Pjesë e asaj që e kemi të detyrueshme ta besojmë, pasi për të ka lajmëruar All-llahu dhe ka lajmëruar Profeti (), është: imani në Shenjat e Orës.

Pa dyshim që Dita e Kiametit i ka shenjat e veta paralajmëruese.
All-llahu (
) në Librin e Tij i ka treguar disa prej këtyre shenjave të Orës, të cilat lajmërojnë se Ora është afër, se premtimi për të po afrohet dhe se takimi me All-llahun po vjen, edhe pse shumica e njerëzve vazhdojnë të jenë mospërfillës dhe indiferentë.

Imani në shenjat e Orës është farz (obligim), sepse All-llahu (xhel-le ue ‘alâ) ka thënë në Librin e Tij:

﴿فَهَلْ يَنْظُرُونَ إِلَّا السَّاعَةَ أَنْ تَأْتِيَهُمْ بَغْتَةً فَقَدْ جَاءَ أَشْرَاطُهَا فَأَنَّى لَهُمْ إِذَا جَاءَتْهُمْ ذِكْرَاهُمْ﴾ [محمد:18]

“Ata (mohuesit) nuk po presin gjë tjetër, veç se Orën (e Kiametit), që do t’u vijë befasisht! Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur. Po për çfarë do t’u shërbejnë atyre këshillat, kur t’iu ketë ardhur Kiameti?!” [Muhammed,  18]

Thënia e Tij: “Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur” do të thotë: kanë filluar paralajmërimet e saj. Dhe prej këtyre shenjave që ishin shfaqur në kohën e Profetit tonë të përzgjedhur () është: “Çarja e hënës”.

Gjithashtu, prej shenjave të saj është vetë “Dërgimi i Profetit ()”. Ai ka thënë:

«بعثت أنا والساعة كهاتين»
“Unë jam dërguar (në raport) me Orën, si këto të dyja!”[1]

(duke e ngjitur gishtin tregues me gishtin e mesëm)

– për shkak të afërsisë së madhe mes Dërgesës së tij dhe ndodhisë së Orës!

Pra, pasi All-llahu (xhel-le xhelâluHu) na ka treguar këtë, atëherë s’ka dyshim se Ora e Kijametit ka shenja;

– Një pjesë e tyre që do të jenë shumë afër ndodhisë së Orës – dhe këto janë ato që dijetarët i quajnë: “Shenjat e Mëdha të Orës”;

– ndërsa një pjesë tjetër e këtyre shenjave janë më larg Orës. Ato janë prej “Dërgimit të Profetit ()” deri sa të shfaqet shenja e parë nga Shenjat e Mëdha – dhe këto janë ato që dijetarët i quajnë: “Shenja të Vogla të Orës”.

Pra, nga “eshrâtus-Sâ’ah”, që janë Shenjat e Orës, disa janë të vogla dhe disa të mëdha.

[Shenjat e Vogla të Kiametit]

Është transmetuar në Sahih se Profeti () i ka thënë ‘Auf ibën Mâlik-ut (radijAll-llahu anhu):

«اعْدُدْ سِتّاً بَيْنَ يَدَي السّاعَةِ مَوْتي ثم فَتْحُ بَيْتِ المقدِسِ ثم مَوْتانٌ يأخُذُ فيكم كقُعاصِ الغَنم، ثم استفاضة المال حتى يعطي الرّجُلَ مائةَ دينارٍ فيظلّ ساخطا، ثم فتنة لا يبقى بيت من العرب إلا دخلته، ثم هدنة تكون بينكم وبين بني الأصفر، فيغدرون فيأتونكم تحت ثمانين غاية، تحت كل غاية اثنا عشر ألفا»

“Numëroi këto gjashtë gjëra, që do të ndodhin para Orës:

[1] Vdekja ime,

[2] pastaj çlirimi i Bejt el-Makdis (Jerusalemit),

[3] pastaj një vdekje e shumtë që do t’ju përfshijë juve, si ku’asi i bagëtive (një sëmundje që i kap kafshët dhe i shkakton vdekje të papritur),

[4] shtimi përhapja e pasurisë, sa që, kur t’i jepet ndonjërit njëqind dinarë do të hidhërohet…” – dhe vazhdon hadithi [2]

Këto janë pjesë e Shenjave të Vogla të Kiametit.

Dërgimi i Muhamedit (), pa dyshim, lajmëron se Ora është afruar (sepse ai është profeti i fundit), edhe nëse zgjatet periudha (mes tij dhe Orës);

﴿وَإِنَّ يَوْمًا عِنْدَ رَبِّكَ كَأَلْفِ سَنَةٍ مِمَّا تَعُدُّونَ﴾ [الحج:47]

“Një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogarisë suaj.” [El-Haxhxh,  47]

Mandej, pas kësaj, është çliruar Bejtul-Makdis, mandej pas kësaj ka ardhur ajo sëmundja e përgjithshme – murtaja e madhe që i përfshiu njerëzit, ashtu siç ka lajmëruar Profeti (). Mandej, gjithashtu, u shtua dhe u përhap pasuria në kohën e sahabëve dhe pas tyre, deri sa ndodhi ashtu siç pati thënë i Dërguari ().

Pjesë e Shenjave të Vogla është edhe ajo që ia ka treguar Profeti () Xhibrilit, në hadithin e njohur të transmetuar nga Umeri (), në të cilin Xhibrili e pyet Profetin () duke i thënë: “Më trego për Orën!” – ndërsa Profeti () i thotë:

«مَا المَسْؤُولُ عَنْهَا بِأَعْلَمَ مِنَ السَّائِلِ»

“Personi që pyetet për Orën nuk di më shumë se ai që pyet!”

Xhibrili thotë: “Atëherë më trego për shenjat e saj!” Profeti () i përgjigjet:

«أَنْ تَلِدَ الأَمَةُ رَبَّتَهَا، وَأَنْ تَرَى الْحُفَاَةَ الْعُرَاةَ رِعاءَ الشَّاءِ يَتَطَاوَلُونَ فِي الْبُنْيَانِ»

“Kur robëresha të lind të zonjën e vet dhe kur t’i shohësh këta të zbathur, të paveshur, kujdestarë të dhenve (d.m.th. beduinët) si garojnë për ndërtesa më të larta (e më të bukura)![3]

E kështu me radhë, me shumë lloje të Shenjave të Vogla të Kijametit, të cilat e pasojnë njëra-tjetrën, kohë pas kohe, do të ndodhë ashtu siç ka lajmëruar Profeti ().

Pjesë e këtyre Shenjave që i ka lajmëruar Profeti () është se:

«لن تقوم الساعة حتى تخرج نار في المدينة تضيء لها أعناق الإبل ببُصرى»

“Ora nuk do të ndodhë para se të dalë një zjarr nga Medina, e cila do të ndriçojë qafat e deveve në Busra.[4]

Busra është një vendbanim afër Damaskut në Sham – dhe kjo ka ndodhur në shekullin e 7-të të hixhretit, pas vitit 650H. Atëherë e ditën dijetarët dhe e ditën njerëzit (se kjo ishte ajo shenjë) – dhe kjo ishte një prej argumenteve të Profecisë së Muhamedit ().

Profeti () ka lajmëruar se pjesë e Shenjave të Orës është që “…do të lihen devetë e reja dhe nuk do të punohet për to”[5] – d.m.th. se njerëzit do të fillojnë t’i lënë devetë dhe kafshët e udhëtimit që i kanë pasur traditë, nuk do të bëjnë më pas tyre dhe nuk do t’i shfrytëzojnë më si mjete udhëtimi.

Për shumë dijetarë ka qenë e pakuptueshme: si do ta lënë njerëzit përdorimin e deveve për udhëtim? Disa patën thënë: “Ndoshta hadithi e ka për qëllim se devetë do të shpeshtohen shumë, aq sa, numri i deveve që do të përdorën për transport, në raport me numrin e deveve që nuk do të përdoren, do të jetë si asgjë, dhe kështu devetë e reja do të lihen dhe nuk do të punohet më për to.”

Tani ne, në këtë kohë, e kemi parë sinqeritetin dhe vërtetësinë e lajmeve të Profetit ().

Ka edhe shumë hadithe në të cilat përmenden Shenjat e Vogla të Kijametit, Shenja që po ndodhin pak nga pak…

Besimi në to është një obligim i detyruar, pasi që, besimi në fjalët e Profetit () është farz i obliguar e i detyruar për secilin njeri.

Ai që e përgënjeshtron ndonjë lajm të Profetit (), ai e ka përgënjeshtruar Dërgesën (Mesazhin) e tij.

[Shenjat e Mëdha]

Pastaj, vijojnë Shenjat e Mëdha të Orës. Ato janë shenjat dhe paralajmërimet që do të jenë si një gjerdan me rruaza, që kur këputet, ato dalin varg njëra pas tjetrës.

Ato janë dhjetë shenja të qarta; Dhjetë Shenjat e Mëdha të Kiametit. Kur të ndodhë e para, prite të dytën, pastaj prite të tretën… e kështu deri te e dhjeta… deri kur të ndodhë Ora.

1. Shenja e parë është: Dalja e Dexhallit.

Dexhalli do të dalë në këtë umet. Por nuk ka pasur profet që nuk e ka paralajmëruar umetin e vet për el-Mesîh ed-Dexhxhâl.

Fitnja e Dexhallit është fitnja më e madhe që e ka kapur ndonjëherë njerëzimin.

Ai do të pretendojë se është “Zoti dhe i Adhuruari”.

Do të ketë me vete “Xhenet” dhe “Zjarr”.

Do të ngjallë (njerëz) dhe do të bëjë të vdesin.

Do të furnizojë disa dhe do të varfërojë të tjerë.

Do t’u japë disave e do t’ua ndalojë të tjerëve.

Ai do të ketë fitne të jashtëzakonshme. Njerëzit do të ndahen në këtë fitne në besimtarë (të Dexhallit) dhe në mosbesimtarë.

Ai do të dalë vetëm atëherë kur nuk përmendet dhe kur nuk paralajmërohet për të.

Të gjithë Profetët kanë paralajmëruar për fitnen e tij. I kanë paralajmëruar popujt e tyre të ruhen prej fitnes së tij.

Edhe Profeti ynë () na ka paralajmëruar për sprovën e tij dhe ka thënë:

«إن يخرج فيكم وأنا فيكم فأنا حجيجه دونكم، وإن يخرج فيكم وأنا لست فيكم فامرؤ حجيج نفسه»

“Nëse del te ju deri sa jam unë mes jush, unë do të ballafaqohem me të për ju (do të jem hasmi i tij). Po nëse del te ju kur nuk jam më me ju, atëherë secili person do të ballafaqohet për vetveten!”[6]

Prandaj, mos jini të shkujdesur për këtë, sepse fitnja e Dexhallit është fitne e jashtëzakonshme! Sprovë shumë e madhe! Njerëzit, që i arrin fitnja e tij dhe që nuk kanë dituri rreth saj, do të jenë prej atyre që do të besojnë në këtë Dexhall; do të besojnë se ai është “Zoti” dhe “i Adhuruari”, të cilit i përket ibadeti dhe bindja.

Dhe pastaj, gjatë periudhës së shfaqjes së Dexhallit në Tokë, do të zbresë Isai, i biri i Merjemes (alejhis-selâm). Sepse All-llahu e ka ngritur Isain dhe nuk ka vdekur. E ka ngritur atë nga Toka gjatë gjithë kësaj kohe. All-llahu ka thënë:

﴿يَا عِيسَى إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَيَّ﴾ [آل عمران:55]

“O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje lart (d.m.th. me shpirt dhe trup)[Âl Imrân, 55]

Pra ai ka mbetur gjallë në qiell. Më pas All-llahu do ta zbresë atë në Tokë, në kohën e fundit, pas daljes së Dexhallit. All-llahu (xhel-le ue ‘alâ), pasi e ka përmendur Isain (alejhis-selâm), në suren ez-Zuhruf, ka thënë:

﴿وَإِنَّهُ لَعِلْمٌ لِلسَّاعَةِ فَلَا تَمْتَرُنَّ بِهَا﴾ [الزخرف:61]

“Në të vërtetë, Isai është njoftim për Orën (e Kiametit), në ardhjen e së cilës mos dyshoni kurrsesi.” [Ez-Zukhruf, 61]

Në një kiraet tjetër thuhet:

﴿وَإِنَّهُ لَعَلَمٌ لِلسَّاعَةِ﴾ [الزخرف:61]

“Në të vërtetë, Isai është shenjë për Orën (e Kiametit)…”

– d.m.th. është një prej treguesve dhe paralajmëruesve të Kiametit. Profeti Muhamed () ka lajmëruar për këtë dhe ka thënë:

«إنه ينزل عند المنارة البيضاء شرقيّ دمشق»

“Ai do të zbresë te Minarja e Bardhë, në lindje të Damaskut!”[7]

Këtë e ka thënë para se të çlirohet Damasku dhe para se të ketë aty ndonjë minare të bardhë. Pra, Isai do të zbresë dhe në të do të besojnë edhe Ehlul-kitab (Ithtarët e Librave – jehudët dhe të krishterët).

Ai do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin dhe do t’ua urdhërojë njerëzve Islamin. Ai, kur të zbresë dhe t’i gjejë muslimanët duke u falur do të nxjerrë për imam njërin nga ky Umet i muslimanëve dhe do t’u thotë: “Imam për ju bëhet dikush prej jush”.

All-llahu ka thënë në lidhje me Isain (alejhis-selâm):

﴿وَإِنْ مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ إِلَّا لَيُؤْمِنَنَّ بِهِ قَبْلَ مَوْتِهِ وَيَوْمَ الْقِيَامَةِ يَكُونُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًا﴾ [النساء:159]

“Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë atij para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre (d.m.th. atyre që s’patën besuar përpara në të, si rob dhe i dërguar i Zotit). [En-Nisâ’, 159]

“… do t’i besojnë atij…” – d.m.th. do t’i besojnë Isait (alejhis-selâm); “para së të vdesë” pra Isai (alejhis-selâm), pasi që ai nuk ka vdekur.

Domethënë, të gjithë ithtarët e librave, që do ta shohin zbritjen e Isait, do t’i besojnë atij, sepse do ta dinë atëherë se ai është Isai, i dërguari i All-llahut.

Do të merr fund Trinia dhe do të merr fund adhurimi që i është bërë Isait krahas Zotit. Ai do t’ua urdhërojë njerëzve fenë Islame dhe ajo do të përhapet në Tokë.

Isai do ta vrasë Dexhallin në Bâbu Ludd, në tokën e Palestinës.

Dexhallin (gjatë periudhës së tij) do ta ndjekin një grup i madh i jehudëve.

Mandej, Isai do të jetojë në mesin e njerëzve një periudhë të caktuar, në të cilën do të përhapen shumë të mira. Do të përhapet pasuria dhe do të kenë furnizim dhe begati të shumta, sa që do ketë edhe gjëra të çuditshme dhe të mrekullueshme – ashtu siç i ka përmendur Profeti ynë () dhe i ka përshkruar në hollësi.

Pastaj… do të ndodhë dalja e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve.

Ata janë njerëz, si gjithë njerëzit (pasardhës të Ademit).

All-llahu (xhel-le ue ‘alâ) ka thënë për ta:

﴿حَتَّى إِذَا فُتِحَتْ يَأْجُوجُ وَمَأْجُوجُ وَهُمْ مِنْ كُلِّ حَدَبٍ يَنسِلُونَ (96) وَاقْتَرَبَ الْوَعْدُ الْحَقّ.. ﴾ [الأنبياء:96-97]

“Dhe, kur të dalin Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të shpejtojnë prej çdo lartësie, dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne!” [el-Enbijâ’, 96-97]

– dhe vazhdojnë ajetet.

Domethënë, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët do të lirohen, do të dalin (prej cakut, ku i ka mbyllur Dhul Karnejni, duke u shpërndarë shpejt nëpër tokë) dhe do të sjellin një katastrofë të madhe për njerëzimin. Ata, pranë çdo uji që do të kalojnë, do ta pinë dhe, pranë çdo ushqimi që do të kalojnë, do ta hanë.

Atëherë Isai (alejhis-selâm) do të lutet kundër tyre dhe All-llahu do t’i vrasë, ashtu që do të kundërmojë Toka nga era e keqe e tyre. Pastaj, All-llahu do të dërgojë një Erë që do t’i bartë trupat e tyre dhe do t’i hedhë në det.

Mandej, pas kësaj, do të ndodhë shenja e katërt: Do të ndodhë një eklips në lindje. Një eklips i madh që, si shembulli i tij nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Dhe pas tij, shenja e pestë: një eklips në perëndim, që si shembulli i tij nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Pastaj ndodh një eklips në Gadishullin Arabik, që si shembulli i tij nuk ka ndodhur kurrë – dhe kjo është prej fuqisë së çuditshme të All-llahut.

Pra këto janë prej Shenjave të Mëdha të Orës. Njëra pas tjetrës.

Pastaj, do të ndodhë ajo që do të ndodhë;

do të dalë Tymi;

– do të lindë Dielli nga perëndimi i tij;

– do t’u dalë njerëzve Dâbbe-ja (gjallesa) paradite dhe do t’i damkosë ata (do t’ua vë vulën ose shenjën në ballë: “besimtar” ose “jobesimtar”).

Kur të del Dielli nga ana e perëndimit, njerëzve nuk do t’u pranohet pendimi, siç ka thënë All-llahu (xhel-le ue ‘alâ):

﴿يَوْمَ يَأْتِي بَعْضُ آيَاتِ رَبِّكَ لَا يَنفَعُ نَفْسًا إِيمَانُهَا لَمْ تَكُنْ آمَنَتْ مِنْ قَبْلُ أَوْ كَسَبَتْ فِي إِيمَانِهَا خَيْرًا﴾

“Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose (atij që) nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e tij!” [El-En’âm, 158]

Domethënë, atij që nuk ka qenë besimtar, nuk do t’i bëjë dobi imani pasi ta shohë lindjen e diellit nga perëndimi.

Pranimi i teubes ndërpritet, ndërsa muslimanët e presin atë Erën e cila do t’i vdesë besimtarët. Do të mbesin gjallë vetëm jobesimtarë, të cilët nuk do të kenë në mesi e tyre asnjë njeri që thotë: “All-llâhe! All-llâhe!”, siç ka treguar Profeti (). D.m.th. nuk do të mbesë asnjë njeri që i thotë dikujt: “Frikësoju All-llahu! Frikësoju All-llahut!” Kështu, do të mbesin njerëz, të cilët do të fëlliqen siç fëlliqen gomarët[8] (d.m.th. do të përzihen dhe do të kryejnë imoralitete në sy të njerëzve).

Pastaj, All-llahu do të nxjerrë një zjarr të madh, i cili niset nga fundi i Adenit, në jug të Gadishullit Arabik, pastaj ky zjarr fillon të përhapet në Tokë dhe do t’i grumbullojë njerëzit drejt vendgrumbullimit ku do të mblidhen.

Do të frikësohen nga ai dhe do të vazhdojnë drejt vendgrumbullimit, të frikësuar dhe të tmerruar nga zjarri, i cili qëndron me ta natën kur ata qëndrojnë, ec me ta kur ata ecin dhe i rrethon nga të gjitha anët. Ndërsa njerëzit vazhdojnë drejt vendtubimit të tyre.

Pastaj, All-llahu i jep lejen dhe urdhrin engjëllit Isrâfîl, që t’i fryjë Surit (Borisë), me atë fryrjen e tmerrshme dhe atë britmë tronditëse të vdekjes, dhe njerëzit do të vdesin nga tronditja. Të gjithë ata që do të jenë gjallë në Tokë do të kthehen në të vdekur. Siç ka thënë All-llahu (azze ue xhel-le):

 ﴿وَنُفِخَ فِي الصُّورِ فَصَعِقَ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَمَنْ فِي الْأَرْضِ إِلَّا مَنْ شَاءَ اللَّهُ﴾

“Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do All-llahu…” [Ez-Zumer, 68]

Pas kësaj fryrje të Borisë, njerëzit do të mbesin të vdekur. All-llahu e shndërron Tokën, atëherë Toka nuk do të jetë më ajo Tokë. Do t’i shndërrojë qiejt, atëherë qiejt nuk do të jenë më ato qiej.

﴿إِذَا الشَّمْسُ كُوِّرَتْ﴾

“Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin…” [Et-Tekuîr, 1]

Qiejt do të shndërrohen;

﴿إِذَا السَّمَاءُ انفَطَرَتْ

“Kur qielli të çahet…” [El-Infitâr, 1]

Toka do të shndërrohet:

﴿وَإِذَا الْأَرْضُ مُدَّتْ﴾

“kur Toka të shtrohet (sheshohet nga rrënimi i maleve) [El-Inshikâk, 3]

Atëherë do të bëhen barabar – ata që janë varrosur midis maleve me ata që janë varrosur në rrafsh. All-llahu do ta shndërrojë Tokën. Do t’i ndryshojë pamjet dhe shenjat e Tokës dhe do t’i ndryshojë shenjat e qiellit.

Kjo është vërtet çështje e çuditshme. Njerëzit do të vazhdojnë të vdekur nën Tokë. Gjithçka do t’u zhduket përveç një rruazë në fund të kurrizit, e cila do të jetë si farë për ta.

Atëherë, All-llahu do ta urdhërojë qiellin dhe ajo do të nxjerrë retë – re të rënda – dhe do të mbajnë ujë si fara e burrave. Dhe kur ato e mbajnë ujin, All-llahu e urdhëron qiellin dhe ajo e lëshon shiun në Tokë me atë ujë.

Mandej do të mbijnë trupat, pasi të bie ai shiu në Tokë për dyzet…

Dyzet… nuk e dimë a janë dyzet muaj, apo dyzet vite, apo dyzet javë… ato e lëshojnë shiun për dyzet;

Pastaj do të mbijnë trupat e njerëzve,
ashtu si borziloku i bukur kur mbin;

si nënës kur i vjen koha e lindjes,
i fillojnë dhimbjet dhe lehonia arrin.

Atë e urdhëron Zoti i qiellit dhe ajo çahet,
sakaq del foshnja e përkryer, njeri…

Pastaj, All-llahu e urdhëron Israfilin dhe ai i fryn Borisë me atë Fryrjen për Ringjallje, dhe të gjitha shpirtrat kthehen në trupat e tyre. Aty trupat do të dridhen dhe, të gjithë, besimtarët edhe jobesimtarët, do të thonë:

يا ويلنا من بعثنا من مرقدنا؟

“Mjerë për ne! Kush na ngriti prej varreve tona?” [Jâ Sîn, 52]

Dhe do të përgjigjen besimtarët dhe të tjerët:

هذا ما وعد الرحمن وصدق المرسلون

“Ja, kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi; të dërguarit kanë thënë të vërtetën!” [Jâ Sîn, 52]

Atëherë njerëzit do të udhëhiqen; besimtarët drejt Xhenetit, ndërsa jobesimtarët drejt Zjarrit.

Por para kësaj ka shumë gjëra madhështore që do të ndodhin, që kanë të bëjnë me Mahsherin (vendtubimin e Ditës së Gjykimit).

All-llahut i lutem që të na mbrojë dhe shpëtojë atë Ditë kur do të tmerrohen krijesat! I lutemi të na dhurojë kuptim të thellë të Librit të Tij dhe Sunetit të të dërguarit të Tij…

Përktheu: Blerand Grubi

[1] Transmeton Buhariu, 5301 nga Sehl ibën Se’ad es-Sâ’idij dhe Muslimi, 867 nga Xhâbir ibën Abdil-lâh, radijAll-llahu anhumâ.

[2] Transmeton Buhariu, 3176 nga Auf ibën Mâlik, radijAll-llahu anhu. Vazhdimi i hadithit: [5] pastaj një fitne, që nuk ka për të lënë asnjë shtëpi të arabëve pa u futur në të, [6] pastaj një marrëveshje paqeje që do të ndodhë mes jush dhe benil-esfer (d.m.th. evropianëve) të cilët do të tradhtojnë dhe do t’ju vijnë në 80 pozicione (ose flamuj), nën secilin flamur do të jenë 12.000 prej tyre.”

[3] Transmeton Muslimi (8), nga Abdull-llah ibën Umer, radijAll-llahu anhumâ.

[4] Transmeton Buhariu (7118) dhe Muslimi (2902), nga Ebu Hurajra, radijAll-llahu anhu.

[5] Transmeton Muslimi (155), nga Ebu Ebu Hurajra, radijAll-llahu anhu.

[6] Transmeton Muslimi (2937), nga en-Newwâs ibën Sem’ân, radijAll-llahu anhu.

[7] Kjo është pjesë nga hadithi i en-Newwâs ibën Sem’ân, i lartpërmenduri.

[8] Edhe kjo është pjesë nga hadithi i en-Newwâs ibën Sem’ân, i lartpërmenduri.

 

[wpdm_package id=’1105′]