I Dërguari i All-llahut () ka thënë:

“خلق الله آدم حين خلقه فضرب كتفه اليمنى، فأخرج ذرية بيضاء كأنهم الذر، وضرب كتفه اليسرى، فأخرج ذرية سوداء كأنهم الحمم، فقال للذي في يمينه: إلى الجنة ولا أبالي وقال للذي في كتفه اليسرى: إلى النار ولا أبالي”

“All-llahu e ka krijuar Ademin, atëherë kur e ka krijuar, e ka goditur supin e tij të djathtë dhe ka nxjerrë pasardhës të bardhë, sikur të ishin milingona të vogla (ose: perla). E ka goditur edhe supin e tij të majtë dhe ka nxjerrë pasardhës të zinj, sikur të ishin hi. Atëherë ka thënë për atë (grupin) në të djathtë: (Këta do të shkojnë) drejt Xhenetit – dhe nuk merakosem!” dhe ka thënë për atë në supin e majtë: “Drejt Zjarrit – dhe nuk merakosem!”

E ka transmetuar Imam Ahmedi dhe të tjerë, shejh Albani thotë: zinxhiri është sahih. Shih: “Es-Sahiha”, nr. 49.

I Dërguari () ka thënë:

” إن الله تبارك وتعالى قبض قبضة بيمينه فقال: هذه لهذه ولا أبالي وقبض قبضة أخرى، يعني: بيده الأخرى، فقال: هذه لهذه ولا أبالي “

“All-llahu (tebârake ue te’âlâ) ka kapur një grusht me të Djathtën e Tij dhe ka thënë: “Këta janë për këtë (d.m.th. për Xhenet), dhe nuk merakosem!” dhe ka kapur një grusht tjetër – d.m.th. me Dorën tjetër – dhe ka thënë: “Këta janë për këtë (d.m.th. Zjarr) dhe nuk merakosem!”

E ka transmetuar Imam Ahmedi, shejh Albani thotë: zinxhiri është sahih – shih: “Es-Sahiha”, nr. 50.

Dijetari i madh i hadithit, kolosi i dijes: Muhamed NasirudDin el-Albani (v. 1999 – All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Shumë njerëz i keqkuptojnë këto hadithe dhe mendojnë se ato, si dhe shumë hadithe të tjera të ngjashme, lënë të nënkuptojmë se njeriu është i imponuar në veprat e tij që i bën me vetëdashje, përderisa All-llahu ka gjykuar për njeriun qysh në lashtësi dhe para se ta krijojë, se a do jetë në Xhenet apo Zjarr!

Disa të tjerë ndoshta imagjinojnë se kjo punë është anarki, ose është fat; se kush ka rënë rastësisht në Grushtin e Djathtë, do të jetë prej të lumturve (xhenetlinjve) dhe kush ka rënë në Grushtin tjetër, do të jetë prej të mjerëve.

Të gjithë këta e kanë për detyrë ta kuptojnë se (ليس كمثله شيء) “asgjë nuk i shëmbëllen Atij”. Asgjë s’është si All-llahu, as lidhur me Veten e Tij, as lidhur me Vetitë e Tij. Kur Ai kap një Grusht, atëherë ajo është me Diturinë, Drejtësinë dhe Urtësinë e Tij.

Domethënë, All-llahu i Lartësuar ka kapur me të Djathtën e Tij ata njerëz që e ka ditur se do t’i binden kur Ai do t’i urdhërojë për bindje, kurse me Dorën tjetër ka kapur ata që e ka ditur paraprakisht se do ta kundërshtojnë kur Ai do t’i urdhërojë me bindje.

Është në kundërshtim me Drejtësinë e All-llahut të Lartësuar dhe absurditet që Ai t’i kapë me Grushtin e djathtë ata që e meritojnë të jenë me njerëzit e Grushtit tjetër, si dhe anasjelltas. Si mundka kështu, kur All-llahu (azze ue xhel-le) thotë:

(أفنجعل المسلمين كالمجرمين ما لكم كيف تحكمون)

Vallë, a t’i bëjmë muslimanët (ata që Na nënshtrohen) njësoj me keqbërësit?! Çfarë keni ju? Si po gjykoni kështu?!” [El-Kalem, 35-36]

Pastaj, asnjë pjesëtari të këtyre dy grupeve, që i ka kapur All-llahu, nuk i është imponuar të jetë prej banorëve të Xhenetit ose prej banorëve të Zjarrit. Por All-llahu i Madhëruar vetëm ka gjykuar për ta në bazë të veprave që do t’i bëjnë; ka gjykuar se këta do të besojnë – dhe kjo nënkupton se do të shkojnë në Xhenet, kurse këta do të mohojnë, që nënkupton se do të shkojnë në Zjarr – All-llahu na ruajttë!

Të dyja këto, imani dhe kufri, janë gjëra që njeriu i bën me zgjedhjen e vet. All-llahu i Madhëruar nuk e detyron asnjë krijesë të Tij që ta zgjedhë njërën prej këtyre dyjave pa vullnetin e vet;

(فمن شاء فليؤمن، ومن شاء فليكفر)

“Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë!” [El-Kehf, 29]

Kjo është diçka e qartë, që dihet në mënyrë të domosdoshme. Po të mos ishte kështu, shpërblimi dhe dënimi do të ishin të kotë – kurse All-llahu është i Pastër nga një gjë e tillë.

Është shumë për të ardhur keq, me të vërtetë, që dëgjojmë shumë njerëz, madje edhe disa hoxhallarë, duke deklaruar se njeriu është i imponuar dhe nuk ka vullnet të lirë! Me këtë e detyrojnë veten të thonë se mund të ndodhë që All-llahu t’u bëjë padrejtësi njerëzve! Kurse All-llahu e ka thënë qartë se nuk u bën padrejtësi asnjë grimë dhe ka njoftuar se Ai është i Fuqishëm për të bërë padrejtësi, por ka treguar se është i pastër nga padrejtësia. Si në hadithin e njohur kudsij:

يا عبادي إني حرمت الظلم على نفسي … “

“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë…”

Kur këtyre njerëzve u del përballë ky realitet, nisin të argumentojnë me Fjalët e All-llahut:

(لا يسأل عما يفعل)

“Ai nuk pyetet për atë që vepron” [El-Enbijâ’, 23]

– duke këmbëngulur me këtë se mund të ndodhë që All-llahu i Lartësuar të bëjë padrejtësi, mirëpo, Ai nuk mund të pyetet për atë punë!

I Pastër e i Lartësuar është All-llahu mbi atë që thonë të padrejtit!

Ata nuk arrijnë ta kuptojnë se ky ajet është argument kundër tyre, sepse qëllimi i tij është – siç e ka sqaruar dijetari i madh Ibnul-Kajjim dhe të tjerë – se për shkak të urtësisë së All-llahut dhe drejtësisë së Tij në gjykim, askujt nuk i takon ta pyesë Atë për atë që e vepron! Sepse të gjitha gjykimet dhe dispozitat e Tij janë drejtësi e qartë, kështu që nuk ka arsye për ta pyetur.”

_____________
“Burimi: “Es-Sahiha, nr. 49”
Përktheu: Blerand Grubi

Lexo më shumë rreth këtyre haditheve përgjigjen e Shejhul-Islam Ibën Tejmije: