E gjithë lavdia i takon All-llahut, i Cili është Një. Falja e All-llahut dhe shpëtimi qofshin me Profetin, pas të cilit nuk ka më profet, dhe me ithtarët dhe shoqëruesit e tij.

Më pas:

Ajo që më shtyu t’i shkruaj këto fjalë është dëshira për ta këshilluar dhe kujtuar lexuesin për obligimin e zekatit. Zekatit, ndaj të cilit shumë muslimanë janë të shkujdesur dhe të cilin nuk e nxjerrin ashtu si është kërkuar. Edhe përkrah pozitës së tij të madhe dhe përkrah faktit që zekati është një nga pesë shtyllat e Islamit, pa të cilat ndërtesa e Islamit nuk ngrihet. Profeti () ka thënë:

«بُنِيَ الإسْلامُ عَلَى خَمْس: شَهَادَةِ أَنْ لاَ إلَهَ إِلَا الله، وَأَنَّ مُحَمَدًا رَسُولُ الله، وَإِقَامِ الصَّلَاةِ، وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ، وَحَجِ الْبيْتِ، وَصَوْمِ َرمَضَانَ»

“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): dëshmia se s’ka të adhuruar të drejtë veç All-llahut dhe se Muhamedi është i dërguari i All-llahut, kryerja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi në Shtëpinë (e Shenjtë) dhe agjërimi i ramazanit.” [Muttefekun alejh]

Obligimi i zekatit tek muslimanët është një prej bukurive më të dukshme që e karakterizojnë Islamin dhe që tregojnë se si kujdeset Islami për çështjet e ithtarëve të tij. Kështu është për shkak të dobive të shumta që i bart zekati dhe për shkak të nevojës së skajshme që e kanë muslimanët e varfër për të.

– Prej dobive të zekatit është përforcimi i lidhjeve dhe dashurisë midis të pasurit dhe të varfrit, sepse shpirtrat, në natyrën e tyre janë krijuar ta duan atë që i bën ndonjë të mirë.

– prej dobive është që: përmes zekatit, njeriu e pastron dhe dëlir shpirtin dhe e largon vesin e lakmisë dhe koprracisë, siç nënkuptojnë Fjalët e All-llahut në Kuranin e Madhërishëm:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِمْ بِهَا

“Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata (nga gjynahet) dhe t’i dëlirësh (nga veset e këqija)!” [Et-Teube, 103]

– prej dobive është që: muslimani ushtrohet ta ketë cilësinë e bujarisë, fisnikërisë dhe dhembshurisë për nevojtarin.

– prej dobive është që: dhënia e zekatit i sjell atij bereqet, shtim dhe zëvendësim nga All-llahu, siç ka thënë:

وَمَا أَنفَقْتُم مِّن شَيْءٍ فَهُوَ يُخْلِفُهُ ۖ وَهُوَ خَيْرُ الرَّازِقِينَ

“Çfarë do që të shpenzoni ju (për hir të All-llahut), Ai jua zëvendëson atë; Ai është Dhuruesi më i mirë.” [Sebe’, 39]

Profeti (), në një hadith sahih ka thënë:

يقول الله عز وجل: “يا ابن آدم، أنفق أُنفِق عليك”

“All-llahu (azze ue xhel-le) thotë: “O biri i Ademit, dhuro dhe Unë do të të dhuroj ty (të mira)…”

…dhe shumë e shumë dobi të tjera të zekatit.

Kurse për koprracët që nuk e nxjerrin zekatin, ose e neglizhojnë atë, ka ardhur kërcënim i ashpër. All-llahu i Lartësuar ka thënë:

وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلَا يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُم بِعَذَابٍ أَلِيمٍ (34) يَوْمَ يُحْمَىٰ عَلَيْهَا فِي نَارِ جَهَنَّمَ فَتُكْوَىٰ بِهَا جِبَاهُهُمْ وَجُنُوبُهُمْ وَظُهُورُهُمْ ۖ هَٰذَا مَا كَنَزْتُمْ لِأَنفُسِكُمْ فَذُوقُوا مَا كُنتُمْ تَكْنِزُونَ (35)

“Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të All-llahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm; Ditën (e Kiametit), kur (thesaret e mbledhura) do të nxehen fort në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të përcëllohet balli, anët dhe shpina e tyre (e do t’u thuhet): “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” [Et-Teube, 34-35]

Çdo pasuri, zekati i së cilës nuk është nxjerrë, llogaritet “kenz” (thesar i grumbulluar, i groposur) për të cilin do të dënohet personi Ditën e Ringjalljes, siç dëshmon për këtë hadithi i saktë i Profetit ():

«مَا مِنْ صَاحِبِ ذَهَبٍ وَلَا فِضَّةٍ، لَا يُؤَدِّي مِنْهَا حَقَّهَا، إِلَّا إِذَا كَانَ يَوْمُ الْقِيَامَةِ، صُفِّحَتْ لَهُ صَفَائِحُ مِنْ نَارٍ، فَأُحْمِيَ عَلَيْهَا فِي نَارِ جَهَنَّمَ، فَيُكْوَى بِهَا جَنْبُهُ وَجَبِينُهُ وَظَهْرُهُ، كُلَّمَا بَرَدَتْ أُعِيدَتْ لَهُ، فِي يَوْمٍ كَانَ مِقْدَارُهُ خَمْسِينَ أَلْفَ سَنَةٍ، حَتَّى يقْضَى بَيْنَ الْعِبَادِ، فَيَرَى سَبِيلَهُ، إِمَّا إِلَى الْجَنَّةِ، وَإِمَّا إِلَى النَّار»

“Çdo person që ka pasur ar ose argjend, nëse nuk e ka dhënë hakun (zekatin) e tyre, Ditën e Ringjalljes do t’i petëzohen (ari e argjendi) në pllaka prej zjarri, do të ndizen fort në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do t’u përcëllohen anët, balli dhe shpina. Sa herë që ftohen, i kthehen përsëri. Në një Ditë që zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet, deri sa të përfundojë gjykimi mes njerëzve e të shihet se ku do të shkojë, drejt Xhenetit apo drejt Zjarrit…”

– pastaj Profeti () i ka përmendur pronarët e deveve, lopëve dhe dhenve, të cilët nuk e kryejnë zekatin e atyre, dhe ka treguar se për shkak të kësaj do të dënohen Ditën e Ringjalljes.

I Dërguari i All-llahut () në një hadith autentik ka thënë:

« مَنْ آتَاهُ اللَّهُ مَالًا، فَلَمْ يُؤَدِّ زَكَاتَهُ مُثِّلَ لَهُ مَالُهُ يَوْمَ القِيَامَةِ شُجَاعًا أَقْرَعَ لَهُ زَبِيبَتَانِ يُطَوَّقُهُ يَوْمَ القِيَامَةِ، ثُمَّ يَأْخُذُ بِلِهْزِمَتَيْهِ – يَعْنِي بِشِدْقَيْهِ – ثُمَّ يَقُولُ أَنَا مَالُكَ أَنَا كَنْزُكَ، ثُمَّ تَلاَ:»

“Atij që All-llahu i ka dhënë pasuri dhe nuk e kryen zekatin e saj, pasuria e tij do t’i paraqitet Ditën e Ringjalljes si një gjarpër (gjigant), të cilit i ka rënë lëkura e kokës (nga helmi i fortë që bart), me dy zebibe (shkuma që rri në dy skajet e nofullës, ose: me dy dhëmbë)[1], do t’i lidhet për qafe Ditën e Ringjalljes, pastaj do ta kapë me dy nofullat dhe do t’i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam kenzi yt!” Pastaj Profeti () e ka cituar ajetin:

“وَلَا يَحْسَبَنَّ الَّذِينَ يبْخَلُونَ بِمَا آتَاهُمُ اللَّهُ مِن فَضْلِهِ هُوَ خَيْرًا لَّهُم ۖ بَلْ هُوَ شَرٌّ لَّهُمْ ۖ سَيُطَوَّقُونَ مَا بَخِلُوا بِهِ يوْمَ الْقِيَامَةِ”

“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë All-llahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo (pasuri), që nuk e kanë dhënë nga koprracia, do t’u mbështillet për qafe Ditën e Kiametit.” [Âl Imrân, 180]

Zekati është obligim për këto kategori:

– ajo që del nga toka, si: drithërat dhe frutat;[2]

– bagëtitë që kullosin;[3]

– ari dhe argjendi;

– malli tregtar.

[Për cilën sasi bëhet obligim nxjerrja e zekatit?]

Për secilën prej këtyre katër kategorive ka nisâb të caktuar (sasi që nëse e arrin, zekati i tyre bëhet i obligueshëm). Nëse sasia e këtyre pasurive është nën nisabin, zekati nuk është i detyrueshëm.

Nisabi i drithërave dhe frutave është: pesë wesak. Një wesak është sa gjashtëdhjetë saë nga sai i Profetit (). Domethënë, nisabi i hurmave, i rrushit të thatë, grurit, orizit, elbit etj. është: treqind saë nga sai i Profetit ().

Një saë është e barabartë me katër herë mbushjen e dy duarve (të ngjitura), të një burri me trup mesatar, kur i mbush grushtet plot.[4]

Zekati i obligueshëm për këtë kategori është: një e dhjeta e sasisë, nëse pemët dhe drithërat ujiten pa u ngarkuar pronari (me shpenzime), pra ujiten nga shiu, lumenjtë, përrenjtë, ose diçka e ngjashme. Ndërsa për pemët dhe drithërat që ujiten me shpenzime dhe ngarkim nga pronari, si p.sh. e mbart ujit me kafshë ose me makina ujitëse, atëherë zekati i obliguar është: gjysma e një të dhjetës, siç thuhet në hadithet autentike të të Dërguarit ().

Nisabi i deveve, lopëve dhe dhenve, që kullosin në natyrë, është sqaruar në detaje në shumë hadithe të sakta të të Dërguarit (). Kushdo që shpreh dëshirën për t’i mësuar, mund t’i pyesë njerëzit e dijes për to. Qëllimi ynë është që ky shkrim të jetë sa më i shkurtër, përndryshe do t’i përmendnim edhe këto detaje dhe dobia do të ishte më e plotë.

Nisabi i argjendit është: 140 mithkalë[5], që i bie 56 rijalë sipas dërhemëve saudianë [në kohën kur e ka shkruar autori. Sipas tij i bie: 644 gramë – shënim i përkthyesit].

Nisabi i arit është: 20 mithkalë, që i bie 11.43 xhunejhë sipas xhunejhëve saudianë. Kurse me gram i bie: 92 gramë.

Nëse dikush e arrin nisabin e këtyre dyve ose të njërit, dhe i kalon një vit, atëherë i bëhet obligim zekati, i cili është një e dyzeta (d.m.th. 2.5%).

Fitimi (shtimi) i bashkëngjitet vlerës bazë dhe nuk ka nevojë që fitimi të mbushë një vit të ri, ashtu siç edhe pjella e kafshëve i bashkëngjitet kafshëve bazë dhe nuk ka nevojë për mbushjen e një viti të ri. Kjo nëse sasia bazë e ka arritur nisabin.

Kjo dispozitë e arit dhe argjendit përfshin edhe paratë, të cilat përdoren nga njerëzit në këtë kohë, pavarësisht a quhen dërhemë, apo dinarë, apo dollarë, apo me ndonjë emër tjetër.

Nëse vlera e këtyre parave arrin nisabin e argjendit ose të arit dhe kalon një vit, bëhet obligim nxjerrja e zekatit të tyre.

Te dispozita e arit dhe argjendit hyjnë edhe stolitë e grave prej ari dhe argjendi, sidomos kur e arrijnë nisabin dhe u kalon një vit. Zekati i tyre është obligim, sipas mendimit të saktë nga dy mendimet e dijetarëve, edhe nëse qëllimi i ruajtjes së këtyre stolive është për t’i përdorur vetë ose për t’i dhënë hua. Argument është hadithi i Profetit () i cili flet në përgjithësi:

«مَا مِنْ صَاحِبِ ذَهَبٍ وَلَا فِضَّةٍ، لَا يُؤَدِّي مِنْهَا حَقَّهَا، إِلَّا إِذَا كَانَ يَوْمُ الْقِيَامَةِ، صُفِّحَتْ لَهُ صَفَائِحُ مِنْ نَارٍ»

“Çdo person që ka pasur ar ose argjend, nëse nuk e ka dhënë hakun e tyre, ato, Ditën e Ringjalljes, do t’i petëzohen në pllaka prej zjarri…” – deri në fund të hadithit të lartpërmendur.

Argument është, gjithashtu, hadithi autentik ku thuhet se Profeti () ka parë njëherë në dorën e një gruaje dy byzylykë prej ari dhe i ka thënë:

«أتعطين زكاة هذا؟»

“A e jep zekatin e kësaj?”

Ajo ka thënë: “Jo.” Profeti () ka thënë:

«أيَسُرُّكِ أن يسوِّرَك الله بهما يومَ القيامَةِ سوارَينِ مِن نار؟»

“A do të gëzoheshe që, për shkak të këtyre dyjave, All-llahu të t’i veshë Ditën e Ringjalljes dy byzylykë prej zjarri?!”

Atëherë i ka hedhur dhe ka thënë: “Këto janë për All-llahun dhe të Dërguarin e Tij (sadaka në shërbim të Islamit)!” E ka transmetuar Ebu Davudi dhe Nesaiu me zinxhir hasen.

Gjithashtu, sipas transmetimit të saktë, Ummu Seleme (radijAll-llahu ‘anhâ) ka veshur stoli prej ari dhe i ka thënë Profetit (): “Kjo a llogaritet kenz (thesar i grumbulluar)?” I Dërguari () ka thënë:

«مَا بلغ أَن يُؤدى زَكَاتُهُ فَزُكِّيَ فَلَيْسَ بِكَنْزٍ»

“Çdo pasuri që e ka arritur (nisabin e) zekatit, nëse i nxirret zekati, nuk është kenz.”

Krahas këtyre, ka edhe hadithe të tjera me të njëjtin kuptim.

Për sa i përket mallit tregtar, që është i dedikuar për shitje, duhet të llogaritet në fund të vitit dhe të nxirret çereku i një të dhjetës (d.m.th. 2.5%) nga vlera e mallit (në kohën e nxjerrjes së zekatit), pa marrë parasysh a është vlera e tij sa çmimi, apo më shumë, apo më pak. Argument është hadithi që e përcjellë Semura (radijAll-llahu anhu), i cili ka thënë:

“I Dërguari i All-llahut () na urdhëronte ta nxjerrim sadakanë (zekatin) nga malli që e dedikonim për shitje.” – transmeton Ebu Davudi.

Këtu futen edhe tokat që janë të dedikuara për shitje, gjithashtu edhe ndërtesat, makinat, aparatet e ujit, e kështu me radhë të gjitha llojet e mallrave që janë dedikuar për shitje.

Ndërtesave që nuk janë dedikuar për shitje por për qira, zekati u nxirret nga fitimet e qirasë, pasi të mbushet një vit. Kurse për vetë ndërtesën nuk ka zekat, sepse nuk është dedikuar për shitje.

Kështu njësoj edhe për makinat private, ose për taksitë, nuk nxirret zekat, përderisa ato nuk janë dedikuar për shitje, por janë blerë për përdorim.

Nëse pronarit të makinës “taksi” i mblidhet një shumë e parave që e arrin nisabin, atëherë e nxjerr zekatin kur të mbushet një vit, pavarësisht se për çfarë e ka ndarë fitimin (paraprakisht): për lëmoshë, për martesë, për blerjen e ndonjë objekti, për shlyerjen e borxhit, ose për diçka tjetër. Kështu është sepse argumentet sheriatike janë të përgjithshme dhe dëshmojnë se zekati në këto raste është i obligueshëm.

Mendimi më i saktë, ndër mendimet e ndryshme të dijetarëve është se: borxhi nuk e ndalon obligimin e zekatit, duke u bazuar në ato që i përmendëm deri tani.

Zekati vlen edhe për pasuritë e jetimëve dhe personave me të meta mendore, sipas shumicës së dijetarëve, nëse e kanë arritur nisabin dhe e kanë plotësuar vitin. Është obligim i kujdestarëve të tyre që t’ua nxjerrin zekatin, kur të plotësohet viti, me nijet për ata, sepse argumentet janë në përgjithësi (nuk i bëjnë këta përjashtim), si hadithi i Profetit (), në të cilin tregohet se kur e ka dërguar Muadhin në Jemen, i ka thënë:

«أنَّ الله افترض عليهم صدقةً في أموالهم، تُؤْخَذ من أغنيائهم، فتُرَدُّ في فُقرائهم»

“…(tregoju) se All-llahu ua ka bërë obligim një sadaka (zekat) nga pasuria e tyre, e cila merret prej të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre…”

Zekati është haku i All-llahut dhe nuk lejohet t’i jepet për hatër dikujt që nuk e meriton. Nuk lejohet që ta shfrytëzojë zekatin për të tërhequr ndonjë dobi për vete, ose të largojë ndonjë dëm, as që me të ta mbrojë pasurinë e tij, apo ta mbrojë veten nga fyerjet e dikujt. Përkundrazi, muslimani e ka për detyrë ta çojë zekatin te personat që e meritojnë, për faktin se janë të denjë për zekat e jo për ndonjë qëllim tjetër.

Këtë duhet ta bëjë me dëshirën e vet dhe me ihlas (ta përkushtojë këtë ibadet pastër) për All-llahun, që të arrijë ta shlyejë përgjegjësinë përpara All-llahut dhe ta meritojë shpërblimin dhe zëvendësimin (e kësaj pasurie me më të mirë).

[Kujt lejohet t’i jepet zekati?]

All-llahu i Lartësuar, në Librin e Tij të Madhërishëm i ka sqaruar kategoritë e njerëzve të cilët e meritojnë zekatin. I Lartësuari ka thënë:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَابْنِ السَّبِيلِ ۖ فَرِيضَةً مِّنَ اللَّهِ ۗ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

“Lëmosha e zekatit është vetëm për: fukarenjtë, për miskinët [6], për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e zekatit, për ata që duhet t’ua tërheqim zemrat [7], për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e All-llahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej All-llahut. Vërtet, All-llahu është Alîm (i Gjithëdijshëm) dhe Hakîm (i Urtë).” [Et-Teube, 60]

Me përmbylljen e këtij ajeti madhështor me këto dy Emra të Madhërishëm, All-llahu i Lartësuar i kujton robërit e Tij se Ai është i Gjithëdijshëm për gjendjet e robërve, se kush prej tyre e meriton lëmoshën e zekatit e kush jo dhe i kujton se Ai është i Urti, i Cili e bën ligjin dhe kaderin me urtësi absolute. Çdo gjë e vendos gjithmonë në vendin e vet të duhur, edhe pse disa njerëz nuk i kuptojnë disa fshehtësi të Urtësisë së Tij.

Këtë kujtim ua bën që robërit të qetësohen dhe t’i dorëzohen vendimit të Tij.

Vetëm All-llahut i lutemi që të na japë sukses, neve dhe muslimanëve, për ta studiuar dhe kuptuar fenë e Tij!

Gjithashtu i lutemi të na dhurojë sinqeritet në raportet tona me All-llahun, nxitim për ta arritur kënaqësinë e Tij, si dhe mirëqenie dhe shpëtim nga çdo gjë që e shkakton zemërimin e Tij! Vërtet Ai është Dëgjues dhe i Afërt.

Lavdërimet dhe shpëtimi i All-llahut qofshin me robin dhe të dërguarin e Tij, Muhamedin, si dhe me të gjithë ithtarët dhe shokët e tij.

_______________

Drejtori i përgjithshëm i drejtorive për kërkime diturore, për fetva, thirrje dhe udhëzim, Shkëlqesia e tij:

Abdul-Aziz ibën Abdil-lâh ibën Bâz

 

Përktheu: Blerand Grubi


Fusnotat:
[1] Shih: Fet’hul-Bâri, 3/270 (përkthyesi)
[2] “Ajo që del nga toka” – janë për qëllim drithërat si: gruri, misri, elbi, orizi etj. dhe frutat të cilat mund maten me vëllim dhe mund të depozitohen, si: hurmat, rrushi i thatë, lajthitë, bajamet etj. Kurse për pemët dhe perimet që nuk i plotësojnë këto dy kushte nuk detyrohet nxjerrja e zekatit (përkthyesi).
[3] Janë për qëllim: devetë, lopët dhe dhentë, të cilat kullosin në natyrë gjatë gjithë vitit, ose shumicën e vitit. Kurse për bagëtitë që i ushqen pronari me sanë, tagji etj. nuk është obligim zekati (përkthyesi).
[4] Domethënë, zekati i frutave dhe drithërave bëhet i detyrueshëm vetëm nëse është arritur nisabi, i cili është: 5 wesak (barrë deveje). Një wesak është sa 60 saë (tasa), kurse 1 saë zë përafërsisht 2 deri 2,5 kg, varësisht nga sendi që e matim.

1 wesak = 60 saë, 5 wesak = 300 saë.

Nisabi i grurit të mirë, për shembull, është 720 kg, nëse e marrim për bazë që 1 saë e tij peshon 2,4 kg.

Pra “wesak” dhe “saë” janë njësi matëse të vëllimit, jo të peshës, prandaj dallon pesha e nisabit te secili drithë dhe frutë (përkthyesi).
[5] Mithkâl: njësi peshe për metalet dhe gurët e çmuar, e barabartë me 4,6 gramë, ose me 4,25 gramë sipas disa burimeve të tjera (përkthyesi).
[6]Fukarenjtë: të varfrit që nuk i plotësojnë shumicën e nevojave të veta; ndërsa “miskinët”: të varfrit që i plotësojnë gjysmën ose shumicën e nevojave, por jo krejt (përkthyesi).
[7]…ata që duhet t’ua tërheqim zemrat”: për ta pranuar islamin, nëse janë jobesimtarë, ose për t’iu forcuar imani, nëse janë të dobët në besim (përkthyesi).

[wpdm_package id=’1283′]