Ibën Uthejmin (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Duhet ditur se mutâbe’a (pasimi i Sunetit të Profetit ﷺ) mund të realizohet vetëm nëse vepra përputhet me Sheriatin në gjashtë çështje: sebepi, lloji, sasia, mënyra, koha dhe vendi.
Nëse nuk përputhet me Sheriatin në këto gjashtë çështje, vepra bëhet e pavlefshme dhe e refuzuar, sepse paraqet shpikje të diçkaje që nuk gjendet në fenë e All-llahut.
E para: Vepra të përputhet me Sheriatin nga aspekti i sebepit. Nëse një njeri kryen një ibadet për një sebep të cilin All-llahu i Lartësuar nuk e ka bërë sebep, për shembull: i falë dy rekate çdo herë kur hyn në shtëpi dhe i llogarit si sunet, kjo i refuzohet. Edhe pse namazi është ibadet i ligjshëm, kur ai lidhet për një sebep që nuk është sebep sheriatik, refuzohet.
Një shembull tjetër: nëse një person sjell si risi një festë me rastin e fitores së muslimanëve në betejën e Bedrit, ajo i refuzohet, sepse e ka lidhur për një sebep, të cilin All-llahu dhe i Dërguari i Tij (ﷺ) nuk e kanë caktuar sebep (për të festuar).
E dyta: Vepra të përputhet me Sheriatin nga aspekti i llojit (kategorisë). Nëse dikush kërkon ta adhurojë All-llahun me një ibadet, lloji i të cilit nuk është kërkuar në Sheriat, nuk i pranohet. Për shembull: nëse dikush ther për kurban një kalë, kjo i refuzohet dhe nuk i pranohet, sepse e kundërshton Sheriatin nga aspekti i llojit. Kurbanet pranohen vetëm nga bagëtitë si: devetë, lopët, dhentë dhe dhitë.
Por nëse e ka therur një kalë për ta dhuruar mishin si lëmoshë, kjo lejohet, sepse nuk ka kërkuar t’i afrohet All-llahut me këtë therje si kurban, por e ka therur për ta dhuruar mishin sadaka.
E treta: Vepra të përputhet me Sheriatin nga aspekti i sasisë. Nëse dikush kërkon ta adhurojë All-llahun me një sasi (numër) më shumë se ajo që është caktuar në Sheriat për një ibadet, nuk i pranohet. Për shembull: një person merr avdes nga katër herë, domethënë çdo pjesë të avdesit e lanë katër herë. E katërta nuk i pranohet, sepse llogaritet shtesë mbi atë që e ka caktuar Sheriati. Madje në një hadith thuhet se Profeti (ﷺ) ka marr avdes me nga tri herë pastaj ka thënë:
“من زاد على ذلك فقد أساء وتعدى وظلم”
“…ai që shton përtej kësaj, e ka kryer keq, i ka kaluar kufijtë dhe ka bërë padrejtësi.”[1]
E katërta: Vepra të përputhet me Sheriatin nga aspekti i mënyrës. Nëse dikush bën një vepër, me të cilën adhurohet All-llahu, mirëpo e kundërshton Sheriatin nga aspekti i formës së saj, nuk i pranohet dhe vepra i refuzohet.
Për shembull: nëse një person falet, mirëpo bie në sexhde para se ta bëjë rukunë, namazi i tij është i pavlefshëm dhe i refuzuar, sepse nuk përputhet me Sheriatin në aspektin e mënyrës së ibadetit.
Shembulli tjetër: nëse një person merr avdes mbrapsht, duke filluar me këmbët, pastaj kokën, pastaj dorën, pastaj fytyrën, avdesi i llogaritet i pavlefshëm, sepse e kundërshton Sheriatin në aspektin e formës.
E pesta: Vepra të përputhet me Sheriatin nga aspekti i kohës. Nëse dikush e fal namazin para se t’i hyjë koha, nuk i pranohet, sepse është kryer në një kohë tjetër nga ajo që e ka përcaktuar Sheriati.
Njashtu, nëse e ther kurbanin para faljes së bajramit, nuk i pranohet, sepse nuk përputhet me Sheriatin nga aspekti i kohës…
Nëse dikush e shtyn namazin përtej kohës së vet, pa pasur ndonjë arsye, si për shembull: e fal namazin e sabahut pas lindjes së diellit pa arsye, namazi i refuzohet, sepse ka bërë një vepër që nuk përputhet me Legjislacionin e All-llahut dhe të Dërguarit të Tij (ﷺ).
E gjashta: Vepra të përputhet me Sheriatin nga aspekti i vendit. Nëse dikush bën i’tikaf diku tjetër përveç xhamisë, për shembull e bën i’tikafin në shkollë ose në shtëpi, i’tikafi i tij është i pasaktë, sepse nuk përputhet me Sheriatin në aspektin e vendit të i’tikafit. Vendi i i’tikafit është xhamia.
Kiji kujdes këto gjashtë kritere dhe në bazë të tyre gjykoje çdo vepër që të duhet.”
Burimi: Sherh El-Erba’in, f. 124-126 – me pak shkurtim.
Përktheu: Blerand Grubi
__________
[1] Transmetuar nga Ahmedi (6684), Nesaiu (140) dhe Ibën Maxheh (422).