Pas përfundimit të muajve të bekuar të haxhit, pason një muaj madhështor – muaji i All-llahut “El Muhar-ram”!
Muslimi ka transmetuar nga Ebu Hurajra (radijAll-llahu anhu) një hadith, në të cilin Profeti (ﷺ) ka thënë:
“أفضل الصيام بعد شهر رمضان شهر الله الذي تدعونه المحرم، وأفضل الصلاة بعد الفريضة قيام الليل”
“Agjërimi më i mirë pas muajit Ramazan, është ai i Muajit të All-llahut që e quani “el Muhar-ram”, ndërsa namazi më i mirë, pas farzeve, është namazi i natës!”
Profeti (ﷺ) Muajin Muharram e ka quajtur “Muaji i All-llahut” dhe kjo tregon se sa i çmuar dhe i vlershëm është ky muaj, ngaqë All-llahu nuk e përcakton diçka si të Tijën, përveçse kur është prej krijesave të Tij të veçanta.
Ky muaj është çelësi i vitit. Në këtë muaj All-llahu e ka ndihmuar profetin e Tij të cilit i ka folur me Fjalë – Musain (alejhis-selâm). E ka ndihmuar atë kundër prijësit të jobesimtarëve dhe mohuesve – Faraonit, i cili i kaloi kufijtë, u madhështua në Tokë dhe tha: “Unë jam zoti juaj më i larti!”
All-llahu i Lartësuar ka thënë:
إِنَّ فِرْعَوْنَ عَلَا فِي الْأَرْضِ وَجَعَلَ أَهْلَهَا شِيَعًا يَسْتَضْعِفُ طَائِفَةً مِنْهُمْ يُذَبِّحُ أَبْنَاءَهُمْ وَيَسْتَحْيِي نِسَاءَهُمْ إِنَّهُ كَانَ مِنَ الْمُفْسِدِينَ
“Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” [El-Kasas, 4]
D.m.th.: i ka ndarë banorët e tij në grupe; disa prej tyre i përndiqte – dhe ata janë fiset e Beni Israil. Pra, i përndiqte pasardhësit e profetit Jakub, të birit të Is’hakut dhe nipit të Ibrahimit, Mikut të ngushtë të All-llahut!
Ata, në atë kohë, ishin njerëzit më të mirë në Tokë, kurse Faraoni filloi t’i robërojë për gjërat më të kota dhe, përveç kësaj, t’ua vriste djemtë dhe t’ua linte femrat gjallë.
Motivi dhe shtytësi i tij për ta bërë këtë vepër të shëmtuar ishte ajo se Beni Israil (pasardhësit e Jakubit) e mësonin dhe përcillnin në mesin e tyre një fjalë, të cilën e transmetonin nga Ibrahimi (alejhis-selâm) dhe e cila thoshte se prej pasardhësve të Ibrahimit do të dalë një djalosh, në duart e të cilit do të rrëzohet mbretëria e Egjiptit.
Ky lajm i gëzuar ishte i njohur te Beni Israil, kështu që filluan edhe egjiptianët të flasin për të dhe rrjedhimisht lajmi mbërriti te Faraoni. Atëherë, ai urdhëroi që të vriten të gjithë fëmijët meshkuj të Beni Israil, duke u kujdesur kështu të mos shfaqet ky djalosh. Mirëpo, “kujdesi nuk e pengon kaderin”.
Madje ka dashur All-llahu që ky djalosh, që do të lindë (d.m.th. Musai), të rritet mu te pallati i Faraonit dhe të ushqehet nga haja dhe pija e tij.
Kur nëna e Musait ishte shtatzënë, ajo përpiqej të mos dihej se ishte shtatzënë dhe shenjat e saj nuk dalloheshin. Pasi e lindi atë, filloi të brengoset shumë.
Çdo herë kur frikësohej nga dikush, e fuste fëmijën në një sënduk dhe e lëshonte në lumë. Sënduku kishte një litar për ta mbajtur të mos ikë. Një ditë e lëshoi në lumë dhe harroi ta lidhte litarin, kështu asaj i iku sënduku me fëmijën dhe e mori rrjedha e Nilit. Ai kaloi pranë pallatit të Faraonit:
فَالْتَقَطَهُ آلُ فِرْعَوْنَ
“Atë e mori nga lumi familja e Faraonit” [El-Kasas, 8]
– dhe u soll përpara gruas së Faraonit. Kur ai e pa, urdhëroi të vritet, kurse ajo e mbrojti atë dhe tha:
قُرَّتُ عَيْنٍ لِي وَلَكَ لَا تَقْتُلُوهُ عَسَى أَنْ يَنْفَعَنَا
“Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm” [El-Kasas, 9]
Dhe All-llahu ia ka realizuar asaj atë që e shpresonte (d.m.th. të jetë i dobishëm), sepse, përmes Musait më vonë, All-llahu e udhëzoi atë dhe, sebep tij, e bëri prej banorëve të Xhenetit.
Kur deshën ta ushqejnë me qumësht gjiri, ai nuk pranonte asnjë gji, kështu që u konsultuan për punën e tij dhe, së bashku me mamitë e tij, e dërguan në treg, me shpresë se do të gjejnë një mëndeshë të përshtatshme.
Aty e ka parë motra e tij. Ajo nuk ka treguar se e njeh atë, por ka thënë:
هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَى أَهْلِ بَيْتٍ يَكْفُلُونَهُ لَكُمْ وَهُمْ لَهُ نَاصِحُونَ
“A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?” [El-Kasas, 12]
Kështu, ata shkuan te shtëpia e saj. Atëherë e mori nëna e tij dhe, kur filloi t’i japë gji, ai filloi të thithë dhe u gëzuan tej mase.
Asaj i caktuan edhe një rrogë për shpenzime dhe veshje. Kështu All-llahu e ribashkoi me të birin e saj. All-llahu ka thënë:
فَرَدَدْنَاهُ إِلَى أُمِّهِ كَيْ تَقَرَّ عَيْنُهَا وَلَا تَحْزَنَ وَلِتَعْلَمَ أَنَّ وَعْدَ اللَّهِ حَقٌّ
“Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i All-llahut është i vërtetë.” [El-Kasas, 13]
Më pas, Musai u rrit nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e All-llahut, në shtëpinë e Faraonit, duke ngrënë nga ushqimi i mirë dhe duke veshur rrobat më të bukura.
Kur arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, pra u plotësua me pamje dhe me moral, në moshën dyzet vjeçare, All-llahu i dhuroi urtësinë dhe diturinë, që janë: profecia dhe Mesazhi.
Pastaj, ai gjeti dy njerëz duke u grindur e goditur; njëri prej Beni Israil, domethënë nga grupi i Musait, kurse tjetri nga egjiptianët, nga armiqtë e Musait.
Ai që ishte prej Beni Israil i kërkoi Musait ta ndihmonte kundër egjiptianit. Musai e ndihmoi atë, e goditi egjiptianin dhe ai ra i vdekur menjëherë nga goditja. Aty e kuptoi Musai se gaboi, kërkoi falje te Zoti i tij (azze ue xhel-le) dhe Ai ia fali.
Pastaj, ai u frikësua nga Faraoni dhe paria e tij, se mos kërkojnë shpagim për atë vrasje. Kështu që doli nga Egjipti dhe u nis drejt Medjenit, qytetit në të cilin All-llahu e ka shkatërruar popullin e Shuajbit.
Arriti atje dhe u martua me një vajzë në shkëmbim të kujdesit për bagëtinë, për tetë vjet ose dhjetë. Kur e plotësoi kohën (për të cilën ishte marrë vesh), u nis me familjen e tij drejt tokës së Egjiptit.
Përderisa ishte në atë rrugë, All-llahu e nderoi duke i dhënë Mesazhin (d.m.th duke e bërë Rasul, të Dërguar) dhe e dërgoi te Faraoni. Musai ia përcolli atij Mesazhin e All-llahut, mirëpo Faraoni nuk u bind, u tregua mendjemadh, kokëfortë dhe kundërshtar.
Musai ia sqaroi argumentet dhe ia paraqiti qartë provat, por Faraoni filloi të përdorë forcën për ta penguar të Vërtetën.
Andaj, All-llahu e urdhëroi Profetin e Tij Musa (alejhis-selam) që, së bashku me shoqëruesit e tij muslimanë, të dalin drejt tokës së Shamit.
Ai doli me ta gjatë natës. Kur Faraoni e kuptoi se Beni Israil kanë dalë, u zemërua me ta, e grumbulloi ushtrinë e tij dhe u nisën në kërkim të tyre. Ai i arriti ata në lindje të diellit, kur ata sapo kishin arritur detin.
فَلَمَّا تَرَاءَى الْجَمْعَانِ قَالَ أَصْحَابُ مُوسَى إِنَّا لَمُدْرَكُونَ
“Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!” [Esh-Shu’arâ’, 61]
Kështu thanë ngaqë armiku ishte prapa tyre, deti përpara tyre, ndërsa në të djathtë dhe të majtë male të larta. Kurse i Dërguari Musa, i sinqerti dhe besniku, u tha atyre:
قَالَ كَلَّا إِنَّ مَعِيَ رَبِّي سَيَهْدِينِ
“Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën” [Esh-Shu’arâ’, 62]
Ai u afrua detit, ndërsa valët përplaseshin dhe tha: “Këtu jam urdhëruar!” Atëherë All-llahu i shpalli atij:
أَنِ اضْرِبْ بِعَصَاكَ الْبَحْرَ
“Bjeri me shkopin tënd detit!” [Esh-Shu’arâ’, 63]
Kur ai i ra, deti u nda dhe u bë dymbëdhjetë rrugë, sipas numrit të Esbatëve (fiseve) të Beni Israil. Aty deti u bë i thatë dhe Musai bashkë me shoqëruesit e tij filluan të kalojnë përmes.
Kur e kaluan detin dhe doli i fundit prej tyre, atëherë u fut në të Faraoni me ushtrinë e tij duke i ndjekur ata. Dhe kur u futën të gjithë, All-llahu ua përmbysi detin dhe i fundosi të gjithë, përpara syve të Beni Israil.
Kështu All-llahu e ndihmoi Musain – të dërguarin të cilit i ka folur me Fjalë – bashkë me shoqëruesit e tij besimtarë dhe e shkatërroi Faraonin, bashkë me shoqëruesit e tij jobesimtarë.
Kjo ndodhi madhështore dhe kjo ndihmë e qartë ishte në ditën e dhjetë të muajit të All-llahut “el Muhar-ram”, dhe ajo është Dita e Ashures (el Ashûrâ’). Këtë ditë Musai (alejhis-selâm) e ka agjëruar, si falënderim ndaj All-llahut (azze ue xhel-le).
Kur Profeti Muhammed (ﷺ) u shpërngul në Medine, i gjeti jehudët duke e agjëruar Ditën e Ashures dhe u tha:
“ما هذا اليوم الذي تصومونه؟
“Çfarë është kjo ditë që ju e agjëroni?”
Ata u përgjigjën:
“Kjo është një ditë madhështore, në të cilën All-llahu e ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij dhe e ka fundosur Faraonin dhe popullin e tij. Musai e ka agjëruar atë si falënderim, kështu që edhe ne e agjërojmë!”
Atëherë Profeti (ﷺ) ka thënë:
فنحن أحق وأولى بموسى منكم
“Në jemi (ndjekës) më të denjë dhe më të afërt me Musain se ju!”
I Dërguari i All-llahut (ﷺ) e ka agjëruar atë ditë dhe ka urdhëruar që të agjërohet. Këtë hadith e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Është e pëlqyeshme që, bashkë me këtë ditë, të agjërohet edhe një ditë para ose një ditë pas. Argument është hadithi që e ka transmetuar Muslimi, nga Ibën Abbasi (radijAll-llahu anhumâ), i cili thotë se, kur i Dërguari (ﷺ) e agjëroi dhe i urdhëroi shokët e tij ta agjërojnë, i thanë:
“O i Dërguar i All-llahut! Kjo është një ditë që e madhërojnë jehudët dhe të krishterët!?”
Profeti (ﷺ) ka thënë:
“فَإِذَا كَانَ العَامُ المُقْبِلُ – إِنْ شَاءَ الله – صُمْنَا اليَوْمَ التَّاسِع”
“Kur të vijë viti i ardhshëm, in sha’All-llah, do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë!”
Ndërsa Imam Ahmedi transmeton në librin e tij hadithin:
“صُومُوا يَوْمَ عَاشُورَاءَ وَخَالِفُوا اليَهُود، صُومُوا يَوماً قَبْلَهُ أَوْ يَوْماً بَعْدَه”
“Agjërojeni Ditën e Ashures dhe dallohuni nga jehudët duke e agjëruar edhe një ditë para ose një ditë pas!”
Pra, ne duhet ta agjërojmë këtë ditë dhe ta agjërojmë ditën para saj ose ditën pas saj, që të dallojmë nga jehudët dhe që ta arrijmë shpërblimin e tij.
Ebu Katade (radijAll-llahu anhu) ka transmetuar se i Dërguari (ﷺ) është pyetur për agjërimin e Ditës së Ashures dhe ai ka thënë:
“يُكَفِّرُ السَّنَةَ المَاضِيَة”
“Ajo i fshin gjynahet e vitit të kaluar!”
E ka transmetuar Muslimi dhe të tjerë. Ndërsa Ibën Mâxheh e ka transmetuar me këtë tekst:
«صِيَامُ يَوْمِ عَاشُورَاءَ، إِنِّي أَحْتَسِبُ عَلَى اللَّهِ أَنْ يُكَفِّرَ السَّنَةَ الَّتِي قَبْلَهُ»
“Shpresoj tek All-llahu se agjërimi Ditës së Ashures i fal gjynahet e vitit të kaluar!”
Qëllimi është se i fshin gjynahet e vogla, kurse gjynahet e mëdha, si: zinaja, pirja e alkoolit, marrja e kamatës etj., ato nuk fshihen ndryshe, veçse me pendim.
Kështu që kijeni frikë All-llahun, o ju robër të All-llahut! Nxitoni t’i kapni sezonet e mirësive dhe shpërblimeve para se të përfundojnë dhe merrni mësim nga historitë e Profetëve dhe rruga e tyre.
لَقَدْ كَانَ فِي قَصَصِهِمْ عِبْرَةٌ لِأُولِي الْأَلْبَابِ مَا كَانَ حَدِيثاً يُفْتَرَى وَلَكِنْ تَصْدِيقَ الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ كُلِّ شَيْءٍ وَهُدىً وَرَحْمَةً لِقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ
“Në historitë e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (Librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.” [Jûsuf, 111]
_____________________
Autor: Shejh Sâlih el-Feuzân – All-llahu e ruajttë!
Përkthimi: Blerand Grubi
Burimi