Kurani, për herë të parë kur i ka zbritur të Dërguarit të All-llahut (), ka zbritur në Natën e Kadrit në ramazan. All-llahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ (1)

“Ne e kemi zbritur atë në Natën e Kadrit.” [El-Kadr, 1]

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُبَارَكَةٍ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ (3) فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ (4)

“3. Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. 4. Në atë (natë) ndahet çdo punë e urtë (engjëjt e rishkruajnë nga Leuhi Mahfûdh kaderin e një viti)” [Ed-Dukhân]

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنْ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe për dallimin (e së vërtetës nga e kota).” [El-Bekara, 185]

Kur filloi t’i zbresë Kurani për herë të parë Profetit (), mosha e tij ishte dyzet vjeçare, sipas mendimit të njohur të dijetarëve. Kështu është transmetuar nga Ibën Abbâsi (radijAll-llahu anhumâ), Atâi, Seîd ibnul-Musejjib dhe të tjerë. Dhe kjo është mosha kur arrihet pjekuria, logjika më e përsosur dhe perceptimi më i plotë.

Kurse ai që e zbriti Kuranin nga All-llahu i Lartësuar te Profeti () është Xhibrili, njëri prej engjëjve të afërt dhe fisnikë. All-llahu i Madhëruar ka thënë për Kuranin:

وَإِنَّهُ لَتَنْزِيلُ رَبِّ الْعَالَمِينَ (192) نَزَلَ بِهِ الرُّوحُ الأَمِينُ (193) عَلَى قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنْ الْمُنذِرِينَ (194) بِلِسَانٍ عَرَبِيٍّ مُبِينٍ (195)

“192. Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. 193. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili) 194. në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. 195. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.” [Esh-Shu’arâ’]

Xhibrili (alejhis-selâm) ka pasur veti të lëvdueshme e të madhërishme, si: fisnikëria, fuqia, afërsia me All-llahun e Madhëruar, pozita dhe respekti në mes engjëjve të tjerë, besnikëria, bukuria dhe pastërtia… cilësi me të cilat All-llahu e ka bërë kompetent dhe të denjë për të qenë i dërguar i All-llahut që ua kumton shpalljen e Tij të Dërguarve (prej njerëzve). All-llahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّهُ لَقَوْلُ رَسُولٍ كَرِيمٍ (19) ذِي قُوَّةٍ عِنْدَ ذِي الْعَرْشِ مَكِينٍ (20) مُطَاعٍ ثَمَّ أَمِينٍ (21)

“19. se ky (Kuran) është Fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari fisnik, 20. që zotëron fuqi dhe pozitë të lartë te Zoti i Fronit 21. e që është i respektuar atje dhe besnik.” [Et-Tekuîr]

Dhe ka thënë:

عَلَّمَهُ شَدِيدُ الْقُوَى (5) ذُو مِرَّةٍ فَاسْتَوَى (6) وَهُوَ بِالأُفُقِ الأَعْلَى (7)

“5. Atë (shpalljen) ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhibrili), 6. i hatashëm (i bukur), që iu paraqit qartë, 7. në horizontin më të lartë.” [En-Nexhm]

Gjithashtu, All-llahu i Lartësuar ka thënë:

قُلْ نَزَّلَهُ رُوحُ الْقُدُسِ مِنْ رَبِّكَ بِالْحَقِّ لِيُثَبِّتَ الَّذِينَ آمَنُوا وَهُدًى وَبُشْرَى لِلْمُسْلِمِينَ (102)

“Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Pastër (Xhibrili) nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen All-llahut”.” [En-Nahl, 102]

All-llahu i Lartësuar na i ka sqaruar neve cilësitë e Xhibrilit, i cili e zbriti Kuranin prej Tij, dhe kjo tregon për madhështinë e Kuranit dhe përkujdesjen e All-llahut për të, sepse një i madhërishëm nuk dërgohet për tjetër, veçse për çështje të madhërishme!

_____________
Autor: Ibën Uthejmin

“Usûl fit-tefsîr”, f. 11-12
Përkthimi: Blerand Grubi