Ajetet e para që kanë zbritur nga Kurani, në mënyrë absolute, pa dyshim janë pesë ajetet e para nga surja El-‘Alek, dhe ato janë Fjalët e All-llahut të Lartësuar:
اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ (1) خَلَقَ الإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ (2) اقْرَأْ وَرَبُّكَ الأَكْرَمُ (3) الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ (4) عَلَّمَ الإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ (5)
“1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka),
2. i krijoi njerëzit nga droçka e gjakut!
3. Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh,
4. i Cili i mësoi (krijesat) me anë të penës,
5. ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”
Pastaj u ndërpre shpallja për një kohë. Pastaj zbritën pesë ajetet e para nga surja El-Muddeth-thir, dhe ato janë Fjalët e All-llahut:
يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ (1) قُمْ فَأَنذِرْ (2) وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ (3) وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ (4) وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ (5)
“1. O ti, i mbështjellë (o Muhamed)!
2. Çohu dhe paralajmëro!
3. (Veç) Zotin tënd madhëroje,
4. petkat e tua pastroji
5. dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!”
Në dy Sahihët [1], Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit, në kapitujt rreth fillimit të shpalljes, është transmetuar se Aisha (radijAll-llahu anhâ) ka thënë:
“… deri sa i erdhi e Vërteta, duke qenë ai në shpellën Hira; atij i erdhi engjëlli dhe i tha: “Lexo!” Profeti (ﷺ) tha:
“ما أنا بقارئ” “Unë nuk (di të) lexoj!” …
– vazhdon përcjellja e hadithit dhe ndër të tjera thuhet:
“…pastaj i tha:
“اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ”
“Lexo me Emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi…” – deri te ajeti:
“عَلَّمَ الإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ”
“ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”.
Në dy Sahihët [2], gjithashtu, transmetohet nga Xhabiri (radijAll-llahu anhu), se Profeti (ﷺ), duke rrëfyer për ndërprerjen e shpalljes, ka thënë:
“بينما أنا أمشي إذ سمعت صوتاً من السماء…”
“Përderisa isha duke ecur, aty dëgjova një zë nga qielli…”
– hadithi vazhdon dhe ndër të tjerash thuhet:
“…atëherë, All-llahu i Lartësuar e zbriti:
(يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ (1) قُمْ فَأَنذِرْ (2 –
“O ti, i mbështjellë! Çohu dhe paralajmëro!” – deri te ajeti:
“وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ”
“dhe largohu nga ndyrësia” [El-Muddeth-thir, 1-5]
Ka edhe ajete të tjera për të cilat thuhet: “I pari që ka zbritur”, mirëpo te ato është për qëllim se janë të parat në lidhje me diçka të caktuar (jo të parat absolutisht), pra renditja e tyre si ajete të para është relative.
Për shembull: hadithi i Xhabirit (radijAll-llahu anhu) në dy Sahihët [3], në të cilin thuhet se Ebu Seleme ibën AbdirRahman e ka pyetur Xhabirin:
“Cili ajet i Kuranit ka zbritur më së pari?”
Ai ka thënë: “يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ – “O ti, i mbështjellë!”.
Ebu Seleme i ka thënë: “Mua më është përcjell se i pari është: “اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ” “Lexo me Emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi…”?!”
Xhabiri ka thënë: “Unë nuk po të tregoj diçka tjetër, përveç asaj që e ka thënë i Dërguari i All-llahut (ﷺ)! I Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka thënë:
“جاورتُ في حراء فلما قضيت جواري هبطت…”
“Qëndrova (i veçuar) në Hira, dhe kur e përfundova qëndrimin tim, zbrita…”
– hadithi vazhdon dhe ndër të tjerash thuhet:
فَأَتَيْتُ خَدِيجَةَ فَقُلْتُ: دَثِّرُونِي وَصُبُّوا عَلَيَّ مَاءً بَارِدًا، فَأُنزل عليَّ: {يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ} إلى قوله: {وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ}
“…atëherë shkova te Hadixhja dhe thashë: “Më mbështillni dhe më hidhni ujë të ftohtë!” Atëherë më zbriti:
يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ
“O ti, i mbështjellë!” – deri te ajeti:
“وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ”
“dhe largohu nga ndyrësia”.
Kështu, Xhâbiri (radijAll-llahu anhu) i ka konsideruar ato si “ajetet e para” nga vështrimi se cilat janë ajetet e para pas ndërprerjes së përkohshme të shpalljes.
Ose nga vështrimi se cilat janë ajetet e para që kanë zbritur për t’u shpallur Dërgesa, sepse me suren “Ikra” është shpallur Profecia e Muhamedit (të qenët nebij), kurse me suren “el-Muddeth-thir” është shpallur Dërgesa e tij (të qenët rasûl), atëherë kur ka zbritur Fjala: “قُمْ فَأَنذِرْ (2)” “Çohu dhe paralajmëro!”.
Prandaj, dijetarët kanë thënë: Profeti Muhamed (ﷺ) është bërë profet me: “Ikra” kurse i dërguar me: “el-Muddeth-thir”.
____________
Autor: Ibën Uthejmin
“Usûl fit-tefsîr”, f. 12-14
Përkthimi: Blerand Grubi
Fusnotat:
[1] Buhariu, nr.3 dhe Muslimi, nr. 160.
[2] Buhariu, nr.4 dhe Muslimi, nr. 161.
[3] Buhariu, nr. 4924 dhe Muslimi, nr. 161 [257].
Shtojcë nga përkthyesi:
Dijetarët kanë treguar se ka dallim midis nebijit (profetit) dhe rasulit (të dërguarit). Ata thonë që rasuli është më i veçantë se nebiji, dhe se çdo rasul është nebij, kurse çdo nebij nuk është rasul. Për dallimin midis tyre kanë dhënë përkufizime të ndryshme, dhe ndoshta përkufizimi më i afërt është se:
Të dërguarit janë ata që janë ngarkuar me kumtimin e ligjeve që u kanë zbritur atyre, siç ka thënë All-llahu (azze ue xhel-le):
لَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلَنَا بِالْبَيِّنَاتِ وَأَنْزَلْنَا مَعَهُمْ الْكِتَابَ وَالْمِيزَانَ
“Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë, me dispozita dhe ligje) dhe peshoren (e drejtësisë)…” [el-Hadîd, 25]
Kurse Profetët janë ata që janë frymëzuar me shpallje që ta kumtojnë dhe përcjellin një legjislacion (sheriatin e të dërguarit) të kaluar, siç ka thënë All-llahu i Madhëruar:
إِنَّا أَنزَلْنَا التَّوْرَاةَ فِيهَا هُدًى وَنُورٌ يَحْكُمُ بِهَا النَّبِيُّونَ الَّذِينَ أَسْلَمُوا لِلَّذِينَ هَادُوا وَالرَّبَّانِيُّونَ وَالأَحْبَارُ بِمَا اسْتُحْفِظُوا مِنْ كِتَابِ اللَّهِ
“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten All-llahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të All-llahut…” [El-Mâide, 44]
Përfituar nga “Shpjegimi i hadithit të Xhibrilit”, f. 33, Abdul-Muhsin el-Abbâd.