Zanafillat e gjynaheve, që të gjithave, të mëdhave e të voglave, janë tri: lidhja e zemrës pas dikujt tjetër krahas All-llahut, bindja ndaj forcës së zemërimit dhe bindja ndaj forcës së ëndjeve.
Dhe këto janë përkatësisht: shirku, padrejtësia dhe gjynahet e turpshme.
– Pra, kulmi i lidhjes për dikë tjetër krahas All-llahut është shirku; t’i lutet ndonjë të adhuruari tjetër, krahas Tij;
– kulmi i bindjes ndaj forcës së zemërimit është: vrasja;
– dhe kulmi i bindjes ndaj forcës së ëndjeve është: zinaja (imoraliteti).
Prandaj All-llahu i ka mbledhur të tria këto te Thënia e Tij:
وَالَّذِينَ لَا يَدْعُونَ مَعَ الله إِلَهًا آخر وَلا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ وَلا يَزْنُونَ
“dhe ata që, pos All-llahut, nuk i luten ndonjë të adhuruari tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që All-llahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë zina.” [El-Furkân, 68]
Këto të tria ftojnë te njëra-tjetra.
Shirku fton në padrejtësi dhe në vepra të turpshme, si Ihlasi dhe Teuhidi (nga ana e kundërt) që ia largojnë ato të dyja personit. All-llahu i Lartësuar ka thënë:
كَذَلِكَ لِنَصْرِفَ عَنْهُ السُّوءَ وَالْفَحْشَاءَ إِنَّهُ مِنْ عِبَادِنَا الْمُخْلِصِينَ
“Kështu ia larguam (Jusufit) të keqen dhe veprën e turpshme, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë muhlisinë (që ia kushtojnë pastër adhurimin Zotit).” [Jûsuf, 24]
“E keqja” këtu është ashku, ndërsa “vepra e turpshme” është zinaja.
Padrejtësia, gjithashtu, fton në shirk dhe në vepra të turpshme. Sepse shirku është padrejtësia më e madhe, siç është Teuhidi drejtësia më e madhe. Pra, drejtësia është shoqëruesja e Teuhidit, kurse padrejtësia shoqëruesja e shirkut, prandaj All-llahu i ka përmendur bashkë.
Sa i takon të parës, atë e ka përmendur te Thënia e Tij:
شهد الله أنه لَا إِلَه إِلَّا هُوَ وَالْمَلائِكَةُ وَأُولُو الْعِلْمِ قَائِماً بِالْقِسْطِ
“All-llahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka të adhuruar tjetër të drejtë përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë.” [Âl Imrân, 18]
Kurse të dytën e ka përmendur, për shembull, te Thënia:
إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
“Vërtet shirku është një padrejtësi shumë e madhe” [Lukmân, 13]
Edhe vepra e turpshme fton në shirk dhe në padrejtësi, sidomos nëse forcohet dëshira për ta bërë dhe nuk arrihet ndryshe, përveçse përmes ndonjë lloj padrejtësie ose nëpërmjet magjisë dhe shejtanit. All-llahu i ka përmendur bashkë zinanë me shirkun tek ajeti:
الزَّانِي لَا يَنْكِحُ إِلَّا زَانِيَةً أَوْ مُشْرِكَةً وَالزَّانِيَةُ لَا يَنْكِحُهَا إِلَّا زَانٍ أَوْ مُشْرِكٌ وَحُرِّمَ ذَلِكَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ
“Zinaqari mund të martohet vetëm me zinaqaren apo mushriken, kurse zinaqaren mund ta marrë vetëm zinaqari apo mushriku. Këto janë të ndaluara për besimtarët.” [En-Nûr, 3]
Këto të tria tërheqin te njëra-tjetra dhe urdhërojnë për njëra-tjetrën.
Prandaj zemra, sa më të dobët ta ketë Teuhidin dhe më të madh shirkun, aq më shpesh do të bëjë vepra të turpshme dhe do t’i shtohet lidhja për figurat (e krijesave) dhe dashuria për to.
Këtë kuptim të njëjtë e ka Thënia e All-llahut të Lartësuar:
فَمَا أُوتِيتُم مِّن شَيْءٍ فَمَتَاعُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَمَا عِندَ اللَّهِ خَيْرٌ وَأَبْقَىٰ لِلَّذِينَ آمَنُوا وَعَلَىٰ رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ (36) وَالَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ وَإِذَا مَا غَضِبُوا هُمْ يَغْفِرُونَ (37)
“Çdo gjë që ju është dhënë juve, është vetëm kënaqësi në jetën e kësaj bote. Por ajo që është tek All-llahut (shpërblimi; mirësia) është më e mirë dhe më e përhershme për ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre; për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha e prej veprave të turpshme dhe që, kur i zemëron dikush, falin.” [Esh-Shûrâ, 36]
Pra ka treguar se shpërblimi i Tij është më i mirë për ata që besojnë dhe mbështeten tek Ai – dhe ky është Teuhidi. Pastaj ka thënë: “për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha e prej veprave të turpshme” – kjo nënkupton parandalimin e forcës së ëndjeve; pastaj ka thënë: “dhe që, kur i zemëron dikush, falin.” – dhe kjo është kundërshtimi i forcës së zemërimit.
Kështu që i ka përfshirë të tria: Teuhidin, nderin dhe drejtësinë, të cilat janë përmbledhja e krejt mirësisë.
El-Fewâid, 117-118.
Përktheu: Blerand Grubi