All-llahu i Lartëmadhëruar u ka dhënë mirësi të madhe krijesave të Tij, veçanërisht atyre besimtarë, që u ka çuar të Dërguarin e Tij fisnik () dhe e ka zbritur me të Librin më të çmuar – vulën e Mesazheve dhe eprorin e tyre. All-llahu (azze ue xhel-le) ka thënë:

لَقَدْ مَنَّ اللَّهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولاً مِنْ أَنْفُسِهِمْ يَتْلُوا عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمْ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِنْ كَانُوا مِنْ قَبْلُ لَفِي ضَلالٍ مُبِينٍ (164)

“All-llahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron (nga shirku dhe moralet e prishura) dhe u mëson Librin e Urtësinë (Kuranin e Sunetin), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” [1]

Në një hadith, të transmetuar në Sahihun e Muslimit, nga Ijâd ibën Himâr el-Muxhâshi’i (radijAll-llahu anhu), thuhet se i Dërguari i All-llahut () një ditë në hutben e tij ka thënë:

« أَلاَ إِنَّ رَبِّى أَمَرَنِى أَنْ أُعَلِّمَكُمْ مَا جَهِلْتُمْ مِمَّا عَلَّمَنِى يَوْمِى هَذَا، كُلُّ مَالٍ نَحَلْتُهُ عَبْدًا حَلاَلٌ، وَإِنِّى خَلَقْتُ عِبَادِى حُنَفَاءَ كُلَّهُمْ، وَإِنَّهُمْ أَتَتْهُمُ الشَّيَاطِينُ فَاجْتَالَتْهُمْ عَنْ دِينِهِمْ، وَحَرَّمَتْ عَلَيْهِمْ مَا أَحْلَلْتُ لَهُمْ، وَأَمَرَتْهُمْ أَنْ يُشْرِكُوا بِى مَا لَمْ أُنْزِلْ بِهِ سُلْطَانًا. وَإِنَّ اللَّهَ نَظَرَ إِلَى أَهْلِ الأَرْضِ فَمَقَتَهُمْ، عَرَبَهُمْ وَعَجَمَهُمْ، إِلاَّ بَقَايَا مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ. وَقَالَ إِنَّمَا بَعَثْتُكَ لأَبْتَلِيَكَ وَأَبْتَلِىَ بِكَ، وَأَنْزَلْتُ عَلَيْكَ كِتَابًا لاَ يَغْسِلُهُ الْمَاءُ، تَقْرَؤُهُ نَائِمًا وَيَقْظَانَ..«

“Vërtet, Zoti im më ka urdhëruar që t’ju mësoj këtë ditë, diçka prej asaj që ma ka mësuar e që ju nuk e dinit; (Ai ka thënë): “Çdo pasuri që i kam dhënë robit është hallall [2]! Unë, robërit e Mi i kam krijuar ‘hunefâ’ (me Fe të drejtë), që të gjithë, por atyre u erdhën djajtë dhe i shmangën nga Feja e tyre, duke ua ndaluar atë që ua kam lejuar, e duke i urdhëruar të më shpifin ortakë, gjë për të cilën nuk u kam dërguar atyre asnjë provë autoritare!” Vërtet, All-llahu i shikoi banorët e Tokës dhe i urreu fort ata, arabë e joarabë, përveç një pakice të mbetur (me besim të pastër) nga ithtarët e Librave. Dhe ka thënë: “Unë të kam çuar (o Muhamed), në të vërtetë, që të të sprovoj ty (me shpalljen) dhe t’i sprovoj të tjerët me ty! Të kam zbritur një Libër, të cilin nuk e lan uji! Atë e lexon në gjumë dhe i zgjuar…” [3]

Ky Libër është gjykuesi, mbrojtësi dhe shfuqizuesi i të gjithë Librave të mëparshëm. All-llahu i Lartësuar ka thënë:

وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الْكِتَابَ بِالْحَقِّ مُصَدِّقاً لِمَا بَيْنَ يَدَيْهِ مِنْ الْكِتَابِ وَمُهَيْمِناً عَلَيْهِ

“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si vërtetues i Librave të mëparshëm dhe si ‘muhejmin’ mbi ata” [4]

– Do të thotë: Kurani është i ngritur e i lartësuar mbi Shkrimet e mëparshme, si ruajtës, gjykues, dëshmues dhe mbrojtës i tyre.

Ibën Xhurajxh (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Kurani është vërtetues (dëshmues) i Librave të kaluar para tij. Kështu që, çfarë përputhet prej tyre me Kuranin, është e vërtetë dhe çfarë nuk përputhet me të, është e pavërtetë.” [5]

__________

Abdul-Azîz âl esh-Shejh
“Libri i All-llahut dhe pozita e tij madhështore”
Përkthimi: Blerand Grubi

Fusnota:
[1] Âli ‘Imrân, 164.
[2] Domethënë se është e papranueshme që njerëzit nga vetja e tyre t’i quajnë gjërat ‘haram’, sepse ato nuk shndërrohen në haram nga dëshira e tyre. Pra, secila pasuri që e posedon robi është hallall, përderisa nuk shkelet me të ndonjë e drejtë. – Shih “Sherh Muslim” të Neveviut, te shpjegimi i këtij hadithi (përkthyesi).
[3] Sahihu i Muslimit – i imamit Ebul-Husejn Muslim ibnul-Haxhxhâxh, me redaktimin e Muhammed Fuâd Abdil-Bâki, me nr. 2865, botimi i “el-Mektebetul-Islamije” – Stamboll, Turqi.
[4] El-Mâideh, 48.
[5] Tefsiri i Ibën Kethirit, 3/128.