi. Prej tyre është që njeriu ta pastrojë shpirtin nga gabimet e shëmtuara dhe sjelljet e ulëta.
Dijetari kolosal Ibën Uthejmin (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Urtësinë, se pse agjërimi është bërë i obliguar për këtë Umet, na e ka sqaruar All-llahu i Lartësuar në Fjalët e Tij:
(( يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ))
“O ju që keni besuar! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni.”
D.m.th. arsyeja është: që të ruheni (të fitoni takva) nga All-llahu e t’i lini gjërat që jua ka ndaluar All-llahu dhe t’i kryeni ato që jua ka obliguar.
Në Sahihun e Buhariut transmetohet se Profeti (ﷺ) ka thënë:
«مَن لم يدع قول الزور والعمل به والجهل، فليس لله حاجة في أن يدع طعامه وشرابه»
“Kush nuk i lë fjalët e padrejta (gënjeshtrat, shpifjet, përgojimin…) dhe punën me to, si dhe kush nuk i lë marrëzitë, (le ta dijë se) nuk është qëllimi i All-llahut që njeriu ta lërë ushqimin dhe pijen.” [Buhariu]
Që do të thotë se All-llahu nuk kërkon prej nesh që veç të lëmë ushqimin dhe pijen, por dëshiron që ne të lëmë fjalët e kota (me gojë) dhe punën me to (me gjymtyrë), si dhe ta lëmë keqdashjen dhe armiqësimin.” [Burimi: “48 pyetjet e agjërimit”]
Dijetari el-Abbad (All-llahu e ruajttë), lidhur me këtë hadith ka thënë:
“Ky hadith nënkupton se ka njerëz që sebep agjërimit e lënë ushqimin dhe pijen, të cilat janë gjëra hallall, ndërsa gjërat që janë haram, që nuk lejohen as gjatë agjërimit as jashtë agjërimit, nuk i lënë! Si p.sh. përgojimin etj.
Ky hadith e shpjegon edhe rrezikun që bartin gjynahet dhe se ato e cungojnë dhe dobësojnë agjërimin, madje mund të jenë sebep që edhe t’i humbë krejt shpërblimi i agjërimit.
Kjo nuk do të thotë se nëse bën gibet (përgojon), atij i prishet agjërimi, ose se duhet ta kompensojë atë ditë. Jo, por e ka për obligim t’i kërkojë falje All-llahut (azze ue xhel-le) dhe të pendohet për atë gibet…” [Burimi: Sherh Sunen Ebi Dawud, 13/100]
Domethënë, këto vese e gjynahe (thashethemet, përgojimi, fjalët e kota…), janë haram në çdo kohë, mirëpo në Ramazan atyre u shtohet ndalesa dhe shëmtia edhe më shumë.
I Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka thënë:
“الصيام جُنَّة فإذا كان يوم صوم أحدكم، فلا يرفث ولا يصخب، فإن سابَّه أحد أو قاتله فليقل: إني صائم“
“Agjërimi është mburojë. Ditën që ndonjëri prej jush agjëron le të mos flasë (ose veprojë) pandershëm dhe as të mos grindet! Nëse dikush e shan ose e lufton, le të thotë: “Unë jam duke agjëruar!”. [Buhariu dhe Muslimi]
Përktheu dhe përgatiti: Blerand Grubi