Në Kuran janë përmendur tri gjëra që e prishin agjërimin: ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime. Argument për këtë është Thënia e të Lartësuarit:

فَالآنَ بَاشِرُوهُنَّ وَابْتَغُوا مَا كَتَبَ اللَّهُ لَكُمْ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَكُمْ الْخَيْطُ الأَبْيَضُ مِنْ الْخَيْطِ الأَسْوَدِ مِنْ الْفَجْرِ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْلِ

“Ndërsa tani, ju lejohet bashkimi me to (bashkëshortet tuaja) dhe kërkoni atë që ka caktuar All-llahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë e agimit nga fija e zezë, pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.[1]

Sa i përket ngrënies dhe pirjes, gjykimi për to është njësoj, qofshin hallall apo haram, qofshin pak apo shumë, qofshin të dëmshme apo të dobishme, apo qofshin që në to s’ka as dëm e as dobi.

Në bazë të kësaj, pirja e duhanit është një prishës i agjërimit edhe pse është i dëmshëm dhe haram.

Madje dijetarët kanë thënë: nëse një njeri gëlltit një rruazë ai e prish agjërimin. Rruaza nuk i bën dobi trupit, megjithatë llogaritet prej prishëseve të agjërimit. Gjithashtu, nëse ha një brumë të gatuar me diçka të papastër, edhe pse është i dëmshëm, me të e prish agjërimin.

E treta: Marrëdhëniet intime. Ky është lloji më i ashpër i prishësve të agjërimit, për shkak se për të obligohet një keffârah (shpagim i caktuar që të shlyhet). Keffârah për të është lirimi i një robi, e nëse nuk posedon, atëherë agjëron dy muaj rresht, e nëse nuk ka mundësi, atëherë i ushqen gjashtëdhjetë të varfër.

E katërta: Nxjerrja e spermës me epsh. Nëse njeriu e nxjerrë atë me epsh, atëherë i prishet agjërimi, mirëpo, për të nuk ka keffârah, sepse keffârah është e veçantë për marrëdhëniet.

E pesta: Gjilpërat që e zëvendësojnë ushqimin dhe pijen – e ato janë gjilpërat ushqyese. Ndërsa ato joushqyese nuk e prishin agjërimin, pa dallim a i merr në vena apo në muskuj, pasi ato nuk janë as ushqim e as pije dhe as nuk kanë domethënien (efektin) e ushqimit e të pijes.

E gjashta: Vjellja me qëllim. Nëse njeriu vjell qëllimisht, i prishet agjërimi, ndërsa nëse e godet atë vjellja vetvetiu, nuk ka asnjë problem për të.

E shtata: Dalja e gjakut të menstruacioneve (hajd-it) ose lehonisë (nifâs-it). Nëse del prej gruas gjaku i menstruacioneve ose i lehonisë, qoftë edhe një çast para perëndimit të Diellit, agjërimi i saj prishet. E nëse del prej saj gjaku i lehonisë apo i menstruacioneve një çast pas perëndimit të Diellit, agjërimi i saj është i saktë.

E teta: Nxjerrja e gjakut me hixhâme.[2] Argument është fjala e të Dërguarit ():

«أفطر الحاجم والمحجوم»

“Bërësi i hixhames dhe ai të cilit i bëhet hixhamja e kanë prishur agjërimin.”[3]

Pra, nëse një personi i bëhet hixhâme dhe shfaqet prej tij gjak, agjërimi i tij prishet, si dhe i prishet, gjithashtu, personit që e bëri hixhamen, nëse ky i fundit e kryen atë me metodën që ka qenë e njohur në kohën e Profetit (), e ajo është kur bërësi i hixhames thith (me gojë) shishen e gjakut. Por, nëse bëhet përmes pajisjeve, jo të drejtpërdrejta nga bërësi, atëherë, agjërimi i prishet pacientit dhe nuk i prishet bërësit të hixhames.

Nëse gjatë ditës në Ramazan, dikush që e ka obligim agjërimin e prish atë me ndonjërën prej këtyre gjërave prishëse që u përmenden, ai ngarkohet me katër çështje:

1. Gjynahu
2. Prishja e agjërimit
3. Obligimi i përmbajtjes (nga gjërat që e prishin agjërimin) deri në fund të ditës.
4. Obligimi i Kazasë. [4]

Nëse prishja e agjërimit bëhet me marrëdhënie, atij i ngarkohet edhe çështja e pestë, e ajo është keffârah.

Mirëpo, obligohemi ta dimë se këto gjëra nuk e prishin agjërimin përveç nëse përmbushen këto tri kushte:

1. Dija
2. Kujtesa
3. Dëshira

[Lexo më shumë rreth shpjegimit të këtyre tri kushteve]

______________

Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: 48 pyetje për agjërimin
Përkthimi: Blerand Grubi

Fusnotat:
[1] el-Bekarah: 187
[2] Hixhameja është praktikë e njohur e kurimit, e cila me anë të disa enëve, tërheq gjakun e keq të trupit (përkthyesi).
[3] E transmetoi Ebu Davudi, nr. 2367.
[4] El-Kada (
القضاء), e njohur te ne si Kaza quhet kryerja e disa ibadeteve të caktuara pasi t’i ketë kaluar koha e caktuar, për ndonjë arsye të pranueshme në Legjislacionin Islam (përkthyesi).