Libri i Madhërishëm i All-llahut është shpëtuesi nga fitnet, është ngrohtësia ku gjen prehje besimtari, është drita e zemrës së tij, pranvera e gjoksit të tij, larguesi i brengave dhe pikëllimeve. Në Librin e All-llahut ka njoftim për atë që ka qenë përpara nesh, lajm për atë që vjen pas nesh dhe gjykim për atë që ngjan mes nesh. Ai është ‘el-Fasl’ (Fjala e drejtë; ndarëse e së vërtetës nga e kota) dhe nuk është shaka. Çdo kryelartë që e lë atë All-llahu do ta shkatërrojë dhe çdonjëri që kërkon udhëzimin jashtë tij All-llahu do ta devijojë!

Kurani është ‘Litari i fortë i All-llahut’, është ‘Këshilla plot urtësi’ dhe mu ai është ‘Rruga e Drejtë’. Është ai me të cilin ëndjet nuk lajthisin, me të cilin gjuhët nuk ngatërrohen dhe me të cilin nuk ngopen dijetarët. Është ai që nuk vjetërsohet, përkrah fryteve të shumta që nxjerr. Është ai, mrekullitë e të cilit nuk ndërprehen, urtësitë e të cilit nuk shuhen. Është ai që, kur e dëgjuan xhindet, nuk hezituan të thonë:

 (1) إِنَّا سَمِعْنَا قُرْآناً عَجَباً 
“Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm!” [1]

Kush flet sipas Kuranit, flet të vërtetën, kush gjykon sipas tij, gjykon drejt, kush punon sipas tij, shpërblehet dhe kush fton drejt tij, udhëzohet në Rrugën e Drejtë.

Kurani është ‘Shenja e Madhe’ dhe ‘Mrekullia e Madhe’ – e cila i është dhuruar Profetit tonë (ﷺ), sepse ai ka thënë:

«ما من الأنبياء من نبي إلا قد أعطي من الآيات ما مثله آمن عليه البشر، وإنما كان الذي أوتيت وحيا أوحى الله إلي، فأرجو أن أكون أكثرهم تابعا يوم القيامة »

 “Secilit profet prej profetëve i janë dhënë shenja të atilla që njerëzit i besojnë. Ndërsa ajo që më është dhënë mua, është një ‘wahj’ (Kurani), të cilin All-llahu ma shpallë mua, dhe shpresoj që Ditën e Ringjalljes do të jem profeti me më së shumti ithtarë!” [2]

_______________

AbdulAziz âl esh-Shejh
“Libri i All-llahut dhe pozita e tij madhështore”
Përkthimi: Blerand Grubi

Fusnota:
[1] El-Xhinn, 1.
[2] Përcjellë nga Buhariu (6/97 dhe 8/138, 139) dhe Muslimi (nr. 152).

Shtojcë nga përkthyesi:
Dijetarët kanë dhënë disa mendime rreth kuptimit të këtij hadithi:

Njëri mendim thotë se kuptimi është: çdo profeti i janë dhënë Shenja të ngjashme me shenjat e profetëve para tij, me të cilat patën besuar njerëzit, kurse mrekullia e qartë dhe e madhe që më është dhënë mua është Kurani, mrekulli që si ajo nuk i është dhënë askujt, dhe si rrjedhojë do të jem profeti me më së shumti ndjekës.

Mendimi i dytë: Mrekullinë, që më është dhuruar mua, nuk mund ta prekë iluzioni i magjisë ose diçka e ngjashme, për dallim nga mrekullitë e profetëve para meje, sepse ka pasur mundësi që magjistari të prodhojë iluzione për një gjë dhe të jep pamje të përafërt me mrekullinë, siç patën bërë magjistarët një iluzion që i ngjan shkopit të Musait. Iluzioni mund ta mashtrojë shumicën e njerëzve dhe dallimi midis mrekullisë dhe magjisë e iluzionit ka nevojë për analizë dhe meditim. Shikuesi mund të gabojë dhe të besojë se të dyja ato janë njësoj.

Mendimi i tretë është se mrekullitë e profetëve kanë përfunduar me përfundimin e periudhës së tyre dhe se askush nuk i ka përjetuar ato, përveç atyre që kanë qenë prezentë vetë, kurse mrekullia e Profetit tonë (ﷺ) është Kurani, i vazhdueshmi deri në Ditën e Gjykimit, i cili është jashtë ligjeve të natyrës për nga shprehja, stilistika dhe njoftimi për gjërat e fshehta, si dhe nga paaftësia e njerëzve dhe xhindeve të hartojnë një sure si suret e Kuranit, deshën së bashku, deshën të ndarë dhe në cilën do kohë! Dhe, krahas gjithë atij përkushtimi të tyre për ta kundërshtuar, nuk kanë arritur asgjë! – Shih: “Shpjegimi i Sahihut të Muslimit” të Neveviut 1/174.