Një prej veçorive, me të cilat është dalluar Kurani i Madhërishëm, është se All-llahu i Lartësuar ka garantuar se do ta ruajë atë dhe nuk ia ka lënë në dorë ruajtjen e tij askujt prej krijesave [1]. All-llahu i Lartësuar ka thënë:

 إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ (9)

“Vërtet, jemi Ne ata që e kemi zbritur Dhikrin (Kuranin) dhe, pa dyshim, Ne do ta ruajmë atë.” [2]

Dhe ka thënë:

بَلْ هُوَ قُرْآنٌ مَجِيدٌ (21) فِي لَوْحٍ مَحْفُوظٍ (22)

“Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm, në Leuhi Mahfûdh (Pllakën e Ruajtur).”[3]

Ibën Kajjimi (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“All-llahu i Lartësuar e ka përshkruar Kuranin se është i ruajtur, në Ajetin:

 إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ (9)

“Vërtet, jemi Ne ata që e kemi zbritur Dhikrin (Kuranin) dhe, pa dyshim, Ne do ta ruajmë atë.” [4]

Kurse në këtë sure (el-Burûxh) e ka përshkruar vendin e tij (Leuhi Mahfûdh) se është i ruajtur. Pra, All-llahu e ka ruajtur vendin e tij dhe e ka ruajtur vetë Kuranin nga shtimet, heqjet dhe ndryshimet. Dhe, siç i ka ruajtur fjalët nga deformimi, Ai e ka ruajtur edhe kuptimin e Ajeteve nga shtrembërimi, duke ngritur njerëz që i ruajnë: shkronjat e tij nga shtimi dhe heqja, dhe kuptimet e tij nga shtrembërimi dhe ndryshimi!” [5]

________________

Autor: AbdulAziz âl esh-Shejh
Burimi: “Libri i All-llahut dhe pozita e tij madhështore”
Përkthimi: Blerand Grubi

Fusnota:
[1] Shënim i përkthyesit: Pra Kurani, me garanci nga All-llahu, është i ruajtur nga talljet e atyre që tallen dhe nga devijimet e atyre që i shtrembërojnë fjalët nga konteksti, për dallim nga Shkrimet e tjera të Shenjta, për të cilat All-llahu ua ka marrë besën popujve përkatës që t’i ruajnë ato, siç ka thënë për Teuratin:

إِنَّا أَنزَلْنَا التَّوْرَاةَ فِيهَا هُدًى وَنُورٌ يَحْكُمُ بِهَا النَّبِيُّونَ الَّذِينَ أَسْلَمُوا لِلَّذِينَ هَادُوا وَالرَّبَّانِيُّونَ وَالأَحْبَارُ بِمَا اسْتُحْفِظُوا مِنْ كِتَابِ اللَّهِ وَكَانُوا عَلَيْهِ شُهَدَاءَ

“Në të (Teurat) janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten All-llahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të All-llahut, për të cilin ata dëshmonin.” [El-Mâideh: 44]

Për shtrembërimet e tyre, të kontekstit dhe të tekstit, All-llahu ka thënë:

 مِنْ الَّذِينَ هَادُوا يُحَرِّفُونَ الْكَلِمَ عَنْ مَوَاضِعِهِ

“Në mesin e hebrenjve ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga konteksti i tyre” [En-Nisâ’: 46]

فَوَيْلٌ لِلَّذِينَ يَكْتُبُونَ الْكِتَابَ بِأَيْدِيهِمْ ثُمَّ يَقُولُونَ هَذَا مِنْ عِنْدِ اللَّهِ لِيَشْتَرُوا بِهِ ثَمَناً قَلِيلاً فَوَيْلٌ لَهُمْ مِمَّا كَتَبَتْ أَيْدِيهِمْ وَوَيْلٌ لَهُمْ مِمَّا يَكْسِبُونَ (79)

“Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: “Kjo është prej All-llahut” që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar!” [El-Bekara: 79]

Por kjo nuk ndodh me Kuranin, sepse ai është i garantuar. Kështu është për shkak se Kurani do të mbetet argument ndaj gjithë njerëzimit deri në Ditën e Ringjalljes, ndërsa Librat e mëparshëm kanë qenë Libra të përkohshëm; afati i secilit prej tyre përfundonte me zbritjen e një Libri tjetër që e shfuqizon dhe që i nxjerr në shesh shtrembërimet dhe ndryshimet që i kanë ngjarë të kaluarit. Kështu që nuk kanë qenë të sigurta dhe të mbrojtuara nga këto gjëra, prandaj dhe u kanë ngjarë shtrembërime, shtesa dhe heqje. – Shih: “Akidja e Ehlu Sunetit dhe Xhematit”, kapitullin: Imani në Librat, e dijetarit kolosal Ibën Uthejmin (All-llahu e mëshiroftë).

[2] El-Hixhr: 9.
[3] El-Burûxh, 21-22.
[4] El-Hixhr: 9.
[5] “Et-Tibjân fî eksâmil-Kur’ân” – Ibnul-Kajjim, 99.