… Ai tha: “Atëherë më trego për shenjat e saj!”
Shenjat e Orës ndahen në dy grupe:
1. Shenja që do të jenë më afër ndodhisë së Orës (Shenjat e Mëdha), si: lindja e diellit nga perëndimi, dalja e Dexhallit, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, zbritja e Isait, të birit të Merjemes (alejhis-selâm) nga qielli dhe disa shenja të tjera.
2. Shenja që do të ndodhin para tyre (Shenjat e Vogla). Dhe pjesë e këtyre shenjave janë këto të dyja që i ka përmendur në këtë hadith.[1]
… Ai tha: “Atëherë më trego për shenjat e saj!”
– Domethënë: më trego për ngjarjet që e paralajmërojnë ardhjen e Orës.
Profeti (ﷺ) ka përmendur dy gjëra:
E para:
“Kur robëresha ta lindë të zonjën e vet…”
– d.m.th. pronaren e saj. Pra e bija të jetë pronare e nënës së vet. Kjo do të ndodhë në periudhën e fundit.
Çfarë domethënie ka kjo?
– Disa kanë thënë: qëllimi është se do të shtohet mosrespekti, aq sa e bija do të duket si me qenë pronare e nënës, nga mosbindja dhe arroganca ndaj saj.
Kjo është e qartë sot. Sot është e qartë! Fëmija është i pasjellshëm dhe kryelartë ndaj prindit, si me qenë pronar i tij.
– Ndërsa disa të tjerë kanë thënë: për qëllim është kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalës – Robëresha skllave do ta lindë të zonjën e vet. Domethënë: pronarja do ta posedojë si skllave nënën e vet.
Kjo tregon se do të shtohet skllavërimi në periudhën e fundit (nga luftërat e shumta). Dhe skllavja i lindë vajzë pronarit. e bija është e lirë, sepse liria varet nga babai, kurse nëna mbetet robëreshë, skllave. Kjo është domethënia e kësaj shenje:
“Kur robëresha ta lindë të zonjën e vet…”
E dyta:
“kur këta të zbathur, të paveshur, të varfër e barinj dhensh, t’i shohësh duke u shtyrë për ndërtesa më të larta (dhe më të bukura).”
Këtu janë për qëllim beduinët, nomadët endacakë dhe shtegtarë, të cilët i kanë pasur shtëpitë të ndërtuara me fije leshi.
Në periudhën e fundit ata do të migrojnë, do të banojnë nëpër qytete, do ta lënë shkretëtirën, do t’u shtohet pasuria, do të ndërtojnë pallate dhe do të garojnë për ndërtesa më të larta; njëzet kate, tridhjet kate… Edhe më shumë!
Kjo është prej shenjave të Orës së Kiametit, dhe kjo po ndodh tani, siç po e shihni.
Kur përfundoi, u ngrit dhe doli. I Dërguari (ﷺ) tha: “Kërkojeni! Kërkojeni!”
Ata dolën, e kërkuan, mirëpo nuk gjetën njeri. [2]
Pasi kaloi një kohë, Profeti (ﷺ) më tha: “O Umer, a e di se kush ishte ky që bëri pyetje?”
I thashë: “All-llahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri!”
Profeti (ﷺ) tha: “Ky ishte Xhibrili! Erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.”
[Përcjellë nga Muslimi]
Ky është argument se meleku nuk vjen në formën e vet prej engjëlli, sepse njerëzit nuk kanë mundësi që t’i shohin ata në formën origjinale. Ata vijnë vetëm në formën e njeriut, në mënyrë që njerëzit të mos ikin.
Mirëpo, përse erdhi Xhibrili? Dhe përse u ul?
Përgjigjja është tek gjuha e Profetit (ﷺ):
“Erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.”
Ai nuk i parashtroi pyetjet për të mësuar vetë, por për t’i mësuar të tjerët.
Ky hadith është gjithashtu argument se Feja merret vetëm duke e mësuar atë. Ajo nuk merret përmes adeteve, zakoneve, apo bidateve.[3]
_____________
Lexo më shumë për shenjat e Kiametit: “Shenjat e Kiametit” – Hytbe e dijetarit Salih Al esh-Shejh
Burimi:
[1] Autor: AbdulMuhsin el-Abbad – “Fet’hul-Kawijjil-Metin”, f. 27.
[2] Autor: Salih el-Feuzan – Shpjegim i shkurtër i “Hadithit të Xhibrilit” (Video e përkthyer): https://www.youtube.com/watch?v=RKA19ugpmtY
[3] Autor: Salih el-Feuzan – “El-Minhatur-Rabbanijeh…” f. 92-93 – me shkurtim.
Përkthimi: Blerand Grubi