Cila është urtësia në krijimin e xhindeve dhe njerëzve?
Para se të flas për këtë pyetje dua të theksoj një rregull të përgjithshme lidhur me atë që e krijon All-llahu i Lartësuar dhe atë që e bën ligj. Kjo rregull është e nxjerrë nga Fjalët e All-llahut të Lartësuar:
{وهو العليم الحكيم}
“Ai është el-Alîm (i Gjithëdijshmi) el-Hakîm (i Urti, që gjykon dhe vepron me urtësi absolute)” [et-Tahrîm, 2]
Dhe nga shumë ajete të tjera, të cilat dëshmojnë për Vetinë e Urtësisë (el Hikme) tek All-llahu i Madhëruar, lidhur me atë që e krijon dhe me atë që e bën ligj, qoftë me ligjet universale, qoftë me ato të Sheriatit.
Çdo gjë që All-llahu e krijon, pa përjashtim, patjetër ka urtësi dhe qëllim. Edhe ajo që ekziston dhe ajo që nuk ekziston, është me urtësinë e All-llahut.
Gjithashtu, çdo gjë që All-llahu e bën ligj, e bën me urtësi, pavarësisht ai ligj a është obligim, ndalim apo lejim.
Mirëpo, këto urtësi të cilat i përmbajnë ligjet e Tij universale dhe ato të Sheriatit, mund të jenë të njohura për ne dhe mund të jenë të panjohura. Mund të jenë të njohura për disa njerëz dhe për disa të tjerë jo, varësisht se sa dituri dhe kuptim i jep All-llahu i Lartësuar secilit prej tyre.
Nëse kjo bëhet e qartë, atëherë themi:
Vërtet All-llahu i ka krijuar xhindet dhe njerëzit për një urtësi madhështore dhe për një synim të lavdishëm, që është: ibadeti (nënshtrimi me përulje dhe dashuri) ndaj Tij. Siç ka thënë i Lartësuari:
{وما خلقت الجن والإنس إلا ليعبدون}
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë Mua” [edh-Dhârijât, 56]
{أفحسبتم أنما خلقناكم عبثاً وأنكم إلينا لا ترجعون}
“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” [el-Mu’minûn, 115]
Dhe ka thënë:
{أيحسب الإنسان أن يترك سدى}
“Vallë, a mendon njeriu se do të lihet kot (pa përgjegjshmëri)?” [el-Kijâme, 36]
E kështu me radhë, në shumë ajete, të cilat dëshmojnë se All-llahu i Lartësuar i ka krijuar xhindet dhe njerëzit për një urtësi të lartë dhe ajo është: ta adhurojnë Atë.
Adhurimi (ibadeti) është: “përulja ndaj All-llahut me dashuri dhe madhërim, duke i zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalimeve të Tij, në përputhje me ligjet e zbritura.”
All-llahu i Lartësuar ka thënë:
{وما أمروا إلا ليعبدوا الله مخلصين له الدين حنفاء}
“Dhe nuk qenë urdhëruar (për tjetër qëllim) përveç se ta adhuronin All-llahun me përkushtim të sinqertë, hunefâ (larg idhujtarisë dhe besëtytnive)” [el-Bejjine, 5]
Kjo është urtësia në krijimin e xhindeve dhe njerëzve. Kështu, duke u bazuar në këtë, çdo njeri që ngre krye kundër Zotit të vet, që tregohet mendjemadh dhe nuk i nënshtrohet me adhurim, ai e ka shkelur këtë urtësi, për të cilën All-llahu i ka krijuar robërit. Veprimi i tij sikur thotë që All-llahu i ka krijuar krijesat kot dhe pa përgjegjshmëri! Edhe nëse nuk e thotë drejtpërdrejt, kjo është ajo që nënkuptojnë rebelizmi dhe kryelartësia e tij, që nuk e lënë t’i bindet Zotit të vet.
___________
Autor: Ibën Uthejmin
Përkthyes: Blerand Grubi
Burimi: “Fikhul-ibâdât” f. 12.