Hadithi i pestë
Është transmetuar nga nëna e besimtarëve Ummu Abdil-lâh – Aisha (radijAll-llahu anhâ) se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka thënë:
« مَن أحدث في أمرنا هذا ما ليس منه فهو ردٌّ»
“Kush sjell në këtë çështjen tonë një risi, që nuk është prej saj, ajo i refuzohet!”
Këtë e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Në një transmetim tjetër te Muslimi:
« مَن عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو ردٌّ»
“Kush bën një vepër që nuk përputhet me çështjen tonë, ajo i refuzohet!”
Shpjegimi
Imam Ibën Rexheb (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Ky hadith është një bazë madhështore prej bazave të Islamit. Ai është si peshore për veprat nga ana e dukshme e tyre, sikurse hadithi: “Veprat vlejnë vetëm me nijete…”, që është peshore për veprat nga ana e brendshme e tyre.
Pra, njeriu, siç nuk ka shpërblim për veprat që nuk ia ka kushtuar pastër All-llahut, ashtu do t’i kthehen mbrapsht edhe veprat që nuk janë në përputhje me legjislacionin e All-llahut dhe të Dërguarit të Tij (ﷺ).” [Xhâmi’ul-Ulûm uel-Hikem, f. 176]
Transmetimi i parë i këtij hadithi:
“Kush sjell në këtë çështjen tonë një risi, që nuk është prej saj, ajo i refuzohet!”
Shejh Sâlih el-Feuzân (All-llahu e ruajttë) ka thënë:
“Kush sjell në këtë çështjen tonë…” – d.m.th.: në Legjislacionin tonë. Domethënë, kush shpik një mënyrë adhurimi (ibadet), e cila nuk bazohet në Librin e All-llahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (ﷺ), ajo i refuzohet, për arsye se mënyrat e adhurimit të Zotit janë teukifije (të shenjta, të vendosura, në të cilat nuk ka hapësirë për ideja) dhe merren vetëm nga argumenti.
Nuk lejohet të veprohet asnjë ibadet, përveç atij për të cilin kemi argument. All-llahu nuk e ka kërkuar dhe nuk e ka lejuar atë adhurim, për të cilin nuk ka argument.
E, kush përpiqet t’i afrohet All-llahut përmes diçkaje që Ai nuk e ka kërkuar, llogaritet “bidatçi” dhe “shpikës në Fe” të diçkaje që s’është prej saj, ndërsa vepra i kthehet mbrapsht dhe nuk i pranohet tek All-llahu i Lartësuar.
Kështu është sepse asnjë ibadet dhe asnjë vepër nuk është e vlefshme pa i plotësuar dy kushtet:
1. Ihlasi – vepra t’i kushtohet pastër All-llahut dhe
2. Mutâbe’a – vepra të jetë në përputhje me mësimet e të Dërguarit (ﷺ).”
Më pas ka thënë:
“Kuptimi i fjalës: “…ajo i refuzohet” – do të thotë: i kthehet mbrapsht dhe nuk i pranohet tek All-llahu i Madhëruar, sado që ta lodhë veten dhe sado që ta ketë nijetin e pastër.
Nuk shikohet (vetëm) te qëllimi i mirë dhe synimi i bukur, por duhet patjetër të jetë në përputhje me Sunetin e të Dërguarit (ﷺ), që t’i pranohet vepra. Nëse njëri prej këtyre dy kushteve mungon, ajo i kthehet mbrapsht.
Ky hadith argumenton se të gjitha bidatet janë të pavlefshme dhe se personi që i bën ato është gjynahqar[1] dhe nuk merr shpërblim. Gjithashtu, dëshmon se të gjitha bidatet janë të refuzuara. Pra, është një përgjigje kundër atyre që thonë se ka bidat të mirë!
I Dërguari (ﷺ) në një hadith tjetër ka thënë:
« فإن كل محدثة بدعة وكل بدعة ضلالة »
(…fe inne kul-le muhdethetin bid’ah, we kul-le bid’atin dalâleh)
“…sepse çdo risi (në fe) konsiderohet shpikje (bidat) dhe çdo shpikje është humbje!” [Muslim, 876]
Kurse ky thotë: “Ka bidat të mirë”! – Ky bie në kundërshtim me fjalët e të Dërguarit (ﷺ). [El-Minhatu er-Rabbânijje, f. 108-112]
Dijetari Muhamed Emân el-Xhâmi (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Nëse dikush kërkon t’i afrohet All-llahut përmes një vepre që Ai nuk e ka kërkuar dhe që i Dërguari i All-llahut (ﷺ) nuk e ka bërë, vepra i refuzohet, kurse personi qortohet, sepse ka shpikur në fe diçka që nuk e ka lejuar All-llahu. Madje ai, me gjuhën e gjendjes, jo me gjuhën e fjalës, e akuzon të Dërguarin e All-llahut (ﷺ) se nuk e ka përcjellë Mesazhin tërësisht; dhe se ekzistuakan ibadete të tjera të cilat robërit mund t’ia kushtojnë All-llahut dhe mund të jenë të pranueshme e të pëlqyera tek Ai!”
Më pas thotë:
“Madje, veprimi i bidateve aludon se Feja nuk është plotësuar ende! – Kur dihet mirë se All-llahu e ka plotësuar këtë Fe dhe ka lajmëruar në kohën e Haxhit të Lamtumirës, në një ajet madhështor:
“اليوم أكملت لكم دينكم، وأتممت عليكم نعمتي ورضيت لكم الإسلام دينا”
“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe Jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj”. (El-Mâide, 3)
Ky ajet ka zbritur të Xhumanë pasdite, në Ditën e Arafatit. Në këtë ajet All-llahu ka lajmëruar se e ka përsosur dhe plotësuar për ne Fenë – dhe diçka që është ‘e plotë’ nuk pranon shtesa. Pra, çfarëdo ibadeti të sjellin njerëzit pas kësaj, llogaritet “i shpikur” dhe i kthehet mbrapsht personit.” [Sherh el-Erbâin, kaseta 2]
Dijetari Sâlih Âl esh-Shejh (All-llahu e ruajttë) ka thënë:
“Këtu ka thënë: “… që nuk është prej saj…”, sepse ndodh që dikush të sjellë një “risi”, sipas pikëpamjes së njerëzve, por që në fakt është një sunet i Profetit (ﷺ), të cilin e kanë harruar dhe braktisur njerëzit.
Pra, mund të ketë nisur një sunet që gjendet në fe dhe ua kujton njerëzve, siç është transmetuar në një hadith, në të cilin Profeti (ﷺ) thotë:
«ومن سَنَّ في الإسلام سنة حسنة فله أجرها وأجر من عمل بها إلى يوم القيامة»
“Kush nis në Islam një nismë të mirë, ai do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e të gjithë atyre që e veprojnë atë deri në Ditën e Kiametit…” [Muslimi, 1017] [Sherh el-Erbâ’in, 120]
Gjithashtu ka thënë:
“Nëse risia nuk ka të bëjë me fenë, do të thotë se nuk hyn në temën e këtij hadithi. E njëjta vlen edhe për shpikjet (bidatet). Prandaj dijetarët i kanë ndarë risitë në dy lloje:
[1] risi që nuk janë në fe – dhe këto nuk qortohen (si risitë në teknologji, ndërtimtari… sh.p.)
[2] risitë në fe – e këto qortohen.” [Sherh el-Erbâ’in, 123]
Shejh Abdul-Muhsin el-Abbâd (All-llahu e ruajttë) ka thënë:
“Në këtë hadith nuk bëjnë pjesë gjërat e dobishme që shërbejnë për t’u ruajtur feja ose që ndihmojnë për kuptimin dhe mësimin e fesë, si: mbledhja e Kuranit në mus’hafe, përpilimi i diturive të gjuhës, sintaksës etj.” [Fet’hul-Kawijjil-Metin, f. 39]
Vijon shpjegimi i transmetimit të dytë të këtij hadithi:
“Kush bën një vepër që nuk përputhet me çështjen tonë, ajo i refuzohet!”
________________
Përmblodhi dhe përktheu: Blerand Grubi
Fusnota:
[1] Profeti (ﷺ) në lidhje me Medinën ka thënë:
« من أحدث فيها حدَثاً أو آوى محدثاً فعليه لعنة الله والملائكة والناس أجمعين »
“Kush shpik në të një risi, ose e strehon një shpikës, mbi të qoftë mallkimi i All-llahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve!” [Buhariu, 1870 dhe Muslimi, 1366]