esSunneh

Kjo dituri është fe…

5. Veprat e shpikura në fe refuzohen – Pj. 2

Varianti i dytë i hadithit të pestë, të cilin e transmeton Muslimi:

« مَن عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو ردٌّ»

“Kush bën një vepër që nuk përputhet me çështjen tonë, ajo i refuzohet!”

Shpjegimi

Abdul-Muhsin el-Abbâd (All-llahu e ruajttë) ka thënë:

“Varianti i dytë, i cili transmetohet te Sahihu i Muslimit, është më i përgjithshëm se i pari, i cili transmetohet te të dy Sahihët, sepse përfshin të gjithë ata që e veprojnë bidatin, pavarësisht a e kanë shpikur vetë, apo e ka shpikur dikush para tyre dhe këta e ndjekin.” [Fet’hul-Kawijjil-Metin, f. 39]

Sâlih el-Feuzân (All-llahu e ruajttë) ka thënë:

“Kjo është një dobi e madhe; që të mos thotë dikush: “Unë nuk kam shpikur gjë. Unë thjesht e veproj atë që e kanë vepruar të tjerët para meje!”

Ne i themi: Edhe nëse e kanë shpikur dhe vepruar të tjerët para teje, përderisa është bidat, nuk të lejohet ta veprosh.

Nëse thotë: “Përgjegjësia bie vetëm mbi personin që e ka shpikur!”

Ne i themi: Përgjegjësi ka edhe ai që e ka shpikur edhe ai që e vepron, sepse Profeti () ka thënë: “Kush bën një vepër që nuk përputhet me çështjen tonë, ajo i refuzohet!” – Ty të është ndaluar ta bësh bidatin dhe ti e di që atyre u është ndaluar ta shpikin, atëherë si po pajtohesh me ta dhe po vepron si ata?! [El-Minhatu er-Rabbânijje, f. 112]

Dijetari Ibën Rexheb (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Thënia e Profetit (): “që nuk përputhet me çështjen tonë” – nënkupton se veprat e të gjithë njerëzve duhet t’i nënshtrohen dispozitave të Sheriatit dhe se ligjet e Sheriatit, përmes urdhrave dhe ndalesave, duhet të jenë drejtueset e veprave.

Prandaj, kur vepra e një personi zhvillohet nën dispozitat sheriatike dhe përputhet me to, ajo pranohet, kurse kur është jashtë tyre, ajo i refuzohet.

Veprat ndahen në dy kategori: ibadete (ndaj Zotit) dhe raporte (mes njerëzve).

   ●   Për sa i përket ibadeteve:

– ato ibadete që janë krejtësisht jashtë Legjislacionit të All-llahut dhe të Dërguarit (), i refuzohen personit, kurse personin e përfshin Fjala e All-llahut:

أَمْ لَهُمْ شُرَكَاءُ شَرَعُوا لَهُم مِّنَ الدِّينِ مَا لَمْ يَأْذَن بِهِ اللَّهُ

“A mos kanë ata ortakë (idhuj), të cilët u kanë caktuar një fe që nuk e ka lejuar All-llahu?!” [Esh-Shûrâ, 21]

Kështu që, kush kërkon t’i afrohet All-llahut përmes një vepre, të cilën as All-llahu e as i Dërguari i Tij nuk e kanë caktuar si adhurim, ajo vepër është e kotë dhe i refuzohet. Kjo i përngjan gjendjes së atyre (idhujtarëve para Islamit), që lutjen në Shtëpinë e Shenjtë e bënin me fërshëllima dhe rrahje duarsh…

– Kështu edhe kur dikush kërkon t’i afrohet All-llahut përmes një adhurimi, i cili është ndaluar me ndalesë të posaçme, si agjërimi ditën e Bajramit, ose namazi gjatë kohëve të ndaluara.

– Kurse kush bën një vepër, e cila bazohet në Sheriat dhe është adhurim, mirëpo fut në të diçka të paligjshme, ose cungon ndonjë pjesë të ligjshme të saj, ky njeri është gjithashtu shkelës i Sheriatit; varësisht se sa dhe çfarë ka cunguar, ose ka futur në të…

   ●   Për sa i përket raporteve mes njerëzve, si: marrëveshjet (aktet, kontratat…), anulimet e marrëveshjeve dhe raporte të ngjashme, nëse ndonjëra prej tyre paraqet ndryshim të normave ligjore, si për shembull ndryshimi i dispozitës penale të caktuar për kurvëri në “dënim me gjobë”, ose diçka e ngjashme, ajo refuzohet kategorikisht dhe transferimi i pronës nuk kryhet, sepse kjo nuk është e njohur në ligjet e Islamit.

Këtë e vërteton përgjigjja e Profetit () ndaj njërit që e ka pyetur:

“Biri im ka qenë punëtor (shërbëtor) te filani dhe ka bërë zina me gruan e tij, ndërsa unë pagova për të (për ta çliruar nga dënimi) njëqind dele dhe një shërbëtore.”

Profeti () ka thënë:

المائة شاة والخادم رد عليك وعلى ابنك جلد مائة وتغريب عام

“Njëqind delet dhe shërbëtorja të kthehen mbrapsht ty, kurse biri yt do të dënohet me njëqind goditje dhe një vjet largim nga vendi.” [Buhariu 2695 dhe Muslim 1697] [Xhâmi’ul-Ulûm uel-Hikem, 177-181 – me shkurtim]

A mjafton nijeti i mirë?

Abdul-Muhsin el-Abbâd thotë:

“Nuk lejohet të thuhet: “Nëse një vepër i kushtohet pastër All-llahut dhe kryhet me nijet të mirë, edhe nëse s’ka bazë në Sunet, është e lavdërueshme dhe e dobishme për personin!”

Njëri nga argumentet që dëshmon për këtë është ndodhia me sahabiun që e ka prerë kurbanin e tij para namazit të bajramit, të cilit Profeti fisnik () i ka thënë:

“شاتُك شاة لحم”

“Delja jote është dele mishi!”

Pra, i Dërguari i All-llahut () nuk e ka llogaritur dele kurbani, sepse ajo është prerë para se të hyjë koha e prerjes, e cila fillon pas namazit të bajramit. Hadithin e ka transmetuar Buhariu (5556) dhe Muslimi (1961).

Hafidhi (Ibën Haxher) gjatë shpjegimit të këtij hadithi në “Fet’hul-Bârî” (10/17) ka thënë: “Dijetari Ebu Muhammed Ibën Ebi Xhemra ka thënë:

“Ky hadith është argument se një vepër, edhe nëse kryhet me nijet të mirë, nuk pranohet pa qenë në përputhje me Legjislacionin.”

Në librin “es-Sunen” të Darimiut (1/68-69) transmetohet se Abdull-llah ibën Mes’udi (radijAll-llahu anhu) ka takuar njëherë disa njerëz në xhami, të grumbulluar në rreth dhe që mbanin në duar disa guralecë; njëri u thoshte: “Thoni: All-llahu Ekber njëqind herë”, ata e thoshin njëqind herë; “Thoni: El-hamdu lil-lâh njëqind herë!”, ata e thoshin njëqind herë; “Thoni: SubhânAll-llah njëqind herë!”, ata e thoshin njëqind herë.

Atëherë Ibën Mes’udi u ka thënë: “Çfarë është kjo që jeni duke bërë!?”

Ata kanë thënë: “O Ebu Abdir-Rahmân, janë (thjesht) guralecë, përmes të cilave ne po i numërojmë tekbiret, tehlilet dhe tesbihat.”

Ai ka thënë: “Numërojini gjynahet! Sepse unë ju garantoj që asnjë vepër e mirë nuk ju humb! Mjerë ju, o Umeti i Muhamedit, sa shpejt po shkatërroheni! Sahabët e Profetit tuaj () i keni akoma mes jush, rrobat e tij akoma nuk janë vjetruar, enët e tij akoma nuk janë thyer. Betohem për Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im! Ju, ose jeni në një fe që është më e udhëzuar se feja e Muhamedit (), ose jeni duke hapur një derë të devijimit!”

Ata kanë thënë: “Për All-llahun, o Ebu Abdir-Rahmân! Qëllimin e patëm vetëm për mirë!”

Ai u ka thënë: “Eh, sa shumë ka të atillë që e synojnë të mirën, por nuk ia qëllojnë!” – Këtë ether e ka shënuar el-Albani në “Es-Silsile es-Sahiha” nr. 2005. [Sherh hadith Xhibril, f. 20]

Ibën Uthejmin (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Duhet ditur se mutâbe’a (pasimi i Sunetit të Profetit ) mund të realizohet vetëm nëse vepra përputhet me Sheriatin në gjashtë çështje: sebepi, lloji, sasia, mënyra, koha dhe vendi.

Nëse nuk përputhet me Sheriatin në këto gjashtë çështje, vepra bëhet e pavlefshme dhe e refuzuar, sepse paraqet shpikje të diçkaje që nuk gjendet në fenë e All-llahut.” [Sherh el-Erba’în, f. 124]

Lexo më shumë rreth këtyre kritereve:

___________________
Përmblodhi dhe përktheu: Blerand Grubi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *